Nga Gazeta “Si”- Në vitin 1981, Ministria e Kulturës i kërkoi mjeshtrit pukjan Fran Pali të ndërmerrte një sfidë të pazakontë: prodhimin e violinës së parë në Shqipëri. Për një vend ku instrumenti vinte vetëm nga jashtë, kjo ishte një ndërmarrje e guximshme. Megjithatë, për Fran Palin, që prej vitesh punonte lahuta e çifteli, veglat që mbajnë gjallë folklorin, sfida ishte një hap i ri në rrugën e tij si artizan dhe muzikant popullor.

Procesi nuk ishte aspak i lehtë. Për të realizuar violinën e parë u deshën shumë prova: nga përzgjedhja e drurit të panjes, tek mënyra e gdhendjes, tek testimet e tingullit dhe deri te përdorimi i llakut të pishës. Çdo element ishte i panjohur dhe duhej gjetur rruga e duhur. Për këtë, Pali udhëtoi deri në fshatin e thellë të Aprripës, ku pyjet ruanin trungjet e fortë të panjes. Druri u transportua në punishte me ndihmën e shoferes Raze Sula, ndërsa vetë puna e përditshme u bë bashkë me Viktor Shahinin.

Në këtë udhëtim, Fran Pali nuk ishte vetëm. Për të rritur cilësinë e instrumenteve, ai u konsultua me mjeshtrin e njohur të violinës, Ibrahim Madhi, një figurë e rëndësishme e muzikës shqiptare. Ky bashkëpunim i dha punimeve të Pukës një standard më të lartë dhe një siguri më të madhe në përdorimin e tyre nga nxënësit dhe mësuesit e muzikës.

Nga ajo punishte modeste dolën mbi 400 violina, të cilat u shpërndanë në shkollat e muzikës në të gjithë vendin. Edhe shkolla e mesme artistike e Durrësit u pajis me violinat e prodhuara në Pukë, duke bërë që dhjetëra nxënës të bënin hapat e parë muzikorë me instrumente të punuara nga duart e Fran Palit. Për shumë prej tyre, kjo mbeti një kujtesë e paharruar, pasi ishte hera e parë që një instrument i prodhuar në Shqipëri hynte në klasat e tyre.

Sot, më shumë se katër dekada pas asaj nisme, Fran Pali është mbi nëntëdhjetë vjeç. Edhe pse mosha e ka tërhequr nga puna e përditshme, emri i tij përmendet ende me respekt si i pari mjeshtër shqiptar i violinës. Violina e parë që ai realizoi, e vitit 1981, ruhet sot në Muzeun Etnografik të Pukës, si dëshmi e një kapitulli të rëndësishëm të kulturës sonë muzikore dhe të mjeshtërisë së tij.
Tradita vazhdon…
Tradita e përpunimit të drurit në Pukë, një zanat i trashëguar brez pas brezi, vijon të jetojë edhe sot. Mes atyre që e mbajnë gjallë është mjeshtri Viktor Shahini, i cili jo vetëm është një nga prodhuesit e parë të violinës së bashku me Fran Palin, por prodhon ende dhe sot vegla muzikore si violina, çifteli dhe sharki, por edhe gdhend ornamente të ndryshme. Ai ka hapur kurse për të rinjtë dhe një dyqan të vogël në qendër të qytetit, ku turistët mund të marrin me vete një kujtim nga kjo trashëgimi e Pukës.

Historia e Fran Palit është historia e një mjeshtri që i dha zë drurit, që bëri të mundur që tingujt e muzikës klasike dhe traditës popullore të bashkoheshin në një instrument të vetëm. Është gjithashtu dëshmi se si pasioni dhe këmbëngulja, të lidhura me traditën dhe ndihmën e bashkëpunëtorëve, mund të sjellin një arritje që mbetet e vlefshme për breza të tërë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



