Frano Prendi është përfaqësues i brezit të parë të arkeologëve të pasluftës së dytë botërore, krahas Hasan Cekës, Selim Islamit e Skënder Anamalit. Me rastin e 10-vjetorit të ndarjes nga jeta të arkeologut të njohur, Akademia e Shkencave në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë (ASA) organizuan veprimtarinë përkujtimore “Frano Prendi – themelues i arkeologjisë së periudhës së prehistorisë”.
Profesor Neritan Ceka vlerësoi kontributin e arkeologut Frano Prendi.
Sipas tij, ashtu siç ishte po aq serioz si arkeolog edhe botimet e tij ishin të përsosura.
“Është shumë e vështirë të lëvizësh një nga tullat e murit të madh, që ka ndërtuar ai”, është shprehur profesor Ceka.
Ai shtoi se arkeologu Frano Prendi ashtu si dhe emra të tjerë të njohur në fushën e arkeologjisë shqiptare janë në nivelin ndërkombëtar.
“Duke kujtuar Frano Prendin kujtojmë faktin se arkeologjia shqiptare është nga shkencat ose disiplinat që ruajnë nivelin ndërkombëtar. Mendoj që Frano Prendi ashtu si Selim Islami, Hasan Ceka dhe Skënder Anamalit janë po aq arkeologë shqiptarë sa dhe ndërkombëtarë”, tha prof. Ceka.
Në këtë veprimtari folën dhe arkeologu Adem Bunguri dhe drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë, Belisa Muka.
Bunguri tha se Prendi është personalitet themelor i arkeologjisë shqiptare, që së bashku me kolegët e tij punoi me ekspedita në terren në mungesën e infrastrukturave dhe kushteve normale të jetesës.
Frano Prendi lindi më 27.8.1928 në qytetin e Shkodrës në një familje me tradita patriotike. Frano Prendi vlerësohet nga akademikët e studiuesit për arritjet në fushën e arkeologjisë dhe për veprimtari të frytshme, për kontribute të mëdha në krijimin dhe zhvillimin e arkeologjisë shqiptare dhe formimin e brezave të rinj të arkeologëve. Për 50 vjet ai nuk i rreshti ekspeditat e gërmimit.
Kërkimet e tij hodhën dritë në fushën e studimit të kulturave ilire dhe protoilire që ishin ende shumë pak të studiuara. Bashkëpunëtor i vjetër shkencor dhe drejtues kërkimesh, si krijues dhe drejtues i sektorit të prehistorisë të Institutit të Arkeologjisë, Frano Prendi ka kryer gërmime në varrezat tumulare të Vajzës së Vlorës, të Vodhinës, të Bodrishtës, të Kakavijës së Dropullit të sipërm, të Mjedës dhe të Grizhës të zonës së Shkodrës, si dhe në tumat e luginës së Matit, etj.
Megjithëse ishte specializuar në fushën e arkeologjisë prehistorike, Frano Prendi e shtriu interesin e kërkimeve të tij shkencore edhe në fushën e kulturave të mëvonshme antike dhe mesjetare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



