Histori

Fundi i ETA-s: Të shkruash historinë e terrorit

Lagun, një librari në San Sebastian, e hapur 50 vjet më parë në muajin mars, disa javë përpara se ETA, një grup terrorist bask, të kryente  vrasjen e parë, të një polici. Pronarët e Lagun-it  ishin socialistë dhe u gjobitën se mbyllën dyqanin e tyre gjatë një greve kundër gjeneralit Franko, diktatorit të Spanjës,  nga viti 1939  deri më 1975. Por ishte ETA ajo që ua bëri rrugëtimin thuajse të pamundur. Dyqani, në lagjen e vjetër të qytetit, vuajti vite të tëra të vandalizmit të frymëzuar politikisht,  duke kulmuar në djegien publike të mallit nga simpatizantët e ETA-s. Pasi bashkëshorti i një prej pronareve u plagos rëndë në sulmin terrorist, dyqani u shpërngul në një vend më të sigurt në qendër të qytetit. Armiqësia e ETA-s ishte për të njëjtën arsye si e Frankos, thotë Ignacio Latierro, pronari që ka mbetur gjallë. “Nuk ishim të përgatitur për të bërë çfarë donin ata.”

Libraria Lagun, San Sebastian, Spanjë

Gjatë dekadës së shkuar, z.Latierro ka parë zbehjen e ETA-s. Shpërbërja e grupit, e shënjua me një ceremoni më 4 maj,  përgjatë kufirit me Francën,  ku morën pjesë një larmi vëzhguesish të huaj.  Ishte një formalitet. Deklaruan  një armëpushim të pacaktuar më 2011-n dhe vitin e kaluar,  dorëzuan disa arka me armë. Shpërbërja e saj erdhi me një kërkesë faljeje për vrasjet e civilëve, por jo të policëve.

ETA lë shumë plagë në shoqërinë baske. Zhdukja e grupit të fundit terrorist të Europës Perëndimore hap një betejë të re për narrativë,  se çfarë ka ndodhur vërtet në një prej rajoneve më të pasura të Spanjës. E themeluar për të luftuar kundër regjimit të Frankos dhe për pavarësinë baske, ETA e humbi  raison d’être  kur Spanja u bë demokraci në fund të viteve ’70 dhe tri provincat e saj baske fituan një vetëqeverisje gjithëpërfshirëse. Por atëherë ETA përvetësoi një koktej toksik të Marksizëm-Leninizmit dhe ultra-nacionalizmit mistik. Afro 95 përqind e 850 vrasjeve të kryera prej saj,  ndodhën pas vdekjes së Frankos.

Murale që nderon operativë e ETA-s

Shumë nga viktimat ishin kancelarë vendas, njerëz të biznesit ose policë në qytete të vogla dhe lugina të ngushta në zonat e thella të San Sebastianit. Ishte një botë makthi dhe  mbytëse,  në të cilën viktimat zbuluan se persekutorët e tyre ishin fëmijët e fqinjëve.

Dy gjëra qëndronin pas mposhtjes së ETA-s: presioni nga policia spanjolle, baske dhe franceze; dhe kthesa globale, e për pasojë edhe lokale,  kundër terrorizmit. Dyshimet nisën edhe mes mbështetësve. Pasi Spanja kaloi një ligj, i cili i ndalonte partitë që mbështesnin terrorizmin, disa prej liderëve të grupit krijuan një parti të re;  Eh Bildu, e cila hoqi dorë nga dhuna.

Armëpushimi më 2011-ën

Kjo fitoi 21 përqind të votave në zgjedhjet rajonale më 2016 –ën, duke dalë të dytët pas së moderuarës Partia Kombëtare Baske, e cila e sheh terrorizmin e ETA-s si “një betejë e armatosur” e frymëzuar politikisht, mes baskëve dhe spanjollëve. “Konflikti ekziston ende, megjithëse në parametra të ndryshme,” thotë Koro Etxeberria, zëvendëskryetari i Hernani-t, një bastion i Bildu-së. “Ne kërkojmë të drejtën të vendosim (mbi pavarësinë)”. Shqetësimi i parë i Bildu-së janë 300 të burgosurit e ETA-s, 80 përqind e të cilëve janë shpërndarë nëpër institucione peniteciare nëpër Spanjës. Partia Kombëtare Baske, e cila drejton qeverinë Baske, mbështet lëvizjen e tyre në burgje lokale. Qeveria e Spanjës, nën presionin e grupeve të viktimave, është kundër, të paktën për tani.

Në vitet ’70 dhe ’80, afro 66 njerëz u vranë nga policia apo skuadrat e vdekjes, njëra e lidhur edhe me Ministrinë e Brendshme. Disa dyshojnë se janë torturuar. Një ish-ministër i brendshëm u burgos për këto abuzime. “Secili duhet të bëjë autokritikë”, thotë  Agus Hernan i  Foro Social, një grup që promovon dialogun, pajtimin dhe “kujtesën përfshirëse”. “Nuk mund të kemi idenë e fitimtarëve dhe humbësve.”

Kjo është anatemë për shumë të tjerë.  José Antonio Pérez, historian në Universitetin e Shtetit Bask, refuzon idenë se ka pasur dy anë. Ndryshe nga Irlanda e Veriut “nuk ka pasur kurrë një parti politike apo një grup shoqëror që ka mbështetur krimet e policisë” , ka thënë ai. “Pajtimi është një fjalë boshe,”, qorton  Consuelo Ordoñez, lideri i grupit të viktimave, vëllai i të cilit u vra nga ETA dhe, vetë u tërhoq në një mërgim të brendshëm. “Kemi luftuar paqësisht, nuk kemi bërë kurrë asgjë kundër tyre.”

Pjesa më e madhe e baskëve janë diku në mes, pretendon Andoni Ortuzar, sekretari i përgjithshëm i Partisë Kombëtare Baske: “Ata e shohin historinë e ETA-s si një dështim dhe diçka që nuk duhet të ndodhë kurrë, por gjithashtu mendojnë se këtu kanë ndodhur edhe shumë gjëra të tjera.” Për të tjerët, është shumë më e thjeshtë. Është një fitore për demokracinë dhe një mposhtje për terrorizmin. 

*The Economist


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë