Lajme

Frikë se nuk ndihmonte dot qytetarët, vetëvritet ministri i Financave në Gjermani

Ministri i Financave i Landit të Hesenit në Gjermani dyshohet se është vetëvrarë për shkak të shqetësimeve që ishin ngritur mbi ndikimin e koronavirusit në ekonominë e rajonit. Mediat gjermane raportuan se trupi i pajetë i Thomas Schafer u gjet në fundjavë mbi shinat e trenit pranë Frankfurtit.

Policia dyshon paraprakisht se bëhet fjalë për një vetëvrasje të 54-vjeçarit, dyshime që përforcohen nga pretendimi i gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, që në një artikull të saj flet se autoritetet kanë gjetur një letër të shkruar nga vetë Schafer, që zbardh motivet e vetëvrasjes.

Përmbajtja e letrës nuk bëhet publike, por vetëvrasja është pista kryesore që po heton edhe policia gjermane.

“Nga shqyrtimi i rrethanave të përgjithshme, shqyrtimit të skenës së krimit dhe marrjes në pyetje të një numri të madh dëshmitarësh, dyshohet se bëhet fjalë për një vetëvrasje”, tha policia gjermane përmes një deklarate, por pa përjashtuar për momentin pistat e tjera të hetimit.

Kryeministri i Landit të Hesenit, Volker Bouffier tha se Schafer, që drejtonte financat e rajonit prej thuajse një dekade ishte shfaqur i shqetësuar kohët e fundit në lidhje me aftësinë ekonomike të Hesenit për t’u bërë ballë pasojave të pandemisë së koronavirusit.

“Shqetësimi i tij kryesor ishte nëse mund të menaxhonte situatën dhe të përmbushte pritshmëritë e larta të qytetarëve, sidomos sa i përket ndihmës financiare. Kjo ishte e pamundur dhe ai ndjehej i zhgënjyer. Na tronditi të gjithëve! Më tronditi!”, tha ai.

Schafer ishte pjesë e partisë së Kancelares Angela Merkel, CDU. Heseni ka një popullsi pak më shumë se 6 milionë banorë. Kryqendra administrative është qyteti Wiesbaden, ndërsa kryeqendra financiare dhe ekonomike është Frankfurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë