Nga sot futbolli shqiptar nuk është më i njëjti, zemra e Legjendës shkodrane dhe mbarëkombëtare Bizi, ka pushuar një herë e përgjithmonë. I lindur pothuajse 77 vite më parë në Shkodër (26 Janar 1948), ai debutoi me ekipin e Vllaznisë në moshën 17 vjeçare duke fituar Kupën e Shqipërisë që në sezonin e parë. Në vitin 1968 u transferua te Partizani ku luajti për 3 sezone dhe fitoi dy herë titullin kampion dhe një trofe në Kupën e Republikës.
Në sezonin 1971-1972 u kthye në Shkodër ku luajti për ngjyrat kuqeblu deri në përfundim të karrierës në vitin 1982 (atëherë 34 vjeç). Gjatë kësaj kohe ai u shpall kampion në sezonet 1971-‘72, 1973-‘74 dhe 1977-‘78 duke fituar në total 5 tituj në karrierë. Ndërsa Kupat e Shqipërisë u bënë 4 pas sukseseve në sezonet 1971-‘72, 1978-‘79 dhe 1980-‘1981. Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai drejtoi skuadrën e Veleçikut dhe për një periudhë të shkurtër Vllazninë.
Në Shkodër shërbyer për shumë vite si sekretar i klubit dhe punoi trainer me moshat duke nxjerrë talente të shumtë ndër vite. Sa i përket Kombëtares ai luajti 12 ndeshje me skuadrën U23 ku shënoi dy gola si dhe 15 ndeshje me ekipin e parë ku shënoi një gol. Të gjithë e mbajnë mend në përballjen me Republikën Federale Gjermane që kishte në përbërje edhe Franz Beckenbauer. Ndërsa vetë i ndjeri Bizi vlerësonte si ndeshjen e tij më të mirë me kuqezinjtë, barazimin 1-1 me Poloninë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.