Sport

FSHF bojkoton KOKSH – thellohet krisja mes palëve

Në një njoftim të pasdites së sotme, Federata Shqiptare e Futbollit njoftoi se nuk do të marrë pjesë në Asamblenë e 31-të të Përgjithshme të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), që do të zhvillohet më datë 23 prill 2025. Kjo nuk është hera e parë që FSHF dhe KOKSH përballen me njëra-tjetrën dhe zanafilla është zgjedhja e Fidel Yllit në krye të institucionit më të lartë sportiv në vend.

Sipas deklaratës së institucionit më të lartë futbollistik në vend, shkak për mospjesëmarrje është – “ refuzimi i hapur nga ana e Komitetit Ekzekutiv të KOKSH për të përfshirë në rendin e ditës një kërkesë zyrtare të FSHF-së, të paraqitur më 28 mars 2025, në përputhje me të drejtën që Statuti i KOKSH-it njeh çdo anëtari të tij. Kërkesa e FSHF kishte për qëllim shprehjen e qëndrimit të Asamblesë së Përgjithshme mbi zbatimin e vendimit përfundimtar të Gjykatës së Arbitrazhit për Sportin (CAS), i cili e ka shpallur të pavlefshëm vendimmarrjen e mëparshme të KOKSH, mekanizmat e saj zgjedhor dhe ka renditur shkelje të qarta të të drejtave të FSHF si anëtar”. 

Asamblea e KOKSH

FSHF akuzon KOKSH për injorim të hapur të të drejtave të anëtareve të tij, drejtim të autoritar dhe izolim që bie në kundërshtim me frymën dhe Kartën Olimpike. Mes të tjerave në deklaratë thuhet – “vendimmarrjet e KOKSH-it janë kundërshtuar nga FSHF vetëm me qëllimin e restaurimit të proceseve ligjore brenda kësaj organizate dhe kjo është konfirmuar në nivel ndërkombëtar. Kështu do të ndodhi edhe në të ardhmen, sepse kërkesat tona janë vetëm në interes të ligjshmërisë dhe demokratizimit të një organizate. Nuk mund të ketë kuptim pjesëmarrja në një asamble kur anëtarët nuk lejohen të shprehen dhe nuk u njihet mundësia për të diskutuar. FSHF do të vazhdojë betejën e saj ligjore dhe institucionale për të garantuar ligjshmërinë dhe për të rikthyer funksionimin normal dhe të rregullt të KOKSH”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë