Rend dhe Ligj

Fshihte dhe tjetërsonte provat, arrestohet eksperti i kriminalistikës në Korçë

Gazeta Si - Një tjetër oficer i lartë i Policisë së Shtetit është arrestuar në Korçë. Pas rastit të Kastriot Palushit në Tiranë, i cili merrte para për të lehtësuar pozitat nga kallëzimet e bëra, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar një masë sigurie “arrest me burg” për një ekspert kriminalistike të Institutit të Policisë Shkencore.

Bëhet fjalë për ekspertin e kriminalistikës Fatmir Balaj, i cili dyshohet se fshihte dhe tjetërsonte provat për çështje të ndryshme hetimore.

Fatmir Balaj, Specialist kriminalist në Sektorin e ekzaminimeve kompjuterike në Institutin e Policisë Shkencore, dyshohet se ka fshehur dhe tjetërsuar provat kompjuterike që do të shërbenin si provë të veprimtarisë së një subjekti privat, që po hetohet për “Mashtrim kompjuterik”, nëpërmjet platformës Forex.

Gjykata e Korçës urdhëroi arrestimin e Balajt, i cili tashmë akuzohet për veprat penale  “Shpërdorim detyre” dhe “Ekspertim i rremë”.

"Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë), pas hetimeve të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ka ekzekutuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, të vendosur nga Gjykata e Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, ndaj oficerit të policisë, K/Komisar F. B., 49 vjeç, me detyrë Specialist kriminalist në Sektorin e ekzaminimeve kompjuterike në Institutin e Policisë Shkencore, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ekspertim i rremë”, thuhet në njoftimin e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë