Nga Gazeta Si- Nuk është ndonjë gjë e rrallë tashmë në Shqipëri që skuadrat e futbollit të Superiores dhe kur përmendim ato, edhe të tjerat kategori më poshtë sigurisht që janë njësoj për të mos thënë edhe më keq, që nuk paguajnë pagat e lojtarëve, që sorollaten nëpër biznese dhe mundohen edhe me kredira, për të mos përmendur metodën e paligjshme të parave me fajde, për të siguruar resurse financiare momentale.
E megjithatë, prap ngërçet financiare janë dhe ka shumë lojtarë që paguhen me disa muaj vonesë, apo nën kërcënimin e Komisioneve të FSHF-së, për të prishur kontratat dhe shlyer detyrimet. Dhe në një botë kapitaliste, ku sistemi ynë bën pjesë, është një rast përjashtimor, pasi ka rregullat e tij lokale. Sepse nëse nuk ka një ndihmë nga shteti, një formulë zbutjeje taksash për bizneset që suportojnë këto klube, nuk është e logjikshme dhe as nuk ka sesi të funksionojë një klub futbolli privat, apo shoqëri aksionere tregtare.
Në gusht të vitit 2020 u kërkua me ngulm nga Liga Profesioniste e Futbollit që qeveria të reagonte, por hasja në vesh të shurdhët prej shumë kohësh solli që klubet të vendsnin të bojkotonin kampionatin. U vazhdua gjatë, qeveria në atë kohë vendosi si negociator ish-deputetin Fidel Ylli njëkohësisht edhe president i Komitetit Olimpik, për të dakordësuar fillimin e punës për një ligj të ri për sponsorizimet në vendin tonë. Një ligj në fakt që e ka e gjithë bota dhe ka të bëjë me zbritjen e një përqindjeje të përcaktuar me ligj të taksave për ata që investojnë në disa fusha publike kur përfshihet edhe sporti.
Ky ligj në vendin tone është 30 vjeçar, dhe ja çfarë thotë:
L I G J Nr.7892, datë 21.12.1994 PËR SPONSORIZIMET
Ndërkohë më poshtë në nenin 5 specifikohet masa e përfitimit të biznesit që investon në këto fusha që njihet si zbritje nga detyrimet tatimore.
Neni 5
Sponsorizuesi përfiton, për shumën e sponsorizuar në fakt, këto lehtësi tatimore:
a) Subjekteve, persona fizikë a juridikë që paguajnë tatim mbi fitimin sipas ligjit nr.7677, datë 3.3.1993 “Për tatimin mbi fitimin”, shuma e sponsorizuar u njihet si shpenzim i zbritshëm deri në masën 3 për qind të fitimit para tatimit.
Dhe pika c pas pikës b është e shfuqizuar
c.) Subjekteve, personave fizikë a juridikë që paguajnë tatim mbi fitimin sipas ligjit nr.7677, datë 3.3.1993 “Për tatimin mbi fitimin”, shuma e sponsorizuar për botuesit e shtypit dhe botimet e veprat letrare, shkencore, enciklopedike, si dhe për veprimtaritë kulturore, artistike e sportive u njihet si shpenzim i zbritshëm deri në masën 5 për qind të fitimit para tatimit. Këshilli i Ministrave përcakton kriteret dhe masat e sponsorizimit nga personal juridike publike.
Pavarësisht kërkesës së klubeve për ta ndryshuar këtë përqindje përfitimi pasi në këto shifra është e papërfillshme dhe nuk i sjell interes asnjë biznesi të ndërmarrë investime dhe sipërmarrje të tilla publike, asgjë nuk u bë, thjesht u mblodhën disa tryeza, erdhën disa refuzime nga Ministria e Financave sepse sipas ekspertëve rritja e përqindjes së përfitimit do t’i sillte shtetit humbje të mëdha nga grumbullimi i parave nga taksat.
Dhe 5 vite nga ajo situatë, shohim biznese familjare dhe jo, si rasti i Tiranës apo Laçit apo klube të tjera të ngjashme, si Flamurtari që vazhdon endet në Kategorinë e Parë, që janë drejt falimentit, me fjalë të tjera falimentit zyrtarë sepse në një shtet normal që do të shiheshin bilancet të gjitha klubet shqiptare, me ndonjë përjashtim të vogël, duhet të ishin të falimentuara.
Ndërkohë në një univers paralel ndodh e kundërta dhe ky univers nuk është më larg se sa në Kosovë.
Ky është ligji i sponsorizimeve i Republikës së Kosovës i miratuar në vitin 2017.
GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 3 / 17 JANAR 2017,
PRISHTINË 19 LIGJI Nr. 05/L -090 PËR SPONSORIZIME NË FUSHËN E KULTURËS, RINISË DHE SPORTIT
Neni 1
Qëllimi
1. Ky ligj rregullon përkrahjen dhe mbështetjen financiare e materiale të aktiviteteve kulturore, rinore dhe sportive përmes sponsorizimeve dhe reklamave.
2. Përmes sponsorizimit të aktiviteteve të ndryshme në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit realizohet interesi i përgjithshëm i cili sjell përmirësimin e jetës individuale dhe shoqërore të qytetarëve, organizatave biznesore, fondacioneve, personave fizik dhe juridik në Republikën e Kosovës.
3. Qëllimi i sponsorizimit është realizimi, përkrahja, promovimi dhe mbështetja e veprimtarive dhe aktiviteteve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.
4. Sponsorizimi i jepet pranuesit për implementim të interesit të përgjithë
5. Ky ligj është në përputhshmëri me Traktatin për Funksionimin e Bashkimit Evropian (version i konsoliduar), GZ C 326/74, datë 26.10.2012, dhe me Rregulloren e Këshillit të BE –së 2015/1588 (13.07.2015) mbi zbatimin e neneve 107 dhe 108 të Traktatit mbi funksionimin e Bashkimit Evropian për kategoritë e caktuara të ndihmes shtetërore horizontale, OJ L 248/1, 24.9.2015.
Fakti që shteti i Kosovës ka këtë ligj edhe më të ri sigurisht që vjen me faktin e formalizimit më vonë se Shqipëria si shtet, por që ata e përshtasin më shpejt me Traktatet e Bashkimit Europian nuk ka lidhje me kohën e firmimit si shtet. Mbi të gjitha Ministria e Financave atje ndryshe nga e jona nuk është shtrembëruar aspak që i ka lënë biznesit 10-fishin e përqindjes së tatim fitimit për të sponsorizuar në sport, krahasuar me ligjin tonë.
Neni 12
Zbritjet e lejuara
1. Sponsorizuesit për sponsorizimet në aktivitetet e sportit u njihet zbritja tridhjetë përqind (30%) nga tatimi në fitim sipas ketij ligji.
Si rrjedhojë në një tabelë të mëposhtme po ju rendisim se sa kanë përfituar klubet e Superligës së Kosovës vetëm nga ky ligj për sponsorizimet në vitin 2024.
Prishtina | 1.117.500.00 euro |
Ballkani | 840.000.00 |
Gjilani | 498.004.47 |
Suhareka | 419.300.00 |
Malisheva | 343.500.00 |
Ferronikeli 74 | 331.000.00 |
Llapi | 260.500.00 |
Ferizaj | 191.500.00 |
Drita | 128.000.00 |
Dukagjini | 75.000.00 |
Në total rreth 4 milion euro biznesi Kosovar i ka adresuar sportit të futbollit dhe vetëm klubeve të kategorisë superiore, ndërkohë që një shumë të ngjashme bizneset apo familjet e disa biznesmenëve në Shqipëri i humbasin në çdo vit, me përfitime të vogla për të zbutur humbjet në rastin e kualifikimit në kupat e Europës apo fitimit të titullit kampion.
E gjitha kjo për një burokraci teknike e ministries së financave ku sigurisht ka mbështetjen e plotë të mungesës së dashamirësisë së qeverisë për ta lënë futbollin vendas thjesht bazik, në përputhshmëri të plotë me shprehjen që “ky sport ka lindur si loja e të varfërve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.