Njerez

Franca Viola, vajza që i tha jo mafias siçiliane dhe ndryshoi ligjin për martesën me përdhunuesin

Nga Gazeta Si- Franca Viola, sot 77 vjeçe, u bë e njohur në Siçilinë e viteve ’60 sepse tha “JO”!

Viola u rrit në Alcamo të Siçilisë, në një familje fermerësh. Ajo doli me Filippo Melodia-n, një banor vendas i lidhur me mafian në të 20-at, për gjashtë muaj në vitin 1963, përpara se ta refuzonte. Ai e kaloi vitin tjetër në Gjermani dhe, kur u kthye dhe Viola ende nuk e donte, ai iu drejtua masave të dhunshme, me supozimin se ligji ishte në krah të tij.

Viola ishte vetëm 17 vjeç më 26 dhjetor të vitit 1965, kur Filippo Melodia, pas një serie të gjatë kërcënimesh dhe frikësimesh, sulmoi shtëpinë e saj në Alcamo së bashku me 13 të rinj të armatosur. Ata shkatërruan apartamentin, rrahën barbarisht nënën e saj dhe rrëmbyen Francën bashkë me vëllain e saj të vogël Mariano, i cili i ishte kapur fort motrës dhe nuk po e linte të shkonte.

Vëllain e liruan pas disa orësh. Por jo Francën. Ajo do të kalonte pesë ditët në vijim e izoluar në një kasolle fshati dhe më pas në shtëpinë e motrës së Melodias. Ajo kaloi një jave e lidhur në shtrat, pa ushqim, në një gjendje gjysmë të fikëti, e fyer dhe e poshtëruar, ku dhe përdhunua nga Melodia.

Kur më 2 janar ajo u shpëtua nga policia, Melodia ishte i bindur se të gjitha akuzat do të rrëzoheshin falë asaj që në atë kohë konsiderohej normë: “martesës riparuese”.

Tradicionalisht, një krim kaq i tmerrshëm do të justifikohej nëse çifti më vonë do të martohej në një “martesë riparuese”, burri falej për dhunën e tij dhe “nderi” i gruas rikthehej. Kjo nuk ishte vetëm një traditë joformale, por një përjashtim i qartë në kodin penal italian.

Por, në vend të kësaj, Viola e çoi Melodian në gjykatë për rrëmbim, dhunë seksuale dhe kërcënim.

Dhe këtu, një histori tragjikisht e zakonshme për qindra gra, merr një kthesë që do të ndryshojë jetën e Francës dhe të gjithë vendit. Franca refuzoi të martohet, zgjedh të deklarojë veten si “e turpëruar” përballë një opinioni publik hipokrit dhe të shokuar: kjo nuk kishte ndodhur kurrë më parë.

Fillip Melodia gjatë seancave të gjyqit.

Franca kishte kundër vetes gjithçka dhe të gjithë: shtetin italian, mafien, një shoqëri patriarkale dhe arkaike. Në krah kishte vetëm një njeri: babain e saj Bernardo, i cili që nga momenti i parë nuk e braktisi kurrë dhe u bë palë civile në procesin gjyqësor, edhe pse kjo mund t’i kushtonte vendin e punës.

Gjatë atij procesi historik, Franca Viola tha fjalët që edhe sot tingëllojnë të fuqishme, por që në Italinë dhe Sicilinë e viteve ‘60 ishin thuajse blasfemi, dhe për këtë arsye, jashtëzakonisht të fuqishme:

“UNË NUK JAM PRONË E ASKUJT,” tha ajo. “Askush nuk mund të më detyrojë të dua dikë që nuk e respektoj. Nderin e humb ai që bën gjëra të tilla, jo ai që i pëson. Nuk e dua dhe nuk dua të martohem me të.”

Gjyqi ishte një sensacion në Alcamo dhe më gjerë. Turmat u dyndën në debatet rreth gjyqit, të cilat më vonë u transmetuan edhe nga Neë York Times.

Pavarësisht se ishte figura qendrore e këtyre ngjarjeve, narrativa publike i la në hije mendimet dhe qëllimet e Violës për këtë çështje dhe gazetat flisnin për të vetëm si një grua e butë, e hollë dhe e bukur.

Pas muajsh baltosjesh, fyerjesh, kërcënimesh e frikësimesh të çdo lloji, Melodia dhe bashkëpunëtorët e tij u dënuan me 11 vite burg. Franca fitoi, u martua me një tjetër njeri, e mori jetën e saj në dorë sërish, por do të duheshin edhe 15 vjet të tjera, deri më 1981, që martesa riparuese dhe krimi i nderit të zhdukeshin nga kodi penal, edhe falë guximit dhe këmbënguljes së saj.

Edhe sot, më shumë se gjysmë shekulli më vonë, kur Franca ndesh në rrugë disa nga persekutuesit e saj, ata ulin kokën në praninë e asaj gruaje me dinjitet të pathyeshëm, të paaftë për t’i qëndruar ballë për ballë.

Në dhjetor të vitit 1968, në një ceremoni të mbajtur herët në mëngjes për të shmangur turmat e mbështetësve, 20-vjeçarja Franca Viola u martua me mikun e saj të fëmijërisë, 25-vjeçarin Giuseppe Ruisi.

Presidenti italian dërgoi 40 dollarë si dhuratë martese (mbi 250 dollarë sot) dhe Ministri i Transportit i vendit u dha të sapomartuarve një muaj udhëtim falas me tren.

Melodia u lirua nga burgu në vitin 1976 dhe u dëbua nga Siçilia për lidhjet e tij me mafian. Ai u qëllua për vdekje në Modena dy vjet më vonë.

Franca ende jeton në Alcamo me bashkëshortin, dy djemtë dhe nipërit e mbesat e saj.

Franca vendosi që liria e saj nuk mund t’i vidhej dhe me një guxim të jashtëzakonshëm bëri atë që askush nuk do ta priste… i tha JO… madje edhe mafies.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë