Ngjarje

Foto-Video/ Banorët e ‘5 Majit’ në Tiranë në protestë, bllokojnë rrugën kundër shembjes së banesave

Banorët e zonës në lagjen “5 maji” në Tiranë kanë dalë sërish në protestë, duke kundërshtuar shembjen e banesave në kuadër të procesit të rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit 2019.

Këtë të hënë ata kanë bllokuar rrugën, duke mos lejuar futjen e fadromave të IKMT-së. Ata kërkojnë nga autoritetet një kontratë në dorë që i siguron se nuk do të mbeten pa shtëpi.

Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të policisë për të liruar rrugën, banorët kanë kundërshtuar, duke theksuar se nuk do lejojnë shembjen e ndërtesave.

Banesat që duhet të shemben, ndodhen në hartën e projektit të Bashkisë së Tiranës si ‘zonë në zhvillim” dhe parashikohet ndërtimi i pallateve ku do të strehohen familjet që u është dëmtuar banesa nga tërmeti i vitit 2019.

Ata i kërkojnë autoriteteve që banesat e tyre të vlerësohen edhe me çmimin e tregut dhe të kenë një kontratë të rregullt qiraje.

Një pjesë e tyre kërkojnë garanci edhe për dëmshpërblimin që duhet të marrin. “Nuk na kanë dhënë asnjë sqarim. Ne kemi kërkuar të drejtat tona, vijnë sot për të na prishur shtëpinë. Askush nuk ka ardhur të na thonë pse po prishen, ku do shkojmë ne, ça dëmshpërblimi do marrim?”, – ankohet një prej banorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë