Art dhe Kulture

“Fundi.Fillimi” – Një portret i Shqipërisë brenda dhe jashtë bunkerit komunist

Gjatë çeljes së ekspozitës me fotografi "Fundi.Fillimi"

Nëntëdhjetenëntë fotografi të Shqipërisë së dy kohëve. Është kjo ekspozita e fotografit francez  Michel Setboun, “Fundi. Fillimi. Shqipëria 1981-1991”, e cila u çel mbrëmë në hapësirat e COD.

Është hera e parë që Setboun  e sjell këtë cikël fotografish  në dimensione të mesme e të mëdha, imazhe emblematike që kanë në thelb kujtesën e dokumentimin, diakroninë përgjatë një dekade dramatike, të mbushur me ngjarje të një rëndësie të jashtëzakonshme për historinë e shqiptarëve. Një portret i Shqipërisë mes errësirës së izolimit dhe dritës jashtë bunkerit komunist.

Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve të kulturës, artit, medias, trupit diplomatik, organizatave ndërkombëtare, shoqërisë civile, përfaqësues të lartë të institucioneve publike dhe bashkësive fetare në vend.

Ceremonia e çeli  Drejtoresha e Përgjithshme e  Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, znj. Eridana Çano.   “Kjo ekspozitë është domethënëse për të gjithë shqiptarët që e jetuan atë kohë, sepse ishte e paimagjinueshme që dikush në Shqipëri të merrte guximin të dokumentonte kaq vërtetë realitetin shqiptar të asaj periudhe dhe akoma më mbresëlënëse, për brezat që nuk e kanë jetuar dhe tanimë e treguar me fjalë, mund të duket e largët apo më keq akoma absurde dhe e paqenë”.

Fotografi Michel Setboun, i cili solli për publikun shqiptar 99 fotografi nga Shqipëria e viteve '80 dhe pas rrëzimit të diktaturës. 

Michel Setboun, në fjalën e tij shprehu mirënjohjen për të gjithë bashkëpunëtorët që mundësuan realizimin e kësaj ekspozite.

“Për mua gjëja më e rëndësishme është që kjo ekspozitë ndodh këtu, pikërisht në vendin ku këto foto janë shkrepur. Është si një album familjeje ku secili gjen dikë a diçka familjare”. Më tej, kujtoi kohën kur për herë të parë kishte ardhur në Shqipëri në vitin 1981, dhe vështirësitë dhe këmbënguljen për t’u rikthyer. “Njerëzit harrojnë shumë shpejt - tha artisti - e shpresoj që kjo ekspozitë t’u shërbejë më së shumti të rinjve, si një dëshmi e historisë, si një ekspozitë e shpresës dhe e jetës që brezat e rinj të kuptojnë nga vijnë.

Kjo ekspozitë dhe rikthimi në Shqipëri i Michel Setboun, ka nxitur idenë e një projekti të ri mbi gjurmimin dhe pasqyrimin e transformimit të personazheve në fotot e kësaj ekspozite.

Brendia e kësaj ekspozite në retrospektivë ndalet në kontraste të fuqishme, tablo të gjalla që kanë në fokus të objektivit Shqipërinë e pas ’80-ës me demagogjinë, pankartat a parullat me gurë, paradat komuniste, bunkerët e kudogjendur, ngrehinat e kultit të shndërruara në salla teatri, kafene, shtëpi kulture të braktisura, varfërinë ekonomike, shtypjen politike e shoqërore gjatë periudhës së autarkisë, figurën e gruas shqiptare, fëmijë dhe nxënës të shkollave dhe jo vetëm.

Michel Setboun, konsiderohet si një ndër fotoreporterët më të rëndësishëm ndërkombëtarë për Shqipërinë dhe një nga dokumentuesit më këmbëngulës të historisë së Shqipërisë nga viti 1981 e në vazhdim, pasi mbetet thuajse i vetmi fotograf i huaj, i cili ka mbërthyer me aparatin e tij, si askush tjetër e në mënyrë të vazhdueshme, gjatë gati katër dekadave të fundit gjithë zhvillimin politik, shoqëror dhe kulturor të vendit skaj më skaj. Arkivi fotografik mbi Shqipërinë ka mijëra fotografi dhe është i një rëndësie të veçantë, si historike ashtu edhe artistike.Ekspozita, e cila  u kurua nga Genti Gjikola në bashkëpunim me Eleana Zhako. Ajo do të qëndrojë e hapur për publikun, deri më 2 shtator 2018.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë