Editorial

Frida Krifca, ministrja e shkarkuar nga Brukseli

Në shtator të vitit 2021, ditën kur shkeli në zyrën e ministres së Bujqësisë, Frida Krifca fshiu çdo statistikë mbi bujqësinë dhe sektorët që mbulon digasteri, një veprim i pazakontë e ndryshe nga paraardhësit e saj Bledi Çuci apo Milva Ikonomi.

Ajo vinte nga një detyrë e gjatë si drejtoreshë e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural e kontestuar qysh në fillim nga ish-LSI, pasi ishte “vendosur aty pa konkurs dhe në kundërshtim të ligjit”.

Krifca qëndroi 4 vjet në krye të projekteve për bujqësinë.

LEXO EDHE:
- A do të preken projektet e kontraktuara nga bllokimi i fondeve për bujqësinë? Cilat janë hallkat në rast të një vendimi final të BE
- BE i pezullon Shqipërisë fondet për bujqësinë, pas hetimeve për korrupsion në zbatimin e IPARD II
- Ministria e Bujqësisë mohon ndërprerjen e fondeve nga BE: Është pezulluar vetëm një faturë për shpenzimet e radhës

Ajo nuk kishte kontribute të mëhershme në administratë apo në strukturat e Partisë Socialiste.

Megjithatë, ajo u katapultua në krye të ministrisë, edhe pse zërat kunder saj gëlonin prej do kohësh në rrethet e ngushta të Tiranës.

Frida Krifca vinte në atë ministri si emri më i kontestuar nga opozita, e cila e akuzonte për shkelje procedurash dhe korrupsion me fondet që BE-ja i kishte akorduar bujqësisë shqiptare përmes AZHBR-së.

Sot pas dy vitesh drejtimi pa rezultat konkret në atë ministri, delegacioni i BE-së lëshoi një deklaratë zyrtare bombë, ku njoftonte se fondet e dhëna nga Brukseli për bujqësinë në Shqipëri janë bërë objekt hetimesh nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit.

Delegacioni europian njoftoi se ka vendosur ndërprerjen e përkohshme të fondeve për zbatimin e programit IPARD II, “për të mos lejuar abuzimin e mëtejshëm”.

Hetimi ka nisur që në vitin 2021, nga zyra Kundër Mashtrimit në BE (OLAF).

Po atë kohë u përfol se në godinën e Ministrisë së Bujqësisë dhe AZHBR-së pati një operacion nga OLAF ku u sekuestruan disa kompjutera, dokumente dhe prova të tjera në funksion të hetimit për shpërndarjen e granteve të bujqësisë.

Hetimi i deritashëm (edhe pse pa emër) i drejtohet (si titullare) Frida Krifcës duke qenë se kontrolli shtrihet në kohën kur ajo ishte drejtoreshë e AZHBR dhe më pas Ministre e Bujqësisë.

Dyshohet se janë shpërdoruar miliona euro nga AZHBR përmes mos respektimit të procedurave ligjore në shpërndarjen e granteve për fermerët, duke bërë që një pjesë e madhe e tyre të vidhen.

Ndërkohë, nuk janë të pakta rastet e protestave nga vetë fermerët se nuk janë mbështetur me para (kur fondet gëlonin), apo se nuk gjenin treg për prodhimet e tyre.

Për të mos folur pastaj për dyshime se janë hapur hetime konkrete për tendera fiktive, falsifikime dokumentesh sikur paratë janë dhënë për sera, stalla, ferma lopësh e bagëti të imëta, punishte qumështi, pemëtore, ullishte apo bujtina malore që në fakt nuk ekzistojnë.

Kundrejt kësaj panorame, bujqësia vijon të mbetet ndër sektorët më të keqfinancuar dhe të vështirë.

Bllokimi i fondeve te BE është një lajm i keq fillimisht për fermerët, përpunuesit për plane investimi dhe vetë Shqipërinë

Programi IPARD - përmes të cilit lëvrohen fondet e BE-së - është një shpërblim për ecurinë e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit të saj në BE, një proces ky me kushte, teka, standarde të dyfishta, mungesë besimi; aq sa Edi Rama vetëm pak ditë më parë u rrek të rropatej dyerve të rajonit për të bindur Brukselin se ata, (bashkë me vendin që ai drejton), meritonin më shumë fonde nga BE-ja.

Delegacioni i BE-së në Tiranë dhe letra që ai ka dërguar ditën kur Rama mblodhi liderët e rajonit nuk flet me emra. Fenomeni është më i turpshëm se vetë përgjegjësia e një emri. 

Ai vijon të jetë pjesë e një hetimi për të cilën Zyra kundër Mashtrimit në BE do të dalë më vonë me një raport. E deri sa raporti të publikohet bashkë me masat (që mund të çojë në andrralla të reja mes Shqipërisë dhe BE-së deri në dyer gjyqesh) përgjegjësi morale (në mos më shumë më vonë) ka një emër që ka drejtuar AZHBR-në (kur u shtrinë hetimet) e më pas Ministrinë e Bujqësisë.

Në mos dorëheqje, qoftë edhe e imponuar, kryeministri Edi Rama do të duhet të lëshojë një tjetër firmë shkarkimi, për t’i kursyer kësaj here vetes një deklaratë të gjatë e të stërmundimshme para shqiptarëve se ai vijon "me kokën lart e (vetëm) përpara".

Në të kundërt pastaj duhet të kthehemi tek shprehja e freskët e ish-bashkëpunëtorit të tij në arrati (Arben Ahmetajt) se ai duhet të pranojë dështimin. Në këtë rast të zgjedhjeve që ka bërë.

Frida Krifca është firmë e Edi Ramës në krye të Ministrisë së Bujqësisë, pavarësisht se opozita rendte publikisht me denoncimet ndaj saj.

Ajo do të mbahet mend për ‘synimet’ qesharake nga ngritja e akademisë së barinjve e deri tek panelet diellore në stane.

Sa për punën e saj, sot flet tjetër kush, vetë BE-ja. Këtë të fundit, Frida Krifca nuk mund ta fshijë dot me një klik siç bëri me të kaluarën e Ministrisë së Bujqësisë ditën kur mori drejtimin e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë