Njerez

Fotografi që veshi të huajt "shqip”

Nga Edmond Prifti – Në kërkim të shqiptarëve të suksesshëm, të 120 femrave shqiptare më të suksesshme në botë, apo të huajt që “i veshi shqip… Janë këto, pak nga shumë, tematikat e fokusit 38-vjeçar, të aparatit fotografik të Roland Tashos, që “Gazeta Si”, e ka sjellë për këtë javë.
Vaçe Zela, Merita Halili, Inva Mula, David Tukiqi apo Ismail Kadare, janë disa nga mijëra shqiptarët me të suksesshëm që janë bërë pjesë e albumeve, apo ekspozitave të tij të shumta. Por edhe ndërkombëtarët që u veshën shqip nga Tasho, si Kukan apo Gianni de Biassi, Ricardo Cocciante apo Bruno Vespa, për të cilët ai thotë: “U motivova nga figura e shkrimtarit të famshëm anglez Lord Bajronit, i cili ishte fotografuar dy shekuj më parë shqiptarët, me veshjet kombëtare, ndërsa këto të fundit që i vesha, janë pjesë e koleksionit tim të vogël”.

Roland Tasho, një moment fotografie me aparatin e tij Nikon D 800

“Është një nga punët më të bukura që kam realizuar. Puna me këta njerëz më ka bërë të ndiej vlerën e profesionit tim, të fotografit,” shprehet Tasho.

Por edhe ajo e 46 shkrimtarëve shqiptarë që ai fotografoi (“Shkrimtarët në karrige”), e sot më se 12 prej tyre, nuk jetojnë më mes nesh, ndërsa Tasho rikujton se e “ëma u çudit kur ai ‘vodhi’ nga shtëpia një karrige, për ta përdorur më pas në gjithë këtë projekt fotografik”.
Por nuk kanë ngelur mënjanë edhe ata shqiptarë, nëse mund t’i konsiderojmë më pak të njohur nga media shqiptare, por tejet të njohur në Francë, Itali, Zvicër, Hungari apo Çeki.
“Me një kamera të ndershme, pa u përpjekur të idealizojë njerëzit e kombit të vet dhe pa i paraqitur në dritë të rreme rozë, Roland Tasho, ka dhënë në radhë të parë të vërtetën. Këta njerëz janë si gjithë të tjerët, me po atë pamje që kanë evropianët e tjerë, me po ato aftësi e me po ato mundësi”, – është shprehur për fotografin Tasho, shkrimtari, Ismail Kadare në artikullin e tij “Shqipëria tjetër, e një artisti shqiptar”.

Me brezin e vjetër të fotografëve

E për të gjitha këto, Tashos i duhet të rrëmojë shpesh herë nëpër arkivat mes togjeve të shumta të negativëve, endur kuturu sirtarëve, duke pasqyruar shpesh në ekspozitat e tij e një retro të shqiptarëve të mërguar pas viteve të tranzicionit kudo nëpër botë, apo edhe ekspozitën për ndryshimet e qendrës së Tiranës ndër vite.

“Kam vendosur që të paraqitem me këto fotografi, sepse nuk më ka pëlqyer asnjëherë ndryshimi i vazhdueshëm i qendrës së Tiranës,” shton ai.

Por pikë së pari, është krijimi i një ideje dhe me tej projektet e tij Tasho, ia paraqet ambasadave të huaja apo organizatave. “Po të shohësh”, thotë ai për “Gazetën Si”, “aty gjen, punët e mia, e të rinisë sime; jetën time”.

Kësisoj, fotografin Tasho, – i cili e filloi karrierën e tij në vitin 1982, – e takuam në zyrat e “EJ Album”, atje ku edhe po përgatiste albumin më të ri me pamje nga Përmeti, në bashkëpunim me “Vjosa Explorer”.

Nga elektriçist, rastësisht në fotograf në 1982

“E kam filluar punën e fotografisë kur isha ende çunak në vitin 1982, e krejt rastësisht”, – është shprehur fotografi Roland Tasho, në këtë intervistë për “Gazetën Si”. “Unë ndërkohë e kisha gjetur një punë, siç ishte asokohe. Kisha gjetur një punë si elektricist, nga një çun xhaje që kisha kryeinxhinier. Njëkohësisht punonjësja e Zyrës së Punës së lagjes tek Selvia, – ku jo shumë larg e kisha edhe shtëpinë, – më thotë që do të gjej një punë interesante që të shkon ty.
Të premten ishte edhe dita kur ne shkonim tek Zyra e Punës, por kishte kaluar një muaj e mbase edhe dy, ndërsa më thotë familja ime se çfarë u bë me punën! Kur një ditë të bukur më thërret dhe thotë që më kishte ardhur fleta e punës për fotograf” Asokohe, nuk e dija se çfarë ishte ky profesion,” thotë Tasho në këtë rrëfim për Gazetën “Si”. I habitur, sipas tij, ai kthehet në shtëpi dhe ua thotë këtë prindërve.

“Më rekomandojnë të pyes operatorin Beqir Derhemi, që ishte edhe burri i tezes sime, për të mësuar më shumë”. “E kështu fillova edhe punën si fotograf”, thotë Tasho, i cili ka që nga viti 1982 që ushtron profesionin e fotografit. Teksa e pyesim se, cili ishte aparati i parë që ka përdorur asokohe, Tasho rikujton ato vite e thotë se ishte “Praktica”, “ndër aparatet më të fortë të Gjermanisë Lindore, në ato vite”.

5 janar 1991 duke lexuar numrin e parë të gazetës Rilindja Demokratike

“Një vit të tërë, punova tek ‘Foto Çasti’ që ndodhej tek Pazari i Ri dhe asokohe qëlloi që do ndërroheshin pasaportat e shkrep, laj dhe stampo…e kështu me rradhë. Vetëm portrete. Një moment të caktuar u bë një kurs për fotografinë tek Kinostudio, një kurs që ishte tejet pozitiv, ku edhe mësuam aq shumë për fotografinë, i dhënë nga operatorët që kishin mbaruar në vendet e lindjes si Faruk Basha, Ilia Terpini apo Saim Kokona, pra kasta e fotografisë…dhe një çast të dytë, më vjen një miku im i quajtur Zamir Marikaj, i cili më thotë ‘Land, do vish të punosh tek Muzeu i Enver Hoxhës?’ – ku ishte edhe në fazën fillestare të ndërtimit. Unë nuk kisha ndonjë biografi dhe zor të më besohej, por siç dukej ishin vitet 1986-’87, ku dukej më qetë situata në vend. Punova rreth dy vite aty ku edhe pasi mbaroi muzeu, (që ishte edhe ajo një shkollë më vete e fotografisë, pasi edhe aty kishte gjëra të reja për të mësuar), kalova tek ‘Revista Ylli’, që ishte edhe një nga revistat më të ilustruara dhe më e mira e kohës, që kishte në fokus, fotografinë”.

“Aty kishte punuar më parë edhe një ndër fotografët më me zë, si Petrit Kumi, apo siç rrëfen Tasho “pra, kishte një trashëgimi ajo revistë, ku edhe formati ishte i madh e fotografia në plan të parë. Kjo më dha dorë, e plus më pëlqente pasi kisha në përdorim edhe një motor, ku në atë periudhë bridhja pothuajse në gjithë Shqipërinë. Punova aty 4-5 vite, deri sa u mbyll”, – është shprehur Tasho, për fillesat tij, në fushën e fotografisë. Më tej sipas Tashos, duke qenë ngjarjet e vitit 1991, duke pasur ngaherë aparatin me vete e si të rinjtë e viteve ’90, edhe Tasho e ndjehu erën e ndryshimeve të mëdha, “që nga qëndresat e studentëve në grevën e urisë si dhe gjithë ndodhitë social-politike të Tiranës së asokohe, të cilat shërbyen më tej edhe për një arkiv të pasur. Në 1992, hapa një ekspozitë në vend të cilën më pas e çova edhe në Itali…”.

Të jesh një “Freelance” (I lirë në profesion)

Ndër dhjetëra ekspozita, botime, albume, kopertina librash a fletëpalosje, ndër më të veçantat ngelet “Përtej kostumeve”, ekspozitë që u hap vite më parë e ende ngelet në memorie për impaktin që pati. Prezantimet fotografike i përkisnin artistëve të njohur, vendas e ndërkombëtarë. Kështu, mbi 20 personalitete evropiane të artit, televizionit, diplomacisë, albanologjisë, kulturës e sportit, “u veshën shqip”, me kostumet popullore shqiptare nga treva të ndryshme. Siç thotë edhe Tasho vetë, të gjitha këto ide lindën nga të qenit fotograf ‘freelance’, apo i lirë në profesion.

Sipas tij, “Freelance, do të thotë të krijosh!”. Vitin e shkuar më 2019, Tasho e mbylli me dy libra e ekspozita për shqiptarët e Hungarisë dhe Çekisë, si dhe atë të ri sjelljes së kujtesës, të katedrales së famshme të Parisit, – atë të Notre Dame de Paris, – ku siç thotë edhe Tasho, “hapa e shfletova arkivat e mia të hershme, e me një bashkëpunim me ambasadën franceze, hapëm një ekspozitë në Korçë”. Ndërsa e kemi pyetur se, ku i gjeni subjektet apo tematikat, Tasho është përgjigjur se ato janë krejt të gatshme. “Kur punon me arkivin në punën tonë, siç edhe ti e di. E tashmë unë bëj plot 38 vite!”. Por një pyetje që ai ngre është se si ka qenë Tirana në prag 100-vjetorit, ku nuk kemi as arkiva e as memorie. “Nuk po merrem me gjithë Tiranën, por së paku duke e filluar nga lumi Lana, (jo si fotografi të miat, por të Arkivit Shtetëror, ato të hershmet) e deri tek kioskat e Lanës, që ishte mbushur Tirana në vitet 2000, si fotografi të miat”, thotë Tasho që për këtë ai ka edhe një ekspozitë më vete, me këtë tematikë. Më tej, e kemi pyetur Tashon si ndoshta një nga albumet më interesante është edhe ai që “të huajt vishen shqip”, ndërsa Tasho rrëfehet për “Si” se, “kur je freelance (i lirë në profesion) dhe nuk të thotë shefi bëj këtë apo atë, duhet të krijosh… e në fillesat e mia kisha parë fotografët e agjencisë Reuters, në vitet ’90, ku ne i mbanim mend si emra, e më pas i shihnim tek AFP, apo agjencitë e tjera të mëdha, e në fund kalonin si freelance”.

Edi Rama, Sali Berisha dhe Ardian Klosi më 22 dhjetor 1990 nga Roland Tasho.

Tasho ka vijuar më tej duke thënë se gjithsesi Shqipëria nuk i ka kushtet e duhura për të qenit krijues (freelance). “Unë u shkëputa që nga 1991 nga puna dhe punova herë pas here ndonjë gazetë…deri kur u detyrova të krijoja projekte, për shqiptarët në emigracion apo të huajt me veshje popullore, – ku të gjitha këto projekte janë interesante, ashtu si edhe me shqiptarët në botë, ku bëra një xhiro se zor se e bën njeri, duke bredhur në gjithë Amerikën dhe Evropën…”.

Si ia vesha kostumet Vespës, Cocciantes dhe u ndjeva Barosso?

Shumë kanë dëgjuar për prezantuesin dhe gazetarin e famshëm Bruno Vespa, por edhe për këngëtarin që jemi rritur me këngët e tij, si “Margherita”, e Ricardo Cocciante-s. Kanë qenë figura të shquara si Kukan apo Lunacek, në aspektin politik e diplomacisë, por sipas Tashos, kryesorët në objektivin e tij kanë qenë Vespa apo Cocciante. Ky projekt, ka qenë mbase një ndër projektet më të bukura e ambicioze të tij, ku në fokus të fotografive ka qenë veshja e tyre me kostume popullore shqiptare nga zona të ndryshme të vendit. Tasho, e ka shpjeguar në detaje këtë gjë për Gazetën “Si”.

“Projekt interesant është edhe si i vesha të huajt me veshje shqiptare”, thotë ai. Më tej Tasho ka rrëfyer se si e veshi Bruno Vespën me veshjen shqiptare. “Mësova se Bruno Vespa kishte ardhur dhe do jepte një intervistë për gazetaren Beti Njuma, ku ajo më informon se do ishin tek tarraca e një lokali, por veçse 10 minua kohë do kisha në dispozicion. Shkoj shpejt dhe i tregoj një album Vespës (shkoj ngaherë i përgatitur) duke i dhënë idenë. Ai e pëlqeu menjëherë, duke thënë ‘qenka shumë interesante dhe do doja shumë të vishesha, por nuk do kem kohë mjaftueshëm’. ‘Unë i kam me vete të gjitha’ – ja ktheva”, – rrëfen fotograf Tasho. “’Qenkeni të pamëshirshëm ju fotografët’, ma ktheu Vespa, ndërsa e vesha për një moment me jelekun, qeleshen dhe plisin. I mbaj ende kontaktet me të”, – thotë Tasho ndërsa rrëfen edhe për mënyrën se si qeleshen, madje ia mori edhe me autograf.
E kështu, sipas Tashos krijohet gjithë kjo punë, ashtu si edhe të jesh pozitiv në këto lloj marrëdhëniesh. Po kështu, edhe për Ricardo Cocciante-n, që sipas Tashos ishte tejet i qetë, “e ndërsa i propozova ai buzëqeshi. Ishte bashkë me të shoqen në një nga dhomat e hotel ‘Sheraton’, ku edhe e fotografova. Më tha në fund, a mund të bëjmë një fotografi së bashku, e duke qenë se jam rritur me të dhe kur doli ‘Margherita’, e gjithë Evropa u çmend. E po kështu ishte edhe Lina Wertmuller, e vetmja femër e nominuar për Oskar në Kinematografi”. E rishtazi e pyesim se si ka arritur të gjejë këto veshje dhe sa të vështirë e ka pasur, Tasho thotë se, “edhe vetë jam një mbledhës i vogël i veshjeve të traditës shqiptare. Kjo është interesante, pasi kur u mora me hapjen e ekspozitës së ambasadorëve me kostume shqiptare, kjo ishte shumë e bukur, por njëherazi edhe impenjative, pasi brenda një muaji duhej ti fotografoja të gjithë”. Por bukuria e këtij projekti, sipas Tashos konsistonte në faktin se ata kishin informacion e ishin njerëzit më të sjellshëm ndaj profesionit tim.

“Për shembull, ambasadori austriak një shqipfolës, e në familjen e tij ai mbante kostumin tradicional të Shkodrës. Ata i dinë vlerat e vërteta të Shqipërisë, në kostumografi, në etnografi apo ikonografi, duke qenë shumë të ndjeshëm…Në fjalën e hapjes së këtij eventi i thashë se më dukej vetja si Barosso, – kryetari i Komisionit Evropian, – pasi i kisha gjithë ambasadorët nën ‘diktatin’ e fotos, e madje duke bërë edhe një ironi të vogël e duke thënë se, po të kisha shqiptarët e mi, do kisha komente pafund, jo po cullufja numër 27, jo po si më rri kjo kështu dhe ajo ashtu. Pra, të huajt, u treguan shumë bashkëpunues. Ata (të huajt) vlerësojnë punën! Pothuajse, 80 për qind e punëve të mia janë realizuar me të huajt, ku në Shqipëri edhe fotografinë e quajnë si hobi, e jo si profesion”. Ndërsa për projektin e shqiptarëve në botë, një projekt i cili vijon prej më se 20 vitesh në vende të ndryshme të botës dhe dy ekspozitat e fundit kanë qenë shqiptarët e Hungarisë dhe të Çekisë, Tasho thotë se, “pika kyçe e imja janë ambasadat apo lidhjet e mia me gazetarë shqiptarë, ashtu si në Greqi me Robert Goron, në Amerikë me gazetarët e ‘Zërit të Amerikës’, e kësisoj parapërgatitja është shpesh herë më e rëndësishme se sa edhe vetë fotografimi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë