Menaxhim

Fund telefonatave për reklama dhe zgjedhje! Regjistër për qytetarët që s’janë të interesuar për promocione

Nga Gazeta ‘SI’ – Qeveria ka vendosur t’i japë fund telefonatave shqetësuese që marrin qytetarët nga kompanitë që kryejnë promocione apo dhe ato për qëllime elektorale.

Në një dokument të hedhur për konsultim nga ministria e Ekonomisë, parashikohet krijimi i një regjistri ku do të identifikohet çdo ofrues shërbimi i cili ushtron aktivitet promocional në veprimtarinë e punës së tij, dhe nga ana tjetër të gjithë personat, të cilët me pëlqimin e tyre, nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e komunikimeve tregtare të pa kërkuara në rastet kur njoftohen për oferta të ndryshme promocionale apo informacione të tjera.

Regjistri nuk do të jetë publik, por subjektet e interesuara do të paguajnë një tarifë për ta aksesuar atë që përcaktohet nga Komisioneri i të të Dhënave Personale, që do të jetë dhe administrator, dhe ministria e Financave.

Çdo subjektet tregtar që kryen telefonata apo çdo mënyrë tjetër komunikimi me qëllime tregtimi dhe reklamimi, është i detyruar të paguajë tarifën për regjistrimin fillestar në Regjistër, të aksesojë Regjistrin përpara se të realizojë komunikime dhe pas aksesit të heqë nga lista për kontaktim të gjithë numrat e personave të cilët janë regjistruar në Regjistrin e Komunikimeve Tregtare të pa Kërkuara.

Projektligji ndalon kontaktimin e personave për qëllime tregtare të pakërkuara. Lejohet kontakti i klientëve të tyre nëse ata kanë dhënë pëlqim.

Nga ana tjetër, qytetarët mund të regjistrohen falas nëse nuk duan të bëhen pjesë e telefonatave promocionale.

Sipas llojit të shkeljes, Komisioneri mund të vendosë masa administrative dhe sanksione për subjektet.

Miratimi i këtij projektligji sjell efekte financiare për buxhetin e shtetit. Krijimi, zhvillimi dhe suporti teknik për Regjistrin për vitin e parë të funksionimit përllogaritet në shumën 11mln lekë, ku përfshihet ngritja e bazës së të dhënave. Gjithashtu, kërkohet mirëmbajtja e Regjistrit për tre vitet në vijim e cila përllogaritet në shumën totale 4 mln lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë