Politike

‘Fredi Beleri i lirë në shtator’… Përfaqësuesi i OMONIA-s tregon skenarët për zgjedhjet e reja në Himarë dhe mandatin e Belerit në PE

Nga Gazeta 'Si' - Në korrik, Parlamenti Europian do të mblidhet në seancën e parë plenare për të verifikuar mandatet e deputetëve dhe për çështje të tjera të organizimit të brendshëm, por mungesa e eurodeputetit të vetëm shqiptaro-grek Fredi Beleri, nuk do ta penalizojë atë.

Përfaqësuesi i organizatës së minoritetit grek, OMONIA, Marin Suli, tha në një intervistë për Gazetasi.al, se ndryshe nga ligji shqiptar, ushtrimi i mandatit nuk lidhet me momentin e verifikimit.

“Zoti Beleri ka kohë deri në fund të shtatorit të bëjë betimin dhe të marrë mandatin e eurodeputetit. Verifikimi i mandateve nuk lidhet me bërjen e betimit. Mandatet verifikohen nga lista shumëemërore e Greqisë, e cila çon emrat e deputetëve të zgjedhur në Parlamentin Europian”, shpjegoi zoti Suli, me profesion jurist. Ai përmend shtatorin, pasi, sipas ligjit shqiptar, në 12 shtator është dita kur Fredi Beleri del nga burgu. Ky afat është sipas skenarit më të keq për Belerin, që Gjykata e Apelit ta lërë në fuqi vendimin për shpalljen e tij fajtor.

Në këtë rast, as gjendja penale i dënuar nga një gjykatë shqiptare nuk përbën pengesë që Fredi Beleri të zgjidhet dhe të ushtrojë mandatin si përfaqësues i Greqisë në Prlamentin Europian. “Ka vetëm një moment që ndalon kandidimin dhe ky moment përcaktohet me vendim gjykate të shtetit grek dhe jo të shtetit shqiptar”- u shpreh Marin Suli për Gazetasi.al duke analizuar edhe një tjetër skenar hipotetik, nëse Fredi Beleri shpallet fajtor nga Apeli. Dhe ky është skenari i zgjedhjeve të reja në Himarë, që në këtë rast do të zhvillohen pa Fredi Belerin, por me një kandidat tjetër të OMONIA-s.

“Besoj se jemi në kushte shumë të mira për ta rifituar Bashkinë e Himarës me një kandidat tjetër të OMONOIA-s. Ndërkohë, nëse vendimi i Apelit, do të jetë për fajësi, procesi i zotit Beleri do të vazhdojë deri në Strasburg për të marrë pafajësinë", tha përfaqësuesi i OMONIA-s për Gazetasi.al

"Besoj se jemi në kushte shumë të mira për ta rifituar Bashkinë e Himarës me një kandidat tjetër të OMONOIA-s", citoi Suli për Gazeta Si

Gazeta Si: Çfarë ndodh nga ana proceduriale pas zgjedhjes së zotit Beleri si eurodeputet? Si e merr mandatin?

Marin Suli, OMONOIA: Në praktikat e sesioneve të kaluara të Parlamentit Europian ka funksionuar mbledhja e parë e Parlamentit mes datave 16 dhe 19 Korrik, gjatë të cilit kryhet konstituimi i Parlamentit Europian. Gjithashtu, ndahen grupet parlamentare dhe përcaktohet pjesëmarrja në komisionet parlamentare. Më pas, në shtator, zgjidhet Presidenti/Presidentja e Parlamentit Europian. Zoti Beleri ka kohë deri në fund të shtatorit të bëjë betimin dhe të marrë mandatin e eurodeputetit. Verifikimi i mandateve nuk lidhet me bërjen e betimit. Nuk është e njëjta procedurë si në Shqipëri. Mandatet verifikohen nga lista shumëemërore e Greqisë, e cila çon emrat e deputetëve të zgjedhur në Parlamentin Europian.

Gazeta Si: Sjell problem për ushtrimin e mandatit të zotit Beleri vuajtja e dënimit në një vend jashtë BE?

Marin Suli, OMONOIA: Jo, sepse ligji zgjedhor me të cilin është zgjedhur zoti Beleri është ligji zgjedhor grek. Ky ligj ka vetëm një moment që të ndalon kandidimin, atëherë kur të ndalohet me vendim gjykate të shtetit grek dhe jo të shtetit shqiptar, siç është rasti në fjalë.

Gazeta Si: Nëse Apeli e shpall fajtor, zotit Beleri i humbet e drejta për të kërkuar betimin për Bashkinë e Himarës dhe aty, si rregull, shpallen zgjedhjet. Quhet çështje e mbyllur pastaj për ju HImara në lidhje me zotin Beleri?

Marin Suli, OMONOIA: Ligji kërkon që të ketë zgjedhje nga e para. Në rastin që ju citoni, zoti Beleri do të jetë në pozitat e pamundësisë për të kandiduar, por ne do të kemi kandidatin tonë. Besoj se jemi në kushte shumë të mira për ta rifituar Bashkinë e Himarës me një kandidat tjetër të Omonias. Ndërkohë, pavarësisht vendimit të Apelit, nëse ai do të jetë për fajësi, procesi i zotit Beleri do të vazhdojë deri në Strasburg për të marrë pafajësinë.

Gazeta Si: A kishte nje votë nacionaliste për Fredi Belerin, siç u tha pas kandidimit të tij? Keni bërë një analizë për këtë?

Marin Suli, OMONOIA: Është e vërtetë se disa media dhe politikanë në Tiranë propaganduan se zoti Beleri do të merrte votat e ekstremit të djathtë, por realiteti i votave zhbëri këtë propagandë. Po të analizohen rezultatet zgjedhore që dolën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Greqi, ekstremi i djathtë ruajti 18.5%-shin e vet, pa rënë asnjë votë. Kjo do të thotë që Beleri nuk mori vota nga ekstremi i djathtë. Ka edhe një të dhënë tjetër shumë interesante. Në të gjitha votat e shtetasve grek që erdhën me zarf nga jashtë, Fredi Beleri ishte deputeti i parë nga të gjitha partitë. Pra, në mbi 80 mijë vota nga jashtë, ai ka dalë i pari. Vlen për t’u theksuar se në zonat ku ka minoritet grek në Shqipëri, në Dropull apo në Himarë është votuar 93% për Nea Demokracia, (partia e kryeministrit Micotaqis), 3% për SYRIZA-n dhe 4% për PASOK-un. Në Dropull, që është vendi i Vangjel Tavos, i cili, politikisht, qendron pranë PASOK-ut, ka fituar Nea Demokracia.

Gazeta Si: Çfarë pjese do të zërë Shqipëria në axhendën e eurdeputetit Beleri, kur ai përfaqëson Greqinë tani?

Marin Suli, OMONOIA: Pa diskutim që Shqipëria do të jetë pjesë e axhendës politike të eurodeputetit Fredi Beleri. Që në fillim, ai ka bërë të qartë se do të jëtë një zë shumë i fortë opozitar kundra padrejtësive, cënimit dhe rënies së shtetit ligjor nga qeveria e zotit Rama. Do të jetë një mbrojtës shumë i madh për integrimin europian të Shqipërisë. Zoti Beleri, si shumica e shqiptarëve, nuk e barazon Edi Ramën me Shqipërinë. Përkundrazi, është ky kryeministër që shkel ligjin, shkel të drejtat e njeriut dhe vjedh shqiptarët nga mëngjesi në darkë. Si një nga 27 vendet e BE, Greqia nuk mund të jetë josensitive para barazisë së ligjit, çështjeve të të drejtave të njeriut, shtetit ligjor dhe demokracisë në vend. Mbi këto baza është hedhur themeli i Bashkimit Europian. Kjo nuk do të thotë se po bëhet një reagim për inat, por po bëhet një reagim parimor, që qeveria e Shqipërisë, përmes presionit të ne qytetarëve, ta kthejë vendin në shinat e shtetit ligjor, ku ne të jemi të gjithë të barabartë para ligjit dhe jo të jenë ca të nënës e ca të njerkës. Kush është me Rilindjen të jetë qytetar i dorës së parë, ne që e mendojmë ndryshe të jemi qytetarë të dorës së dytë.

Gazeta Si: Kryeministri Micotaqis ka deklaruar se rruga europiane e Shqipërisë dhe e Maqedonisë së Veriut kalon nga Greqia. Kjo do të thotë se vota e Fredi Belerit nuk do të jetë në favor të Shqipërisë pa zgjidhur problemet me Greqinë?

Marin Suli, OMONOIA: Nuk është ky konteksti që foli zoti Micotaqis. Duke qenë se jemi tre vende fqinjë dhe Greqia është vend anëtar i BE-së, vlerat mbi të cilat do të anëtarësohen këto dy vende duhet të jenë vlera që respektojnë frymën komunitare, mbi të cilën është ngritur komuniteti europian. Kjo ka qenë deklarata e përkthyer e kryeministrit të Greqisë. Një nga 5 kapitujt që në po diskutojmë tani me BE është shteti ligjor, sundimi i ligjit, drejtësia.

Duhet të keni parasysh që një organ të rëndësishëm të drejtësisë, si GJKKO, Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e ka drejtuar deri tani, një gjyqtare me formular të rremë dekriminalizimi. Irena Gjoka është dënuar dy herë për përdorim dokumentash të fallsifikuar dhe me ndalim në Shengen. Dhe sa për dijeninë tuaj, Irena Gjoka sot gjykon të gjithë opozitën. Kush është kundër Edi Ramës e gjykon Irena Gjoka. Edhe Fredi Belerin, Irena Gjoka e ka dënuar. Deri një muaj më parë, ajo ishte kryetare e komanduar e Gjykatës së Shkallës së Parë, ku çështjet nuk ndahen me short. Kjo është arsyeja pse Irena Gjoka i ka marrë vetë të gjitha dosjet e opozitës nga Sali Berisha, tek Fatmir Mediu dhe Fredi Beleri.

Në një shtet ligjor, ku sundon ligji dhe jo interesi i pushtetit, Irena Gjoka duhej ndaluar të gjykonte, sepse po jep përditë vendime, të cilat janë të gjitha të cënueshme. Ka vendim të Gjykatës së Strasburgut, që thotë se edhe ngritja e kallëzimit penal quhet e pavlefshme, kur gjyqtari që të gjykon ka probleme ne ligjin. Vendimet e zonjës Gjoka, që ne do t’i çojmë në Strasburg, do të rrëzohen të gjitha, qoftë edhe për këtë fakt.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë