Ngjarje

Foto / Vrasja në Durrës, fqinji masakron me thikë dhe çekiç 82-vjeçarin për borxhin 20 mijë lekë: Më duheshin paratë, më ofendoi drogaxhi!

Gazeta Si – Një borxh prej 200 mijë lekësh të vjetra dyshohet se kanë qenë shkaku i një krimi të rëndë në Durrës, ku Fation Janina, ka masakruar me thikë dhe çekiç fqinjin e tij 82-vjeçar, Paulin Gina.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të hënës dhe policia e ka gjetur të moshuarin të pajetë në banesën e tij. Viktima jetonte i vetëm dhe kanë qenë familjarët e tij të cilët kanë ngritur alarmin, duke denoncuar në polici, pasi 82-vjeçari nuk i përgjigjej thirrjeve telefonike.

Autori i krimit, 39 vjeç, u arrestua mëngjesin e kësaj të marte pas disa orësh në arrati, duke pranuar krimin e rëndë.

Rrëfimi i autorit

“Më kishte 200 mijë lekë borxh, e pashë dje që po dilte nga shtëpia nga kati i 5-të ku unë banoj, te sheshpushimi i shkallëve. I thashë hajde flasim për atë borxhin që më kishte se më duheshin lekët për Vitin e Ri. U futëm të shtëpia e tij. Debatuam aty dhe më tha nuk kam lekë”, ka thënë para hetuesve Fation Janina.

Më tej, ka pranuar se e ka qëlluar disa herë me thikë e çekiç pasi sipas tij 82 vjeçari Paulin Gina e ka ofenduar.

“Më ofendoi, më tha drogaxhi. Aty e humba qetësinë, u përleshëm afro1 orë. Ai donte të më godiste me çekiç, unë gjeta një thikë e qëllova disa herë. Pastaj e qëllova edhe disa herë me çekiç derisa ngeli i shtrirë në tokë. Më pas mora thikat dhe çekiçin dhe i dërgova në shtëpinë time. Kur dola mbylla edhe derën e jashtme të tij me çelës. Shkova në shtëpi fsheha thikat dhe çekiçin, ndërrova edhe rrobat e gjakosura dhe me pas ika edhe nga shtëpia për t’i shpëtuar policisë”, ka deklaruar ai në Polici.

“Policia zbardh ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në lagjen nr. 13. Vrau me thikë dhe me çekiç, për motive të dobëta, 82-vjeçarin, fshehu mjetet e krimit dhe mbylli me çelës nga jashtë derën e banesës së viktimës, njofton Policia.

Policia ka publikuar pamjet e sendeve të forta e po ashtu një veshje me njolla gjaku të 39 vjeçarit, ndërsa vijon puna për kapjen e autorit të vrasjes.

“Pas kontrolleve të shumta dhe ndërmjetësimit me vëllait e autorit të dyshuar të vrasjes së 82-vjeçarit, ngjarje e ndodhur ditën e djeshme, në lagjen nr. 16, vë në pranga për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, 39-vjeçarin F. J. Ky shtetas, dyshohet se më datë 30.12.2024, ka vrarë me thikë dhe me çekiç, për motive të dobëta, 82-vjeçarin P. G., në banesën e tij, në lagjen nr.16. Pas kryerjes së krimit, autori ka mbyllur me çelës derën e banesës së viktimës dhe ka fshehur mjetet e krimit, të cilat u gjetën në banesën e autorit dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes”, njofton Policia e Durrësit.

Nga këqyrja e trupit të 82-vjeçarit P. G., eksperti mjeko-ligjor konstatoi se kishte dëmtime të shumta të shkaktuara me mjet prerës dhe me sende të forta. 

Gjatë kontrollit në banesën e autorit të dyshuar, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale 2 thika, 1 çekiç dhe veshjet që dyshohet se ka patur autori gjatë kryerjes së krimit. Mjeti prerës, çekiçi dhe veshjet me njolla gjaku janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.

Materialet u referuan në Prokurori, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë