Luiza Gega është një nga sportistet më të suksesshme shqiptare. Atletja kampione e garave të gjata doli e nënta në botë në kampionatin e Katarit dhe herë pas herë përmirëson rekordet e saj, ndërkohë që po përgatitet për Lojërat Olimpike të Tokios. Vlerësimet për të janë mëdha, KOKSH-i i dyfishoi pagën deri në muajin gusht, Presidenti Ilir Meta e nderoi me titullin “Mjeshtër i Madh”, por një vlerësim të veçantë Gega e ka marrë së fundi në qytetin e Korçës.
Nuk është një vlerësim financiar dhe as ndonjë titull, por një ceremoni e thjeshtë pritjeje, e organizuar nga një mësuese e edukimit fizik, që e ka lënë pa fjalë atleten. Ngrohtësi, poezi, ese dhe piktura enkas për të nga duart e nxënësve të shkollës “Medreseja e Korçës”. Emocionet e veçanta për këtë pritje Luiza Gega ka dashur t’i ndajë në rrjetet sociale, duke shprehur falënderimet për surprizën e bukur nga kjo shkollë e Korçës.
“U bë shumë kohë që nuk jam aktive në Facebook, por dua të ndaj një nga emocionat më të bukura që më bëri të përjetoj Çelnike Myrtellari. Kjo zyshë e apasionuar e edukimit fizik organizoi një pritje me të gjithë ish-sportistët korçarë të atletikës ndër vite dhe ku të ftuarit e nderit ishim unë dhe trajneri im Taulant Stërmasi. Gjithmonë jam ndjerë e vlerësuar në këtë qytet që ka kaq shumë kulturë për sportitn, por në këtë ditë ndjeva vërtet një vlerësim akoma më të madh, që s’e kam ndjerë në asnjë vend. Emocioni më i bukur ishte tek dëgjoja nxënësit e kësaj shkolle, “Medreseja e Korçës”, të recitonin poezi për mua. Më besoni që sinqerisht nuk e shpreh dot me fjalë sa kënaqësi dhe emocion kam ndjerë. Prandaj dua të falënderoj nga zemra mesuese Çelnike Myrtellarin, drejtorin e kësaj shkolle, nxënësit kaq të mirë e të dashur dhe të gjithë ish-sportistët, sportistët që kishin ardhur për të më nderuar dhe për ta bërë këtë ditë kaq speciale”, – shkruan atletja në profilin e saj në Facebook.
Luiza Gega shkon shpesh në Korçë për stërvitje, madje edhe në fshatin turistik të Dardhës, ku kryen përgatitjet për kompeticione të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.