Gazeta Si – Pas disa orësh punë pa ndërprerje, polumbarët e RENEA-s kanë ndërprerë kërkimet për gjetjen e mjetit që drejtohej nga një 26-vjeçar, i cili dyshohet se ka rënë në ujërat e lumit Seman mëngjesin e kësaj të diele.
Poshtë Urë së Mbrostarit në Fier janë gjetur vetëm disa pjesë të përparme të mjetit, gjë që ka përforcuar dyshimet se ndodhet në lumë.
Polumbarët e RENEA-s kanë kërkuar mbylljen e digës së Gramshit, hapja e së cilës ka shtuar mbi një metër nivelin e lumit Seman, duke vështirësuar kërkimet për gjetjen e mjetit.









Rreth orës katër të mëngjesit të kësaj të diele pranë vendit të njohur si Ura e Mbrostarit në Fier dyshohet se ndodhi një aksident,
Parmakët e urës janë shkatërruar e një pjesë e tyre ka rënë në ujërat e lumit Seman, ndërsa mbetet e paqartë nëse mjeti që është përplasur me to, ka përfunduar në ujë, apo është larguar pas përplasjes.
Në vendin e aksidentit është gjetur një targë automjeti, i cili rezulton të jetë e një makine të dhënë me qira, ndërkohë që në vendngjarje mbërritën polumbarë të RENEA-s dhe ekspertë të policisë.
Sipas kësaj të fundit, targa i përket një automjeti të marrë me qira nga personi M.L., 26 vjeç, banues në Fier.
Efektivët zjarrfikës kanë krehur të gjithë zonën e rrjedhën e lumit, por pa rezultat. Ndërkohë policia ka marrë të gjitha shenjat e provat në vendin e ngjarjes.
Vetëm ndërhyrja e polumbarëve do të qartësonte nëse automjeti kishte rënë apo jo në ujërat e lumit Seman, por kërkimet janë ndërprerë të paktën për këtë të diel.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




