Futboll

FSHF del në krah të UEFA-s për çështjen e Superligës: Jemi për meritokracinë sportive

Gazeta Si – Për çështjen e Superligës, së cilës iu dha të drejtë një ditë më parë nga Trupa e Drejtësisë Europiane për organizimin e kompeticioneve alternative, ka reaguar edhe Federata Shqiptare e Futbollit.

Institucioni që drejton futbollin shqiptar ka dalë në krah të UEFA-s, sikurse pritej. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është anëtar i komitetit ekzektiv të UEFA-s dhe një nga zëvendëspresidentët e saj.

Në qëndrimin zyrtar të FSHF-së, shkruhet:
FSHF pasi është njohur me vendimin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë ndaj çështjes se “Superligës Europiane”, shpreh qëndrimin e saj të palëkundur se ky vendim në thelb nuk autorizon apo lejon formimin e një SuperLige Europiane, por përbën një orientim për UEFA-an dhe FIFA-n për instalimin e politikave dhe vendosjen e qartë të kritereve në administrimin e sistemit të autorizimit të kompeticioneve futbollistike, të cilat duhet të jenë në konformitet të plotë me parimet e ligjit të BE-së mbi konkurrencën.

Ajo çfarë vendimi i Gjykatës Europiane të Drejtësisë ka përcaktuar është në reflektim dhe në thelbin e përpjekjeve e këtyre dy viteve të fundit të UEFA-s dhe FIFA-s për të harmonizuar pikërisht sistemin e këtyre kritereve me ligjin e BE-së dhe besojmë se tashmë jemi në rrugën e duhur në përputhje me qasjen e këtij vendimi.

FSHF qëndron krah për krah UEFA-s, FIFA-s, ECA-s, FIFPro, Ligave Europiane, apo edhe qeverive e institucioneve qeveritare europiane dhe përpjekjeve të tyre të pandalshme për zhvillimin e futbollit në mënyrë progresive, bazuar në parimet e konkurrencës së hapur, gjithëpërfshirës, meritokracisë sportive dhe solidaritetit të vërtetë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë