Të veshur me jelekë ngjyrë portokalli, banorët e zonës së “Astirit” dolën sërish në protestë, në ditën e tyre të 30, duke bllokuar të dyja krahët e “Unazës së Re”.
Një muaj qëndresë për të kundërshtuar vendimin që parashikon prishjen e banesave të tyre, nuk dihet ende se si do të përfundojë kjo situatë. Edhe këtë mbrëmje ata bllokuan rrugën tek Unaza e Re, duke u shprehur kundër prishjes së banesave të tyre.
Ashtu si në Francë, ku protestuesit në Paris të veshur me jelekë të verdhë po kundërshtojnë rritjen e çmimit të karburantit, banorët e “Astirit” kanë qenë të veshur mbrëmjen e sotme me jelekë portokalli.
“Jemi me të drejtën e fëmijëve tanë. Të gjithë kemi të drejtat tona dhe të gjithë paguajmë taksat. Duam të drejtën tonë dhe të bëjë çfarë të dojë. Nuk jemi kundër projektit, por duam djersën tonë”, u shpreh një qytetar.
Në krah të tyre ishte dhe deputeti i opozitës, Klevis Balliu, i cili denoncoi faktin sipas tij se “qeveria i ka ndërprerë ujin banorëve. “Do përfundojnë në burgje të gjithë ata punonjës të policisë nëse ngacmojnë këta qytetarë. Të ndalojnë urgjentisht me kërcënimet e tyre, në të kundërt do të mbajnë përgjegjësi. Ka ardhur koha që dikush të mbajë përgjegjësi ligjore për dëmet që u janë shkaktuar këtyre banorëve”, – tha Balliu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




