Njerez

‘Fshati i Festave’ në shesh, aty ku i gjen të gjitha ndjesitë

Në Sheshin “Skënderbej” si ngahera i gjen të gjitha. Edhe pakënaqësitë, edhe atmosferën festive edhe qejfin.

Fshati i Festave me shtëpizat e drurit që është ngritur në shesh vijon të jetë në axhendën e qytetarëve. Në këtë periudhë aty është zhvendosur një pjesë e konsumit që do kohë më parë ishte përqendruar në zona të tjera të Tiranës.

Sipas pronarëve të kafeneve, konsumi këtë vit është më i lartë se vitin e shkuar kur pandemia ishte në kulmin e saj por në ritme më të ulëta se viti 2019. Megjithatë ai ka nisur dhe çmimet e larta nuk duket të jenë fare pengesë. Gjithë çfarë shihet se ka rëndësi për qytetarët tani është rigjetja brenda vetes e atmosferës së festave të fundvitit të cilën pandemia në zvarritje e sipër po e vjedh rishtazi për të dytin vit.

“Ndonjëherë edhe mbrëmjeve por kryesisht gjatë fundjavës vij këtu me miqtë e mi. Është i vetmi vend në të gjithë Tiranën ku mund të ndjejmë pak atmosferë që kemi dy vite që nuk është se po e ndiejmë shumë. Nuk e di nëse ka ndikuar pandemia dhe e gjithë kjo situata që është krijuar vërdallë, por festat nuk kanë më të njëjtin kuptim si dikur.

Dritat, muzika dhe njerëzit këtu më bëjnë të ndihem shumë mirë. Ka gjallëri dhe ia vlen të vish dhe të ulesh për të pirë diçka në një nga lokalet”,-tha për Gazetasi.al Rexhina Shehu, një 20 vjeçare e cila po priste miqtë e saj t’i bashkoheshin.

Në kërkim të atmosferës si ajo janë edhe shumë të tjerë që i has në të gjithë perimetrin e sheshit. Edhe në netët me shi e të ftohta të dhjetorit zor se gjen ndonjë karrige bosh gjatë mbrëmjes.

“Unë e mbaroj punën në darkë dhe për të shkuar në shtëpi kaloj përmes sheshit. Mezi e pres këtë periudhë të vitit. Rruga për në shtëpi nuk më shijon kurrë sa tani.

E ndiej atmosferën sapo bëj të afrohem. Këngët e festave të fundvitit në sfond janë të preferuarat e mia. Me raste ulem edhe të konsumoj ndonjë gjë por në atë orar është piku i mbrëmjes edhe tavolinat janë plot të gjitha”, tha për Gazetasi.al Brikena Bana, një tjetër qytetare që gjithashtu ishte e etur për pak atmosferë festash fundviti.

Por përtej ngjyrave, pambukë sheqerëve të gëzuar dhe dritave vezulluese, panorama jo pak herë ravijëzohet e nderë për shumë biznese e qytetarë.

Kafenetë ende në përpjekje për të kompesuar humbjet

Çka të bën përshtypje nëse e sheh sheshin me vëmendje është se lojrat këtë vit janë shumë më të pakëta në numër se vitet e shkuara. Karriget kanë zënë pjesën më të madhe të territorit.

Nevoja për rikuperim nga ana e bizneseve është e theksuar.

“Pandemia ka qenë një goditje shumë e madhe për të gjithë baret. Shumë prej tyre ende po vuajnë dhe kanë nevojë të kompesojnë humbjet. Kufizimet në orare mbeten faktori kyç që penalizon fitimet tona.

Është e nevojshme për ne që gjatë kësaj periudhe të kemi sa më shumë klientë në mënyrë që të rikuperojmë humbjet e mëdha që kemi patur”,-tha për Gazetasi.al Andi, një menaxher në një nga kafenetë aty pranë.

Enri Jahaj, kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve shtoi për Gazetasi.al se pikërisht tashmë kur dukej se gjërat po merrnin një kthesë për mirë, u përkeqësuan më tej.

Enri Jahaj, kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve

Varianti i ri Omicron është pengesa e re në këtë mes. Ai thekson se e gjithë kjo situatë e rënduar ka ndryshuar vazhdimisht sjelljen e konsumatorit e nëse gjendja vijon në këto ritme, bizneset do vijojnë të vuajnë dhe shumë shpejt qytetarët mund edhe të heqin dorë nga frekuentimi i kafeneve.

Lidhur me lodrat, prindërit janë ato që duket se po e vuajnë më shumë mungesën e aktiviteteve aty pranë.

“Më parë kishte shumë mundësi dhe një varietet më të madh për fëmijët. Kishte hapësirë për patinazh,kishte vend ku të vegjëlit edhe mund të kërcenin, aktivitete më të larmishme.

Këtë vit janë përqendruar vetëm te gondolat dhe nuk është marrë shumë parasysh fakti që fëmijët janë të grupmoshave të ndryshme e duhej të ofroheshin më shumë mundësi duke i marrë në konsideratë të gjithë këto mosha”,-tha për Gazetasi.al Dorina, një mama e një djali 3 vjeçar të cilit po i blinte një pambuk sheqeri.

Konsumi i përqendruar në shesh

E ndërsa shumë kafene shpresojnë të rikuperojnë të ardhurat e tyre, për shumë kafene të tjera përgjatë Tiranës situata pesimiste sa vjen e thellohet më shumë.

Konsumi është përqendruar në qendër duke u vjedhur kafeneve më të rëndësishme të lagjeve një numër jo të vogël klientësh.

“Tani të gjithë rendin drejt sheshit dhe konsumi nëpër kafene që nuk janë në këtë zonë bie ndjeshëm. Është e vërtetë që është vetëm një muaj por është muaji kur vijnë emigrantët dhe lëvizjet janë më të larta. Ashtu si në pikun e sezonit turistik të verës, dhjetori është piku i dimrit ku supozohet që puna të jetë më e lartë.

Por me kafenetë dhe shtëpizat e vendosura atje, klientët vetëm janë rralluar këto javë”,-thotë për Gazetasi.al Eli Shehu, pronar i një kafeneje në zonën e Ish-Bllokut.

Të njëjtën gjë pohojnë thuajse njëzëri edhe të tjerë. Ata shprehen se janë koshiente që në të gjithë botën vendosen shtëpiza të tilla ku njerëzit mund të konsumojnë diçka por nuk ndodh si në Shqipëri.

Së pari atje nuk zihet e gjithë hapësira e shesheve me një numër aq të lartë karrigesh dhe së dyti njerëzit kanë më shumë tendencën që të konsumojnë për shpejt ose ta marrin me vete.

Ndryshe nga Tirana ku numri i ulëseve në shtëpizat e drurit gati sa nuk i afrohet numrit real të karrigeve në baret ekzistuese, bota të ofron një banak dhe dy-tre tavolina vërdallë për secilën kioskë.

Dhe po ndryshe nga Tirana ku udhëzimet antiCovid për shpinoret e karrigeve në distancë 1.5 metër larg nga njëra-tjetra nuk po merren parasysh, në botë distancat vijojnë të respektohen me rigorozitet sidomos me daljen e variantit të ri Omicron.

Pavarësisht atmosferës festive, polemikat për çmimet në qendër nuk kanë qenë pak të diskutuara këto javë.

Pronarët justifikohen dukë thënë se duhet të paguajnë qira që varion nga 10 deri në 17 milion lekë të vjetra ndërsa qytetarët e justifikojnë veten me faktin që festat janë një herë në vit.

“Të gjitha produktet në fakt janë dyfish më të shtrenjta këtu por për festa ia lejojmë vetes një kënaqësi të tillë. Nëse një kakao në një kafene të zakonshme kushton maksimumi 200 lekë, këtu kushton 400 lekë. Por mendoj që është e pranueshme sepse ka atmosferë,”-shprehet Alesia Hata, një tjetër qytetare për Gazetasi.al.

Por ndryshe nga Alesia, ka dhe prej atyre që nuk i justifikojnë çmimet e larta duke marrë parasysh efeket e gjata të pandemisë.

“Dihet se si është ekonomia e shqiptarëve dhe dihet se si ka ndikuar pandemia. Përse të mos kenë mundësi të gjithë të vijnë të ulen këtu dhe të konsumojnë me çmime më të lira?

Të festojnë dhe ata të shtresës së thjeshtë që paguhen me pagë minimale”, shprehet një nënë 65 vjeçare e cila po shoqëronte mbesën e saj.

Por megjithatë, çmimet e larta, pandemia e mërzitshme dhe problemet e ditës amplifikohen të gjitha aty në shesh nga bisedat e ndryshme plot gjallëri e të qeshurat që përplasen njëjtë si gotat e birrës…


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë