Nga David Brooks – Ndonjëherë ndiej se jam në një betejë të përditshme për të mos u shndërruar në një version sipërfaqësor i vetes sime. Një nga faktorët kryesorë që më shtyn drejt kësaj sipërfaqësie është teknologjia , mënyra se si ajo e tkurr vëmendjen dhe e mbush ditën me shpërqendrime tunduese.
Faktori i dytë është politizimi i gjithçkaje. Si shumë njerëz të tjerë, edhe unë kaloj shumë kohë i zhytur në politikë , në zemërimet e parashikueshme dhe në analizat e fushatave zgjedhore. Prandaj po përpiqem të marr masa . I jam drejtuar artit.
Jam në kërkim të atyre përvojave që kemi pasur të gjithë kur ishim fëmijë: të jesh aq i zhytur në një histori aventureske sa të refuzosh ta lëshosh librin edhe për të ngrënë darkë; ta ndiesh një muzikë aq fort sa të të zgjojë pasione të fuqishme; të shohësh një pikturë aq të bukur sa të duket sikur ke hyrë brenda botës së saj alternative.

Shpesh thuhet se në këto momente “humasim veten” në një libër apo këngë. Humbasim ndjesinë e hapësirës dhe kohës. Por, në të vërtetë, është më e saktë të thuhet se arti e ka qetësuar atë zë të brendshëm të vetëdijshëm që zakonisht nuk pushon së foluri. Një vepër arti ka shërbyer si një portë drejt një shtrese më të thellë të mendjes. Ajo ka hapur atë mbretëri të fshehur, gjysmë të vetëdijshme brenda nesh, nga e cila burojnë emocionet, ku gjenden ndjenjat tona morale, ato reagime të menjëhershme, gati estetike, që na bëjnë të ndiejmë neveri përballë mizorisë dhe admirim përballë bujarisë.
Arti ndikon tek ne pikërisht në këtë mënyrë të thellë, në atë që vërtet ka rëndësi. Më gjeni një njeri që nuk pajtohet me mua për asgjë, por që ka një zemër të mirë , që ka aftësinë të ndiejë me të tjerët, të ndajë dhimbjet, dëshirat dhe ëndrrat e tyre , dhe unë dua të kaloj gjithë ditën me të. Më jep një njeri që bie dakord me mua në çdo pikë, por që ka një zemër të ftohtë dhe plot mllef, nuk dua të kem asnjë lidhje me të.

Artistët në përgjithësi nuk synojnë të përmirësojnë të tjerët; ata thjesht duan të krijojnë një shprehje të përsosur të përvojës së tyre. Por arti i tyre ka potencialin të humanizojë njeriun .
Si e bën këtë?
Së pari, bukuria na shtyn të tregojmë një vëmendjeje te shtuar . Ajo na trondit dhe na nxit të heqim dorë nga prirja egoiste për të imponuar vazhdimisht mendimet tona mbi gjërat. Na shtyn të ndalojmë, të marrim frymë dhe të jemi më të hapur, në mënyrë që të pranojmë atë që ajo ofron, shpesh me një lloj habie dhe nderimi fëminor. Na mëson të shohim botën në një mënyrë më të durueshme, të drejtë dhe të përulur.
Në “Sovraniteti i së Mirës”, shkrimtarja dhe filozofja Iris Murdoch shkruan se “virtyti është përpjekja për të shpuar vellon e vetëdijes egoiste dhe për t’iu bashkuar botës ashtu siç është në të vërtetë.”
Së dyti, veprat e artit e zgjerojnë repertorin tonë emocional. Kur lexon një poezi apo sheh një skulpturë, nuk ke mësuar një fakt të ri, por ke përjetuar diçka të re. Filozofi britanik Roger Scruton shkruante: “Dëgjuesi i simfonisë “Jupiter të Mozartit” përballet me portat e hapura të gëzimit dhe krijimtarisë njerëzore; lexuesi i Proustit udhëhiqet përmes botës së magjishme të fëmijërisë dhe arrin të kuptojë profecinë e çuditshme të dhimbjeve tona të mëvonshme, të fshehura në ato ditë gëzimi.”
Këto përvoja na pajisin me një lloj njohurie emocionale, si të ndiejmë dhe si të shprehim ndjenjat, si të simpatizojmë me dikë që është në zi, si të ndajmë kënaqësinë e një prindi që sheh fëmijën e tij të rritet.
Së treti, arti na mëson të shohim botën përmes syve të dikujt tjetër, shpesh një personi që sheh më thellë se ne. Sigurisht, “Guernica” e Pikasos është një vepër arti politike, e lidhur me një mizori të Luftës Civile Spanjolle, por ajo nuk përfaqëson, si një dokumentar, një skenë të saktë të asaj lufte. Ajo shkon më thellë për të na dhënë një përvojë të tmerrit të pastër, përvojën universale të vuajtjes dhe realitetin e etjes për gjak që çon në këtë vuajtje.
Sigurisht, “Invisible Man” është një roman politik mbi padrejtësinë racore, por siç shkroi më vonë Ralph Ellison, ai përpiqej të shkruante jo vetëm një roman proteste racore, por edhe një “studim dramatik mbi humanizmin krahasues, që mendoja se duhej të ishte çdo roman i vlefshëm”

E çoj veten në muze dhe vende të ngjashme me frikën se, në një epokë politike dhe teknologjike, arti është bërë më pak qendror në jetën publike, se nuk duket sikur debatojmë për romane dhe arritje artistike siç bënin njerëzit dikur, se bota artistike dhe letrare është bërë e ngurtë nga një mendim mbyllur, dhe kjo ka kontribuar në çnjerëzimin e kulturës.
Por ne ende mund të bëjmë kryengritjet tona të vogla, të heqim dorë nga varësia jonë politike herë pas here dhe të shijojmë lojën e lirë të mendjes, frymën e padogmatizuar dhe gjendjet e theksuara të adrenalisë dhe të vetëdijes që arti më i mirë ende na ofron. Më herët këtë vit vizitova ekspozitën e Edëard Hopperit në Ëhitney disa herë dhe pata mundësinë ta shihja Nju Jorkun përmes syve të tij. Dhomat e zbrazëta në rrugicat anësore dhe njerëzit e izoluar brenda tyre. Harroj shumicën e gjërave që lexoj, por ato imazhe më mbeten ende të gjalla në mendje.
*David Brook është studiues i historisë dhe kolumnist në New York Times
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.