Nga John Cassidy – Pas më shumë se gjysmë shekulli në krye të konglomeratit “Berkshire Hathaway”, Warren Buffett ka njoftuar se në fund të këtij viti do të tërhiqet nga posti i drejtuesit ekzekutiv. Njoftimi u dha fundjavën e kaluar në mbledhjen vjetore të aksionerëve në Omaha, Nebraska , një ngjarje e kthyer prej kohësh në një pelegrinazh ekonomik për investitorët e devotshëm të “orakullit të Omahës”.
Emocionet në sallë nuk munguan. Për shumë prej tyre, largimi i Buffett është më shumë se një rotacion menaxherial. Ai përfaqëson fundin e një epoke në të cilën kapitalizmi mund të kishte ende një fytyrë njerëzore. Të mendosh që një investim prej 100 dollarësh në vitin 1964 do të ishte sot afro 5.5 milionë dollarë, është të kuptosh peshën e një figure që ka formësuar jo vetëm tregun, por edhe diskursin publik mbi etikën e pasurisë.
Buffett, sot 94 vjeç, është dalluar për jetesën e tij të thjeshtë, për thirrjet ndaj taksimit më të drejtë të miliarderëve dhe për angazhimin e tij në filantropi. Ai ka premtuar se do të dhurojë pjesën më të madhe të pasurisë që aktualisht llogaritet në rreth 160 miliardë dollarë.
Kapitalizëm i vjetër dhe i ri
Largimi i Buffett ndodh në një moment kur figura të tjera me ndikim në sistemin ekonomik po përballen me akuza për abuzim dhe spekulim. Në të njëjtën kohë me fjalimin e tij të lamtumirës, media si “New York Times” publikuan hetime mbi përfshirjen e familjes Trump në skema të dyshimta me kriptomonedha. Pak ditë më pas, Bill Gates , mik i ngushtë i Buffett deklaroi se Elon Musk kishte shkatërruar agjencinë USAID dhe kishte penguar aksesin e fëmijëve të varfër në Afrikë në trajtime kundër HIV/AIDS.

Kontrasti mes këtyre figurave të sistemit, Buffett me investime afatgjata, Musk dhe Trump me projekte të pasigurta e të diskutueshme, ngre pyetje të thella për natyrën e kapitalizmit të sotëm.
Në këtë sfond ringjallet mendimi i ekonomistit të hershëm amerikan Thorstein Veblen, i cili në fund të shekullit XIX ndante kapitalistët në “klasën industriale” dhe “klasën monetare”. Të parët ishin sipërmarrës prodhues, të dytët, pasivë, por të pasur, që fitonin nga vetë zotërimi i kapitalit. Sipas Veblen, kjo e fundit ishte një klasë parazitare, që kishte si qëllim vetëm përvetësimin.
Në mënyrë paradoksale, Buffett, me gjithë reputacionin e tij etik, bën pjesë në këtë klasë të dytë, pasi pasuria e tij buron nga zotërimi dhe analiza financiare, jo nga prodhimi i drejtpërdrejtë. Elon Musk, nga ana tjetër, me fabrikat e tij të makinave dhe raketave, mund të cilësohej si industrial, por përfitimet nga bursat dhe subvencionet publike e bëjnë edhe atë një figurë të ndërmjetme.
Trumpcoin dhe skemat e reja
Ndërkohë, familja Trump ka hyrë fuqishëm në botën e kriptove. Përmes një kompanie të re, “World Liberty Financial”, ata kanë hedhur në treg monedhën digjitale $Trump, me luhatje të mëdha dhe pa garanci të qarta. Një faqe e lidhur me këtë monedhë ofronte “darkë private” me ish-presidentin për 220 investitorët më të mëdhenj të saj, ndërsa 25 më të suksesshmit përfitonin tour VIP në një nga resortet e Trump. Sipas një zyrtari të Federatës Konsumatore të Amerikës, këtu po flitet për një marrëveshje të tipit paguaj për qasje dhe afrimitet, krejt hapur.

Ky model i bazuar në markën personale, jo në produkt apo vlerë reale përforcon idenë e një kapitalizmi klientelist, ku lidhjet me pushtetin dhe manipulimi i perceptimit zëvendësojnë integritetin ekonomik.
Kapitalizmi me ndërgjegje
Në dallim, Buffett ka mbajtur gjithmonë një qasje të durueshme dhe të qëndrueshme. Ai është ndër të paktët miliarderë që i ka shpallur luftë pabarazisë. Në vitin 2010, në një artikull reflektiv, shkroi se pasuria e tij vinte nga përzierja e fatit, vendndodhjes dhe sistemit amerikan që shpërblen zbulimin e çmimeve të gabuara në treg me miliarda, ndërsa një mjek a mësues shpërblehen me mirënjohje.
Në të njëjtin frymë, ai ka përkrahur të ashtuquajturën “Buffett Rule” , parimin se askush që fiton mbi 1 milion dollarë në vit nuk duhet të paguajë përqindje më të ulët taksash sesa një punonjës i klasës së mesme. Megjithëse ende shumë miliarderë paguajnë pak ose aspak, kompania e tij, “Berkshire Hathaway”, ka paguar në vitin 2024 një shumë rekord prej 26.8 miliardë dollarësh në taksa federale rreth 5% e të gjitha taksave të korporatave në SHBA.
Në letrën drejtuar aksionarëve, Buffett shkroi:
“Shpenzojini me mençuri. Kujdesuni për ata që, pa fajin e tyre, kanë tërhequr fijet më të shkurtra të fatit. Ata meritojnë më të mirën.”
Epoka që po mbyllet
Largimi i Buffett shënon jo vetëm fundin e një drejtimi të suksesshëm ekonomik, por edhe zbehjen e një vizioni më të barazpeshuar të kapitalizmit ku pasuria nuk shihet si privilegj i trashëguar, por si përgjegjësi për të kontribuar në të mirën publike.
Ndërkohë që klasa e re e pasurimit të shpejtë nga Musk te Trump lëviz gjithnjë më shumë drejt spekulimit dhe përfitimit personal, figura si Buffett mbeten gjithnjë e më të rralla. Nëse dikur kapitalizmi amerikan përfaqësohej nga njerëz që vinin dorën në zemër kur flisnin për vendin dhe shoqërinë, sot ai përfaqësohet gjithnjë e më shpesh nga markat, algoritmet dhe monedhat e paqëndrueshme.
Burimi: The New Yorker
–John Cassidy është gazetar i rregullt në The New Yorker që prej vitit 1995. Ai shkruan një kolonë të përhershme mbi ekonominë dhe politikën, të quajtur “Faqja Financiare” (The Financial Page). Gjatë viteve, ai ka shkruar gjithashtu një sërë artikujsh të gjatë për revistën, duke trajtuar tema që variojnë nga ekonomia e John Maynard Keynes-it te Karl Marx-i, nga globalizimi te lëvizja për zhvillim të ngadaltë
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.