Gazeta Si – Për shkak të frikës nga një hakmarrje e mundshme, Durim Bami kërkon të trasnferohet nga burgu “313” në atë të Fushë-Krujës.
Një ditë pas ekstradimit të tij nga Dubai, përmes avokatit të tij, Bami pretendon se në këtë burg, por edhe IEVP-të e tjera në vend, ndodhen të izoluar persona që në të kaluarën kanë siguruar kushte për eleminimin e tij fizik.
Po sipas avokatit, në takimin që ka pasur me Bamin në ambientet e burgut “Jordan Misja” (313), ka konstatuar se klienti i tij ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore, se po mbahet në kushte jo të mira dhe është në stres të vazhdueshëm për shkak të pranisë në këtë institucion të personave të të arrestuarve për akuzën e “vrasjes” dhe “grupit të strukturuar kriminal”.
Në këto kushte, avokati i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve transferim të menjëhershëm, në një institucion tjetër ku nuk ndodhet persona që paraqesin rrezik për jetën e tij dhe se aktualisht, më i përshtatshmi në këtë drejtim, prej tij pretendohet burgu i Fushë-Krujës.
Sipas kërkesës, burgu në Fushë Krujë është më i përshtatshëm që Bami të vuajë dënimin, për shkak se në atë insitucion të vuajtjes së dënimit, ai nuk ka konflikte me askënd.
Durim Bami u shpall në kërkim në maj 2024 gjatë një operacioni të gjerë për ekzekutimin e mbi 50 masave të sigurisë për anëtarë të 6 grupeve kriminale që vepronin në Durrës, Nikël dhe Tiranë.
SPAK thotë se komunikimet në aplikacionin Sky e ekspozuan Bamin në drejtimin e një grupi kriminal, i cili gjatë viteve 2020-2021 siguroi kushtet dhe thuri plane për ekzekutimin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka, Erigers Mihasit dhe Tori Xheçukës. Këto plane, sipas SPAK, ishin pasojë e përplasjeve mes grupeve kriminale.
Kjo pasi, për të njëjtën periudhë, Prokuroria e Posaçme ka çuar në gjyq disa persona, mes tyre ish-deputetin Ndoka, për dyshimet se u përpoqën të vrisnin Durim Bamin. Në një rast ai mbeti i plagosur.
Po ashtu, ndaj Bamit rëndon edhe akuza e kultivimit të kanabisit në zonat malore të Niklës, ku, po ashtu, prokurorët e posaçëm thonë se ai ka pasur rolin e drejtuesit të grupit kriminal.
Prej më shumë se 1 viti, autoritetet shqiptare kanë arritur të ekstradojnë nga Dubai 10 personazhe të botës së krimit, mes tyre të konsideruar nga SPAK si drejtues të grupeve kriminale në vend, duke thyer kështu mitin e Dubait si vendi i sigurt i tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje