Drejtësia

I kishin mbetur edhe 6 javë burg, Fredi Beleri fiton lirinë me kusht: Do të luftoj për çështjen në Strasburg

Fredi Beleri ka fituar lirinë me kusht. Gjykata e Fierit e pranoi kërkesën e avokatit, pas tri seancash të dështuara, ku Beleri kërkonte lirimin me kusht.

Pas dy orësh qëndrimi në Gjykatën e Fierit, trupi gjykues ka vendosur për lirimin me kusht të Fredi Belerit, i cili ka edhe gjashtë javë deri në përfundimin e dënimit.

“E pranoi kërkesën gjykata, urdhëroi lirimin para kohe, i mbeteshin  edhe 6 javë, respekte për gjykatën, lirimi para kohe me kusht, dy muaj i kishin mbetur. Pronari që i ka çelësat e burgut dha leje pas zgjedhjeve që të dali”, tha avokati i Belerit, Geni Gjyzari.

Beleri u dërgua në burgun e sigurisë së lartë në Fier për përfundimin e procedurave të nevojshme dhe u lirua rreth orës 13.30.

Para mediave Beleri është shprehur se do të luftojë për çështjen e tij në Strasburg, dhe nëse fiton do të kandidojë sërish për kryebashkiak të Himarës.

“Në 14 maj unë isha fitues, dhe në 4 gusht zgjedhjet janë të paligjshme nga të gjitha aspektet, i pa ligjshëm është shkarkimi im, i paligjshëm dhe ai vendim i presidentit dhe kryeministrit që implikoi gjithë qeverinë dhe mafien për të gatuar një palë zgjedhje në një fshat.

Liria e çdo njeriu është e shenjtë dhe do e luftoj këtë liri në ambientet jashtë burgut.

Si eurodeputet i cili jam zgjedhur nga demokracia e re dhe nga qytetarët grekë dhe me mundësinë që kam do të ngre zërin”, tha ai.

Fredi Beleri u dënua me vendim të formës së prerë me 2 vite burg për korrupsion në zgjedhjet e 14 majit të shkuar. Ai u zgjodh pas arrestimit, Kryebashkiak i Himarës, por mandatin e humbi pas vendimit të Apelit.

E teksa vuante dënimin në burg, ai u zgjodh eurodeputet i Greqisë nga partia e kryeministrit Mitsotakis.

Beleri u betua në Korrik si eurodeputet, pasi iu dha lejë nga Drejtoria e Burgjeve.

Ndërkaq në Himarë u mbajtën zgjedhjet e reja në 4 gusht dhe ato i fitoi kandidati i PS Vangjel Tavo, i cili nuk ka nisur ende detyrën, pasi opozita po ndjek shkallët që konteston zgjedhjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë