Rend dhe Ligj

Fotogaleri – nga hynë dhe dolën grabitësit dhe viktima

Pak pas supergrabitjes së ndodhur pasdite në pistën e aeroportit të Rinasit, policia ka publikuar foton e njërit prej autorëve, i cili mbeti i vrarë pas shkëmbimit të zjarrit me policinë gjatë ndjekjes.

Fotoja është bërë nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që trupi i pajetë ka mbërritur në morgun e Tiranës dhe pritet t’i nënshtrohet autopsisë. Grabitësi ka marrë një plumb në kokë dhe është braktisur nga shokët e tij, të cilët më pas janë arratisur.

Ndërkohë gazeta “Si” publikon fotot e portës hyrëse dhe dalëse nga ku autorët kanë lëvizur, pasi kishin kryer grabitjen në brendësi të pistës së Rinasit.

Porta nga kanë hyrë grabitësit

Rreth orës 15:00, një makinë e transportit të vlerave monetare ka rënë pre e grabitjes brenda Aeroportit të Rinasit. Mësohet se autorët e grabitjes kanë qenë me një makinë pa targa dhe me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”. Pas grabitjes raportohet se ka pasur shkëmbim zjarri dhe dyshohet për një të vdekur dhe të plagosur. Firma private që transportonte lekët është kompania private e sigurisë “Nazeri”. Ndërkohë nuk dihet ende sasia e parave që janë grabitur, por shuma përflitet se është rreth 1,5 milionë euro.

Drejtimi nga kanë dalë autorët

Dyshohet se autorët të veshur kanë qenë me veshje të Policisë Tatimore gjatë kryerjes së grabitjes së përgjakshme.

Pranë vendit ku u grabit autoblinda me para, nga persona ende të paidentifikuar, një automjet dyshohet të jetë djegur. Dyshimet janë që makina t’u përkasë autorëve. Këto skenare janë të njëjtë si edhe më grabitjet e tjera, ku autorët i djegin makinat për të humbur gjurmët. Policia menjëherë ka ngritur postblloqe ta shumta pas ngjarjes.

Forcat të policisë dhe të RENEA-s janë hedhur në aksion dhe kanë nisur kontrollet, duke bllokuar rrugën Rinas-Valias

Në vendngjarje ndodhen edhe dy prokurorët e Prokurorisë Krimeve të Rënda të Tiranës, Ndini Tavani dhe Kreshnik Ajazi. Policia akoma nuk ka dhënë informacion paraprak në lidhje me ngarjen e rëndë.

Njoftimi i policisë: Pranë Aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, dyshohet se disa persona ende të paidentifikuar, me maska dhe armë pasi kanë thyer derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, kanë grabitur një sasi lekësh në pistën e avionit dhe janë larguar. Në ndjekje të tyre janë vënë forcat e FNSH dhe ato të Policisë Kufitare të Rinasit.

Gjatë ndjekjes në një rrugë dytësore, autorët kanë shkëmbyer zjarr me Policinë, e gjatë këtij shkëmbimi ka humbur jetën njëri prej autorëve të grabitjes. Policia ka gjetur ndërkohë dhe bllokuar një mjet fugon. Forca speciale policore si RENEA e FNSH, të ndihmuara nga një helikopter janë ende në ndjekje të autorëve të grabitjes. Të angazhuara në operacionin e gjerë janë edhe forca nga Policia e Tiranës, Lezhës, Dibrës e Durrësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë