Njerez

Franca dëbon shqiptarët, Gjermania u lehtëson vizat e punës

Në kohën që Franca është trembur aq fort nga azilantët shqiptarë, saqë me këtë arsye ka vendosur të bllokojë hapjen e negociatave, Gjermania do të shtojë kapacitetet dhe lehtësojë procedurat për viza pune në ambasadat e saj në Tiranë dhe Prishtinë.

Nga 1 janari i 2020-ës në Gjermani hyn në fuqi ligji i ri i fuqisë punëtore. Ligji i ri parashikon lehtësi thelbësore për emigrantët nga vendet jashtë Bashkimit Europian që duan të jetojnë dhe punojnë në Gjermani.

Ligji u mundëson shtetasve jashtë Bashkimit Europian që kërkojnë punë që të qëndrojnë jo 3 por, 6 muaj në Gjermani me shpenzimet e tyre. Nëse ata sigurojnë një kontratë pune, atëherë kontrata dorëzohet tek ambasadat gjermane në vendlindje së bashku me aplikimin për vizë pune.

Kjo lehtësi e këtij ligji pritet që në fillim të vitit të ardhshëm të shkaktojë fluks nëpër ambasadat gjermane në Tiranë dhe Prishtinë, të cilat që tani kanë një dyndje aplikuesish. DW kontaktoi me Ministrinë e Jashtme gjermane mbi masat që do të merren për ta përballur këtë fluks.

"Ministria e Jashtme, së bashku me aktorët e tjerë të përfshirë në procesin e vizës po përgatitet intensivisht para hyrjes në fuqi të ligjit për fuqinë e kualifikuar punëtore. Qëllimi i masave të ndryshme janë përmirësime të tjera në drejtim të eficiencës dhe mirësjelljes ndaj aplikuesve në procesin e vizës - kjo përmes zgjerimit të kapaciteteve, digjitalizimit të mëtejshëm dhe masave konkrete për zvogëlimin e procesit administrativ në procedurën e marrjes së vizës”, thuhet në përgjigjen që Ministria e Jashtme gjermane i ka kthyer pas Deutsche Welle-s.

Kjo do të thotë se ambasadat gjermane do të shtojnë sportelet dhe ndërmarrin masa të tjera për të lehtësuar procedurat e vizave. Për procedurat, DW thotë se po ankohen shumë shqiptarë në Kosovë dhe Shqipëri, të cilët deklarojnë se shpesh vonesat për marrjen e vizave u kanë shkaktuar humbjen e vendit të punës në Gjermani.

Këtë problematikë e kanë ngritur edhe shoqatat gjermane të biznesit, të cilat kërkojnë shkurtimin e kohës së nxjerrjes së vizave, pasi vonesat janë kosto për sipërmarrjen. Biznesi gjerman e vlerëson ligjin e ri, që sipas tij do të ulë kostot dhe zgjidhë problemin e mungesës së punonjësve të krahut dhe të punonjësve të kualifikuar në shumë sektorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë