Gazeta Si – Avokatët e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, kanë dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë, ku kërkojnë lirinë.
Beleri kërkon shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, që u la në fuqi nga Gjykata e Posaçme e Apelit pak ditë më parë.
Ende nuk është caktuar se kur do të shqyrtohet kërkesa. Ndërkohë në datën 16 qershor, Apeli i GJKKO pritet të shqyrtojë kërkesën për pavlefshmëri të përgjimeve.
LEXO EDHE:
Dosja ‘Beleri’, 50 euro për një votë. Si nisi hetimi për kryebashkiakun e arrestuar të Himarës
Beleri u arrestua më 12 maj, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pas dyshimeve për blerje votash. Ai akuzohet për “korrupsion pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim.
Në zgjedhjet e 14 majit, pavarësisht se ishte në burg, Beleri arriti të merrte numrin e nevojshëm të votave për të fituar garën në Bashkinë e Himarës në siglën e “Bshkë Fitojmë”, duke mundur socialistin Gjergji Goro.
Ndërkohë njeriu i afërt i Belerit, Pandeli Kokaveshi, i vënë në pranga si bashkëpunëtor në shit-blerje të votës u lirua nga Gjykata e Apelit për arsye shëndetësore.
Ai do të ketë detyrimin për t’u paraqitur periodikisht në prokurori. Beleri dhe Kokaveshi u arrestuan dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit, pas dhënies së 40 mijë lekëve për 8 vota një personi të infiltruar të Prokurorisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




