Drejtësia

Fshehën pagat dhe sigurimet e lojtarëve, Prokuroria dërgon në gjyq Refik Halilin dhe klubin e futbollit Tirana

Gazeta Si - Klubi i futbollit Tirana dhe presidenti Refik Halili kanë përfunduar në gjyq nën akuzën për fshehje të ardhurash.

Prokuroria e Tiranës njoftoi se ka dërguar për gjykim dosjen në ngarkim të Halilit dhe klubit Tirana, pasi gjatë hetimeve për një procedim penal të vitit 2017 rezultoi se klubi Tirana ka fshehur rreth 52 mln lekë të ardhura.

Sipas organit të akuzës, klubi i Tiranës ka fshehur të ardhurat përgjatë viteve 2014, 2015, 2016. ‘Futboll Klub Tirana’ ka pasur të federuar pranë Federatës Shqiptare të Futbollit 29 lojtarë për sezonin futbollistik 2014-2015 dhe 26 lojtarë për sezonin 2015-2016. Por, në këto dy vite asnjë nga lojtarët e federuar nga FSHF për "Klubi i Futbollit Tirana" nuk u deklaruan në listëpagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të subjektit.

Prokuroria thotë se subjekti “Klubi i Futbollit Tirana” sh.a dhe administratori Refik Halili kanë fshehur të ardhurat në vlerën totale prej 51.975.745 lekësh, duke bërë të mundur shmangien e Tatimit mbi Fitimin dhe Sigurimet shoqërore dhe Shëndetësore.

Nga hetimet rezultoi se Refik Halili, ka konsumuar veprën penale të “Fshehjes së të Ardhurave” duke mos kryer deklarimet dhe duke bërë deklarime të pavërteta apo informacione joreale në organet tatimore, vlerësimi i të cilave çon në përllogaritje të pasaktë të shumës së tatimit, taksës apo kontributit dhe për këtë arsye rezulton se ky subjekt të ketë fshehur tatimin e TVSH që ka arkëtuar nga dhe të tatim fitimit përkatës që duhet të deklaronte dhe mbi të cilin do të llogaritej tatimi mbi fitimin.

Ndërsa subjekti “Klubi i Futbollit Tirana” sh.a ka konsumuar gjatë aktivitetit të tij elementë të veprës penale ‘Fshehje e të Ardhurave’, ku vlera e fshehjes reale pa penalitete është 51.975.745 lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë