Art dhe Kulture

Franca i kthen Londrës tapicerinë e Bayeux pas 900 vitesh

Nga Gazeta “SI”– Tapiceria e famshme e Bayeux do të ekspozohet për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar pas më shumë se nëntë shekujsh, si pjesë e një marrëveshjeje të re kulturore mes qeverisë së Keir Starmer dhe asaj të Emmanuel Macron.

E qëndisur mbi një pëlhurë 70 metra të gjatë, kjo vepër ikonike rrëfen në 58 skena pushtimin norman të Anglisë në vitin 1066 dhe Betejën e Hastingëve , momenti kur William “Pushtuesi” rrëzon nga froni Harold Godwinsonin dhe bëhet mbret i parë norman i Anglisë. Tapiceria, që besohet të jetë punuar në Angli gjatë shekullit XI me porosi të peshkopit Odo të Bayeux, do të shfaqet në Muzeun Britanik nga shtatori 2026 deri në korrik 2027.

Në këmbim, Franca do të presë disa prej thesareve më të çmuara të trashëgimisë britanike, përfshirë objektet nga anija funerale anglo-saksone e Sutton Hoo (shek. VII), si dhe figurat legjendare të shahut “Lewis”. Ky shkëmbim do të shpallet zyrtarisht gjatë vizitës së presidentit Macron në Muzeun Britanik këtë të mërkurë.

Për muzeologët dhe historianët, kjo është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të dekadës. Drejtori i Muzeut Britanik, Nicholas Cullinan, e ka cilësuar tapicerinë si “një nga artefaktet më të veçanta në botë, që përfaqëson lidhjet e thella mes dy vendeve tona dhe vijon të frymëzojë brez pas brezi”.

Sipas Sylvette Lemagnen, kuratore e tapicerisë dhe autore e një libri mbi të, mbijetesa e kësaj vepre për më shumë se 900 vjet është një mrekulli më vete. “Gjatësia e jashtëzakonshme, freskia e ngjyrave dhe zgjuarsia e tregimit e bëjnë këtë vepër të papërsëritshme,” shkruan ajo.

Huazimi do të jetë kulmi i vitit kulturor franko-britanik 2027, i cili përkon me 1000-vjetorin e lindjes së William Pushtuesit dhe nisjen e Turneut të Francës nga Britania. Sekretarja britanike e Kulturës, Lisa Nandy, tha se ky shkëmbim simbolizon historinë e përbashkët me aleatët tanë francezë  një histori e ndërtuar me shekuj, që vazhdon të thellohet.

Nga ana e tij, presidenti Macron e ka cilësuar kthimin e përkohshëm të tapicerisë si një veprim të ngarkuar me simbolikë.

“Për herë të parë pas 900 vjetësh, ajo do të ndjekë gjurmët e luftëtarëve që përshkruan, për të mbërritur në tokat britanike,” tha Macron në një fjalim në Kalanë Windsor.

 Dhe me një nëntekst historik të fortë, ai shtoi: “E edhe pse skenat e fundit të saj nuk u krijuan kurrë, ky boshllëk e bën më të fuqishëm rolin e saj në murin e gjatë të historisë franko-britanike,  një histori që ende po shkruhet.”

Burimi: The Guardian


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë