Vende dhe Udhetime

Foto: Gjashtë pasuri shqiptare të UNESCO

16 tetori ka shënuar edhe 60-vjetorin e Shqipërisë si anëtare e organizatës për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara, Unesco.  E megjithëse e pranishme prej  vitit 1958, vetëm në vitin 1992 do të regjistrohej i pari sit historik e kulturor si trashëgimi botërore  ai do të ishte Parku i Butrintit . “Për të parën herë një pasuri e jona mori meritën që i takonte duke u bërë pjesë e mozaikut të trashëgimisë botërore.”, do të shprehej ministrja në aktivitetin e organizuar për rastin.U deshën edhe trembëdhjetë vite që një  tjetër bukuri shqiptare të merrej nën mbrojtjen e Unesco-s dhe ishte radha e qendrës historike e Gjirokastrës.

Viti 2005 ishte i frytshëm për trashëgiminë kulturore, historike e shpirtërore të Shqipërisë pasi Kodikët e Purpurt të Beratit Beratinus-1” i shekullit  VI dhe “Beratinus-2”  i shekullit IX, u bënë pjesë e “Kujtesës së Botës” , ndërsa “Isopolifonia” u pranua në listën e kryeveprave të botës shpirtërore të njerëzimit.Tre vite më vonë, më 2008 do të ishte qyteti dymijë vjeçar i Beratit që do të hynte në ombrellën e madhe të trashëgimisë së botës, ndërsa të tjera pasuri, kësaj here natyrore do e bënin Shqipërinë më të përfaqësuar në listat e Unesco-s si Pyjet e ahut në Rrajcë dhe Lumin e Gashit apo  liqeni i Prespës.

Një tjetër atraksion pritet t’u bashkohet gjashtë siteve të mbrojtura të trashëgimisë; do të jetë liqeni i Ohrit që pritet ta marrë zyrtarisht statusin në qershor të 2019-ës.  Me asistencën teknike që ka ofruar Unesco, është bërë e mundur mbrojtja dhe ruajtja e Butrintit, Gjirokastrës dhe Beratit, të cilët falë kësaj pune kanë dalë ne lista e pasurive në rrezik.Deri më  tani, 60 vjet pas anëtarësimit të Shqipërisë në Unesco, asnjë nga sitet e mbrojtura nuk ka humbur për shkak të dëmtimeve apo të kohës...

Liqeni i Ohrit 

Po cilat janë përfitimet reale që merr një shtet, trashëgimitë e së cilit renditen mes trashëgimeve të botës dhe mbrohen nga kjo organizatë? Së pari garancia  mbi tiparet e jashtëzakonshme të një siti, e certifikuar  botërisht, që pasohet nga një avantazh jo më pak i rëndësishëm siç është financimi për mbrojtjen dhe ruajtjen. Turizmi gjithashtu pëson rritje dramatike pasi një vend merr vëmendje ndërkombëtare si trashëgimi e Unesco-s, i cili përkthehet më pas në rritje ekonomike.

Edhe publiciteti ndihmon. Shtatoret e Budës të gdhendura në mal, në luginën Bamijan të Afganistanit në shekullin e 6-të, të cilat u shkatërruan nga Talebanët më 2001-shit, kanë marrë më shumë se 4 milionë dollarë nga Unesco për të gdhendur sërish gurët e dëmtuar. Por ky publicitet ka edhe dizavantazhe, pasi vendet e varfra nuk mund ta përballojnë dot numrin e madh të turistëve , ndonjëherë ekuilibrat mes promovimit të vendeve dhe ruajtjes së tyre janë shumë delikatë.Gjatë kohëve të luftërave, sitet  mbrohen nën Konventën e Gjenevës kundër shkatërrimit apo keqpërdorimit.

Po si lindi ideja e siteve të mbrojtura të trashëgimisë botërore?

Më 1954-ën  lugina e shkretëtirës ku gjendeshin tempujt binjakë Abu Simbel – të cilat ishin gdhendur në anë të një mali në jug të  Egjiptit në shekullin e 13-të para Krishtit, me urdhrin e Faraonit Ramsesi II, po përmbyteshin nga ndërtesat në Aswan Dam. Të frustruar nga mungesa e vëmendjes së qeverisë egjiptiane në mbrojtjen e këtyre ndërtesave antike, Unesco ndërmori një fushatë botërore që i shpëtoi tempujt duke i vendosur në një terren më të lart, më një kosto prej 80 milionë dollarësh, gjysma e kësaj shume u mblodh nga 50 shtete.  Projekti pati aq sukses sa fushata e radhës së Unesco-s shpëtoi Venecian dhe rrënojat e vendbanimeve më të hershme urbane, Mohenjo-daro  në luginën Indus të Pakistanit si edhe strukturën më të madhe budiste që eksiton, tempullin Borobodur në  Java, Indonezi.

Parku Kombëtar i Butrintit

Butrini u shpall qytet muze më 1961-shin,  ndërsa botërisht  qyteti antik  e mori famën dhe hyri në listën e pasurive të botës më 1992-shin. I gjendur në një lartësi afro 50 metra mbi nivelin e detit, parku shtrihet në një hapësirë prej 15 hektarësh. Ai është ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit dhe ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit dhe nga kanali i Vivarit. Në përbërje të tij gjenden lloje të shumta drurësh me gjelbërim të përhershëm si, dafina, prralli, ilqe, fishekarthi, kullastra, mimoza, si dhe lloje gjetherënës.Shpella e Butrintit me sipërfaqe 110 metra katror,  vlerësohet e veçantë për nga natyra pozicioni dhe sipas arkeologëve ka vlera shkencore.  Në vitin 1992 gërmimet e ndërmarra në qendrën e qytetit antik të Butrintit nxorën në dritë forumin romak të qytetit.

Gjirokastra

Një qytet që përbën dëshmi unike të një tradite kulturore të jetës së zhvilluar në shek 14-19, në Gjirokastër veçohet tipi i shtëpisë së fortifikuar me çati me pllaka guri, në harmoni e me peizazhin shkëmbor të territorit ku ajo ngrihet. Banesat, një tip i veçantë në tipologjinë e banesës shqiptare dhe asaj ballkanase të mesjetës së vonë, luajnë një rol të rëndësishëm në fizionominë e qytetit. Gjirokastra ka 56 banesa monumente kulture të kategorisë së parë, 502 të kategorisë së dytë dhe shumë komplekse të tjera me vlera historike, arkitektonike dhe kulturore. Qyteti ruan të paprekur skemën urbanistike, ku çdo shtëpi ka karakteristika të veçanta që lidhen me terrenin mbi të cilin është ndërtuar.

Berati

I konsideruar si qyteti i “Një mbi një dritareve”, qyteti 2400 vjeçar i Beratit është dëshmi e pasurisë dhe e larmisë të trashëgimisë urbanistike dhe arkitektonike të rajonit të Evropës Juglindore. Qendra e tij urbane reflekton ndikimin e  traditës së banesave popullore ballkanike, që datojnë kryesisht në shekujt e 18 dhe 19 e.s. Kjo traditë është adaptuar për t’iu përshtatur mënyrës së jetesës së qytetit, me shtëpitë e vendosura në shpate me planimetri kryesisht horizontale dhe që përdorin gjerësisht dritën natyrore.Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Kodiku i Purpurt i Beratit

I klasifikuar nga UNESCO  në kategorinë  “Memoria e botës”, Kodiku i Purpurt i Beratit daton në shekullin VI dhe është i shkruar në pergamenë  të purpurt. Ai është një nga katër kopjet e vetme të gjetura në të gjithë botën. I dyti është Kodiku i Artë (Codex Aureus) i shekullit IX, i shkruar  në pergamenë me shkronja ari. Që të dy këta kodikë përmbajnë pjesë nga ungjijtë të shkruara  në greqishten e vjetër. Këta kodikë u rizbuluan në kështjellë më 1972-shin  dhe ruhen sot në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.

Isopolifonia

Struktura e ndërtimit të shumëzërëshit polifonik, lab apo tosk, është shprehje e drejtpërdrejtë e unitetit gjenetik të llojit. Prej praktikës qindra shekullore janë ndërtuar formulat, të cilat shprehin në thelb strukturën e iso polifonisë popullore, ajo e cila ngërthen në një të vetëm tiparet e veçanta të zërave të tjerë, përbërës të shumëzërëshit. Isopolifonia shqiptare u regjistrua në Listën e Trashëgimisë Shpirtërore të UNESCO-s më 25 nëntor  të 2005-ës.

Rezerva ndërkufitare e Biosferës Ohër-Prespë

Me një sipërfaqe prej 446,244 hektarësh,  kjo rezervë përfshin një pjesë të Liqenit të Ohrit dhe rrethinat e saj në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, të cilat janë të listuara në Listën e Trashëgimisë Botërore, si dhe një pjesë e liqenit të Ohrit në Shqipëri.E gjithë zona është e pasur me biodiversitet me specie të rralla dhe të rrezikuara në mbarë botën. Për shkak të gjenezës historike të dy liqeneve, lloje të shumta endemike të cilat janë unike janë të pranishme vetëm në këto ekosisteme ujore dhe ato tokësore përreth.

Pyjet e ahut të lashtë

Dy vendet e para natyrore shqiptare kanë marrë mbrojtjen e UNESCO-s si zona të Trashëgimisë Botërore të pyjeve të ahut primar, në korrik 2017, ata janë pyjet e  ahut të lumit të Gashit dhe Rrajcës, dy zona të mbrojtura në nivel lokal, në Listën e Trashëgimisë Botërore si një zgjerim i zonës se Trashëgimisë Botërore të pyjeve të ahut primar të Karpatet dhe Pyjeve të Ahut të Gjermanisë. Rrajca ndodhet në luginën e sipërme të Bushtricës brenda kufijve të Parkut Kombëtar të Shebenik-Jablanicës në pjesën verilindore të Librazhdit në rajonin e Elbasanit.Zona është gjithashtu një habitat i rëndësishëm për rrëqebullin e Ballkanit, një lloj i mbrojtur në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë