Grabitësi i parë që është futur në vilën luksoze të biznesmenit Nazmi Çangu në Nikël të Fushë Krujës, ka kaluar mbi kangjella.
Ai ka hapur rrugën edhe për të tjerët për të krijuar siguri se në atë orë të mesnatës nuk ka njeri në oborr. Pastaj të tjerët kanë mësyrë në dalje të tjera.
Sipas rrëfimit të vëllezërve të biznesmenit Çangu, të siguruar nga Gazetasi.al, grabitësit kanë hapur edhe automjetet që ndodheshin të parkuara.
Mjetet kanë qenë të blinduara dhe njërën prej tyre ata nuk kanë mundur ta hapin me kaçvidat e përdorura.
Ndërkohë që autorët e maskuar, kanë përdorur edhe trapano për të shqyer bravën e derës për t’u ngjitur nga një hyrje e vilës, nga kati i parë në të dytin.
“I pari ka hyrë nga kangjellat, i maskuar, ka marrë rrugën pas mandarinës dhe ka vazhduar. Ka provuar të hapë dy makinat e blinduara, ka dal pas shpine dhe ka provuar hapjen e bravës së derës me trapano, - rrëfen familjari I biznesmenit Çangu. - Pastaj ka marrë pultin dhe e ka hap të mos bëjë zhurmë. Kanë tentuar të hapin këtë makinën, por e kanë lënë se është e re. Persona të tjerë, 5-6 veta, kanë hyrë nga kjo derë”.
Më pas, ai tregon se pasi grabitësit kanë marrë letra e dokumente, kanë dalë andej nga kanë hyrë, kanë marrë nga përroi dhe kanë dalë në varreza. “Atje dyshohet se i ka pritur një makinë”, - përfundon ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.