Ekipi kombëtar iranian refuzon të këndojë himnin e vet kombëtar për të mbështetur protestuesit në vendin e tyre… Lojtarët mbyllin gojën në shenjë proteste gjatë fotos zyrtare para ndeshjes… Tommie Smith dhe John Carlos, dy vrapuesit amerikanë që ngritën grushtat në Lojërat Olimpike të vitit 1968 në shenjë proteste ndaj racizmit dhe padrejtësisë në komunitetet e tyre… Këto të gjitha tregojnë momente kur sportistët kanë reaguar jashtë asaj që përfaqëson futbolli apo një sport tjetër. Liria e sportistëve për të folur, rreziku që secili mori parasysh për të protestuar, ka ndihmuar në formësimin e rolit të sportit në shoqërinë tonë.
Të gjithë e dimë se disa ekipe kishin vendosur që në këtë botëror të mbanin një shirit ylberi, një gjest modest për tu solidarizuar me të gjithë njerëzit në botë që paragjykohen në bazë të preferencave të tyre seksuale.
Por lojtarët dhe federatat u “kërcënuan” me saksione në rast se përdornin çdo lloj mënyre për të protestuar, çka nxori në pah vendin që zënë temat delikate në futboll.
Brenda natës, një simbol i mbështetjes së LGBT u bë burim i polemikave. Dhe siç ndodh shpesh, çmimin e çdo gjëje do e paguanin lojtarët.
Lojtarët mund të merrnin kartonë të verdhë apo dhe mund të dënoheshin që të mos luanin nëse vendosnin shiritin ylber.

Pse një gjest mbështetjeje hasi një rezistencë të tillë? Pse lojtarët ishin “të dënuar” kur veprimet e tyre ishin të pranueshme?
“Unë nuk ndihem rehat dhe kjo është mjaftueshëm”, tha belgu Jan Vertonghen, teksa përpiqej të kuptonte, përpara eliminimit të ekipit të tij, nëse të folurit për çështjet e të drejtave të njeriut mund të kishte çuar në pezullimin e tij nga Kupa e Botës.
Ka një përgjigje të thjeshtë, se gjithçka rrjedh nga vendimi për të mbajtur Kupën e Botës në Katar. Kjo tregon dhe disa sfida që do të mbeten përtej këtij Botërori.
Janë dy pyetje që duhet të bëhen. Së pari, cilat janë vlerat që sporti do të përqafojë dhe mbrojë vërtet kur pretendon të ketë një ndikim në një botë të fragmentuar? Dhe pse lojtarët të cilët do të përfaqësojnë ato vlera në fushë, nuk janë pjesë e tavolinës ku merren vendimet për rregullat?
Pyetja e fundit tregon një dështim të përsëritur të sistemit të qeverisjes së futbollit për të dëgjuar dhe ndarë pushtetin me njerëzit që sjellin sportin në jetë, në fushë.
Por pyetja e parë është më e ndjeshme dhe më komplekse. Ngjarjet e mëdha sportive ndërkombëtare nuk kanë qenë kurrë pa përfshirjen e gjeopolitikës ku propaganda, protestat dhe bojkotet janë pjesë e historisë së tyre.
Dhe kur organizatori përpiqet të imponojë identitetin e tij dhe një grup të vetëm rregullash, po pranon, pavetëdije ndoshta, se sporti nuk është vetëm sport.
Cilido qoftë qëllimi, çdo përpjekje për të izoluar sportin nga të drejtat tona themelore, siç janë kodifikuar në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, të ratifikuar nga të gjitha qeveritë e vendeve që garojnë në këtë Kupë Botërore dhe të sanksionuara në statutet e FIFA-s, është braktisje e njerëzve.
Organizatat sportive duhet të kuptojnë se angazhimi i tyre për neutralitet në çështjet e politikës apo fesë nuk mund të zbatohet për të drejtat e njeriut. Mosveprimi, ose neutraliteti i supozuar në çështjet e të drejtave të njeriut, është një zgjedhje thellësisht politike.
Kur shohim vendin e sportit në shoqërinë tonë, ne shohim më qartë rolin e sportistëve. Ata janë në qendër të skenës, duke luajtur dramën, duke kanalizuar emocionet tona, edhe kur ndërtojnë karrierën e tyre profesionale.
Si një “sindikatë ndërkombëtare” që përfaqëson 65,000 lojtarë në mbarë botën, detyra jonë është të mbrojmë të drejtat e tyre njerëzore dhe kushtet sociale. Ne i ndihmojmë ata të shkëlqejnë si sportistë, punëtorë, qytetarë, personazhe publike dhe mbi të gjitha si qenie njerëzore.
Por pritshmëritë e vendosura mbi këta lojtarë sot nuk janë as të drejta dhe as realiste. Në çdo grup njerëzish gjen disa që duan të flasin dhe mbajnë qëndrim për atë që shohin, dhe të tjerë që jo, edhe pse ndajnë të njëjtat vlera.
Pse futbollistët duhet të jenë ndryshe? Shumë duan të flasin, por lirisht, sipas mundësisë së tyre dhe pavarësisht nga vendimet që merren nga federatat, klubet apo ligat e tyre.
Por nëse i kërkojmë të ngrenë zërin e tyre, sigurisht që duhet të respektojmë edhe të drejtën e tyre për heshtje. Çdo lojtar mbetet, para së gjithash, një sportist profesionist. Askush nuk duhet t’i detyrojë ata të marrin një rol që nuk e duan por nëse duan ta marrin atë rol, kanë të njëjtën të drejtë ta bëjnë këtë si kushdo tjetër.
Ky Botëror ka vënë në qendër të vëmendjes të gjitha këto sfida të vështira. Por lojtarët dhe trajnerët nuk janë vetëm. Ndërsa pjesa më e madhe e globit përballet me konfliktin ekonomik dhe social, pabarazinë dhe divorcet në rritje, dëshira për të ngritur zërin është rritur dhe shoqëri të ndryshme po kërkojnë që njerëzit që kanë ndikim të reagojnë.
Sot, sporti është në qendër të vëmendjes pikërisht për këtë.
Lojtarët po mundohen të flasin, individualisht dhe kolektivisht, në një sistem që i donte të heshtur. Federatat sportive duhet ta përqafojnë këtë ndryshim dhe ndoshta kjo do të na ndihmojë të ri zbulojmë dëshirën e mirë për të mos bërë dallime, gjë që shumë mendojnë se mungon brenda institucioneve sportive. Duhet tu jepet fjala lojtarëve.
Jonas Baer-Hoffmann është sekretar i përgjithshëm i sindikatës ndërkombëtare të futbollistëve profesionistë Fifpro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




