Gazeta Si - SPAK kërkon dënim me 1 vit e gjysmë burg për ish-kryebashkiakun e Lushnjës, Fatos Tushen, i cili akuzohet për “mosdeklarim, fshehje e deklarim të rreme të pasurisë” për një apartament në Vlorë, një borxh dhe dy automjete në vlerën në total prej gati 50 mijë euro.
Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi mund t'i zbritet me 1 vit, ndërkohë që nuk është kërkuar pezullim. Nëse i pranohet, Tushe rikthehet sërish në qeli.
Më konkretisht Tushe rezulton se ka kryer deklarim të rreme të pasurisë dhe interesave, si dhe ka kryer fshehje të pasurisë, interesave dhe shpenzimeve.
Në deklaratën vjetore të pasurisë nga viti 2017 deri në vitin 2021, ai nuk ka deklaruar shpenzime për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 82 metër katror në Lungomare, Vlorë.
Ish kryebashkiaku i Lushnjës, gjithashtu nuk ka deklaruar as punimet dhe mobilimin e apartamentit të cilat arrijnë në vlerën e 2.2 milionë lekëve.
Nga hetimet është provuar se Tushe është pronar “de facto” i apartamentit në qytetin e Vlorës dhe e ka fshehur si pasuri, e cila tashmë është sekuestruar nga Gjykata e Posaçme.
Fatos Tushe, sipas SPAK nuk ka deklaruar as një borxh të marrë një person në vitin 2020. Ish-kryebashkiaku, pas largimit nga detyra në vitin 2021, nuk ka deklaruar as blerjen e dy automjeteve në total me vlerë rreth 47 mijë euro.
Më herët, Fatos Tushe është dënuar me vendim të formës së prerë për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë në tendera me 2 vite e 4 muaj burg, dënim që e ka shlyer.
Ai u arrestua në verën e vitit 2021 në detyrë, pasi ishte përgjuar nga SPAK për disa muaj bashkë me disa vartës të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.