Libra

Fundet groteske të filozofëve

Nga Gazeta “SI”– Në një botë ku filozofia na mëson të jetojmë me vetëdije, shpesh është vdekja e filozofëve ajo që na ndihmon të kuptojmë kufijtë e brishtë mes idesë dhe trupit, shpirtit dhe ironisë, jetës dhe groteskut, duke i kthyer momentet e fundit të tyre në skenë të denjë për një akt të fundit filozofik.

“Libri i Filozofëve të Vdekur”, botuar nga Simon Critchley, profesor në Shkollën e Re për Kërkime Sociale në Nju Jork, nuk është thjesht një koleksion anekdotash mbi vdekje të famshme; ai është një galeri portretesh ku çdo fund jete kthehet në një formë të fundit të doktrinës, në një testament të heshtur por tronditës, në një performancë ku mendimi arrin pikën e vet më ekstreme ,kufirin e jetës.

Critchley nuk e sheh vdekjen si një ndalesë, por si veprën e fundit të artit që një filozof i dhuron botës, duke mos u mjaftuar me përshkrimin e mënyrës si ata ndërruan jetë, por duke e kthyer këtë proces në një hetim për kuptimin e asaj që lanë pas, për atë çka vdekja e tyre i thotë jetës që kanë bërë dhe ideve që kanë mbrojtur. Aty ku ka tragjedi, shpesh ka edhe një dozë të madhe qesharake; aty ku diçka duket absurde, ndonjëherë ajo fsheh thelbin e vet më filozofik. Ndoshta e kundërta e jetës nuk është vdekja, por harresa.

Në këtë mozaik vdekjesh të jashtëzakonshme e të çuditshme, gjejmë figura si Diogjeni, që thuhet se vdiq duke mbajtur frymën, një akt që nëse është i vërtetë, është shembulli më i pastër i përqeshjes së fatit dhe vetëkontrollit të skajshëm.

Platonin, i cili thuhet se vdiq nga morrat.  Diderot që, ironikisht, u mbyt me një kajsi; dhe Nietzsche, që pas një akti tronditës,  puthjes së një kali në Torino  nisi një zbardhje të ngadaltë drejt harresës, me një tru të butë nga sëmundja, por me një metaforë të madhe për fundin e mendjes.

Nga haiku-t e vetë-tallëse të mjeshtrave Zen në shtrat vdekjeje deri tek fjalët e fundit të filozofëve bashkëkohorë, libri përmbledh rreth 190 funde jete, që përfshijnë çmenduri, aksidente, vetëvrasje, vrasje, absurditete dhe groteskë  një enciklopedi e fundit të mendimit që nuk është më e largët, por mishërim i tij i fundit.

Simon Critchley

Në këtë rrëfim, vdekja nuk është thjesht një subjekt meditimi filozofik, por një partner grotesk në rrugëtimin e reflektuar për vetveten. Me humor të zi dhe ndonjëherë me një shije të hidhur ironie, Critchley e portretizon vdekjen si një aleate të jetës, si një moment për t’u kuptuar më shumë se për t’u frikësuar. Nga Sokrati te Seneka e Montaigne, mendimtarë që e përshkruajnë vdekjen si një transformim dhe jo si përfundim, libri e vendos këtë mendësi në qendër: “Të mësosh të vdesësh është të mësosh të jetosh i lirë.”

Shembujt janë të shumtë dhe secili më paradoksal se tjetri.

Krisipi, themelues i stoicizmit, thuhet se vdiq duke qeshur me një gomar që hante fiqtë e tij dhe me një batutë që nuk i rezistoi dot vetë; vdekje e cila, në mënyrën më të çuditshme, mishëronte stoicizmin si pranim të absurdit pa tragjizëm.

 De La Mëtrie, materiali më ekstrem i Iluminizmit, që shihte njeriun si makinë, u përball me defektin e vet trupor pas një banketi të tejngopur dhe refuzoi ndihmën mjekësore në një akt që ngjan si shkatërrim i motorrit të vet filozofisë. Herakliti, filozofi i ndryshimit të përjetshëm, përfundoi i mbuluar me jashtëqitje lopësh si mjet mjekimi; një përzierje e absurdit dhe elementit tokësor që ironizon metafizikën që ai vetë përfaqësonte.

Diogjeni, me jetën e tij të ndërtuar si karikaturë e rendit shoqëror, nuk pranoi as vdekjen ta ketë konvencionale. Në një version, ai vdes duke mbajtur frymën; në një tjetër, nga një oktapod i papërpunuar. Mbetet i pandryshueshëm në mosrespektin ndaj dogmës, madje edhe në çastin e fundit. Ndërsa Michel Foucault, një nga figurat më sfiduese të shekullit XX, i cili ndërroi jetë nga AIDS por kurrë nuk e artikuloi publikisht këtë diagnozë, në ditët e fundit u kthye te Seneka. Heshtja e tij mbi këtë çështje është vetë një tezë filozofike mbi kontrollin, fshehjen dhe përballjen me fundin.

Platoni

Critchley nuk pretendon të japë një narrativë të përkryer teleologjike mbi historinë e filozofisë, por përpiqet të krijojë një mozaik pluralist ku përfshihen edhe figura më pak të njohura, mendimtarë islamikë, judaikë dhe një numër grash që zakonisht mungojnë në historitë kanonike të filozofisë. Edhe pse i paraqitur si një përmbledhje serioze, mungesa e bibliografisë së thelluar dhe përdorimi i burimeve si Wikipedia e vendosin librin në territorin e eseve pop-filozofike, më afër Alain de Botton sesa Badiou, një zgjedhje që disa do ta vlerësojnë dhe të tjerë do ta kritikojnë.

Toni i librit është herë herë i pabarabartë, duke kaluar nga përshkrime serioze mbi “Qenien dhe Kohën” e Heidegger-it te pasazhe komike fëminore mbi vdekjet më të çuditshme. Hyrja me titullin “Do të vdisni duke qeshur” është një premtim i ekzagjeruar që për fat nuk mbahet. Dhe sërish, ndoshta kjo është e gjitha pjesë e strategjisë: një përpjekje për të na treguar se filozofia mund të jetë edhe qesharake, edhe e thellë, edhe groteske, edhe prekëse, edhe ndriçuese.

Seneka

Në fund të fundit, siç thoshte Montaigne, filozofia është përgatitje për të vdekur. Por me filozofët e këtij libri, vdekja është bërë edhe përgatitje për të qeshur. Dhe për të menduar më thellë se kurrë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë