Rend dhe Ligj

Fshehu provat e ngjarjes ku ishte përfshirë i vëllai, AMP pezullon policin në Tiranë

Gazeta Si – Përpjekja për të ndihmuar vëllain, duke mbuluar një ngjarje të datës 5 korrik, ku ky i fundit akuzohej për kanosje të një personi, i ka kushtuar një punonjësi policie me detyrë pranë Komisariatit Nr.4 në kryeqytet.

Gjykata e Elbasanit ka lënë në “detyrim paraqitje” policin, i cili tentoi të fshinte provat për vëllain e tij Edison Pemaj, gjithashtu polic, pasi u arrestua për fajde dhe kanosje.

Policit, me detyrë në Patrullën e Përgjithshme në Komisariatin nr.4 të Tiranës, i ndalohet gjithashtu edhe dalja jashtë vendit.

Ai akuzohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. AMP bën me dije se efektivi dhe një person tjetër kanë tentuar që të fshehin provat materiale me qëllim lehtësimin e pozitës së të arrestuarit. Në detyrim paraqitje dhe ndalim daljeje jashtë vendi është lënë edhe personi tjetër i akuzuar, shtetasi E. D.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan e cila ka caktuar masat e sigurimit personal me karakter ndalues “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj një punonjësi policie dhe një shtetasi të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’”, njofton AMP.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë