Sulmi i javës së kaluar ndaj sistemeve të Policisë së Shtetit përfshirë edhe platformën TIMS, shkaktoi kolaps jo vetëm në pikat kufitare, por edhe në Drejtoritë e qarqeve dhe në Komisariate duke nxjerrë jashtë funksionit edhe databazën e gjobave të Policisë Rrugore.
Pavarësisht se sistemi nuk punon që prej datës 10 shtator, Policia Rrugore ka vijuar me penalizimin e shkelësve të kodit rrugor, duke vendosur masa administrative.
Por nga ana tjetër qytetarët të cilët janë gjobitur nga efektivët e Rrugores gjatë kësaj kohe, kanë shprehur shqetësim për sa i përket rrezikut të kamatëvonesave të masave administrative.
Për zgjidhjen e situatës, Policia Rrugore i ka dërguar një letër Drejtorisë së Përgjithshme ku informon për situatën dhe kërkon mendim për mënyrën se si mund të veprojë.
Vështirësi tjetër për efektivët është edhe verifikimi online i makinave me targa të huaja që lëviznin në vendin tonë.
Sistemi i brendshëm i policisë po punon me problem që prej të premtes së kaluar.
Platforma TIMS vijon funksionimin në pikat kufitare por jo me shpejtësinë e plotë për shkak se ekspertët IT ende po punojnë për ngritjen dhe garantimin e sigurisë në platformë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




