Për askënd nuk ka qenë i lehtë ky vit. Gazeta “Si” ju propozon më poshtë disa nga momentet më domethënëse të 2020-s, të fiksuara në fotografi. Ju, cilën do të zgjidhnit si më përfaqësuesen?

Në këtë foto një burrë lexon gazetën mbi gërmadhat e një shtëpie përdhese ende të rrënuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Edhe mbi një vit pas atij tërmeti është e vështirë të bësh një bilanc mbi masat që janë marrë për të ndihmuar mijëra familjet e prekura nga kjo fatkeqësi dhe të mbetura pa një çati mbi kokë. Edhe pse u krijua një Ministri Rindërtimi, menaxhimi i programit është copëzuar në një sërë hallkash institucionale, duke vështirësuar gjetjen e të dhënave për ecurinë e realizimit tërësor të programit. Ministri i Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj tha së fundmi gjatë një interviste televizive se, deri në fund të muajit maj 2021 nuk të ketë asnjë familje në çadër, ndërkohë që 1 mijë familje futen në banesat e tyre të reja, të ndërtuara falas nga shteti. Afat ky i shtyrë disa herë në kohë…

Kjo nënë mesa duket dëshiron që fëmija i saj të ketë të ruajtur në memorien e vet se ka qenë “dëshmitar” i ndryshimeve “historike” të kryeqytetit. Pas bebes në karrocë shihen ende rrënojat e tymta të Teatrit Kombëtar.
Në orët e para të mëngjesit të së dielës së 17 majit, mjetet e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit ndërhynë duke shembur godinën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. E gjithë zona u rrethua me forca të shumta policie, të cilat ndërhynë më parë forcërisht duke shpërndarë grupet e artistëve, qytetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës që ndodheshin me ta. Protesta e Aleancës për Teatrin kishte zgjatur më shumë se dy vjet.

Megjithë shakanë që mbart në vetvete, kjo foto ndoshta dëshmon më së miri rregullat e reja që do të duhet të kishte imponuar pandemia edhe në Shqipëri. Ndoshta në një lokal lagjeje, kamarieri shërben kafen e mëngjesit me një mjet të improvizuar distancë-ruajtës. Prej marsit baret e restorantet u mbyllën dhe u rihapën, iu vunë orare kufizuese dhe iu imponuan rregulla strikte që shumë pak u zbatuan. Aktualisht Komiteti i Ekspertëve ka sanksionuar që maskat e detyrueshme në rrugë dhe ambjente të tjera publike, mund të mos mbahen teksa je duke gjerbur një kafe në lokal.

Njoftimi për vdekjen e një të moshuare, pak mbi kryet e kësaj tregtareje poaq të moshuar ambulante bie pak në sy, në krahasim me “mllefin” e një të riu që ndoshta nuk ka gjetur ende dashurinë. Në këtë qytet shpeshherë mund të mos ketë dashuri, por gjithnjë ka vend për dikë që shet në trotuar për mbijetesë…

Lëvizja “Aleanca për Teatrin” për ta ristrukturuar dhe jo shembur, nuk ia doli mbanë. Protestën e tyre 27-mujore ata e vazhduan edhe në ditët në vijim. Policia arrestoi eksponentët më aktivë të lëvizjes dhe përdori dhunë për t’i shpërndarë protestuesit që shembjen e Teatrit e konsiderojnë si “instalim të diktaturës” nga qeveria Rama, ndaj të cilës bënë thirrje për ta rrëzuar.
Në këtë foto dy të rinj, të gjendur befas të vënë poshtë nga policia, përqafohen për të mbrojtur njëri-tjetrin nga ndërhyrja e forcave të rendit, në hyrje të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, në Tiranë është organizuar një protestë sensibilizuese me thirrjen që të riatdhesohen fëmijët shqiptarë që gjenden në kampet në Siri. Me sloganin “Të harruar në Siri: Ktheni fëmijët tanë në shtëpi”, familjarët e fëmijëve shqiptarë në Siri u bënë thirrje autoriteteve të Shqipërisë që t’i riatdhesonin ata.
Autoritetet në Shqipëri nuk kanë publikuar të dhëna zyrtare për numrin e fëmijëve shqiptarë që ndodhen aktualisht në kampe në Siri, të cilët shkuan së bashku me prindërit e tyre disa vite më parë. Institucionet në muajt e fundit janë angazhuar që ta zgjidhin çështjen në fjalë. Në 27 tetor institucionet e sigurisë kanë arritur të kthejnë nga Siria katër fëmijë. Pas këtij veprimi, kryeministri Edi Rama konfirmoi se nxjerrja e tyre nga ferri sirian ishte e komplikuar. Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj do të deklaronte: Unë nuk e kam detyrë ligjore të riatdhesoj fëmijët shqiptarë në kampin Al Hol. Po e bëj për humanizem.

Opinioni që kanë shqiptarët për mjekët, nuk ka qenë kurrë më shumë se tani kaq i dyzuar. Shumë syresh mendojnë se pa ndihmën e tyre nuk do t’ia kishin hedhur dot Covid-19. Ndërsa të tjerë mendojnë se pikërisht mjekët nuk duhet të ishin bërë palë me qeverinë në menaxhimin politik të pandemisë, por duhet të mbronin pikëpamjen e tyre pastërtisht profesionale.
Në foto, një dedikim që Stadiumi “Air Albania” ua kushton heroizmit dhe punës së palodhur të mjekëve shqiptarë.

Pandemia e Covid-19 i ka dhënë një goditje të fortë ekonomisë këtë vit, me humbjet që sa vijnë e shtohen. Sipas INSTAT, për 9-mujorin 2020, humbjet e shkaktuara nga pandemia (rënia në raport me vitin e kaluar dhe rritja e munguar) i kanë kaluar 1 miliard euro.
Stadiumet u zbrazën, sallat artistike pushuan së gumëzhuari nga spektatorët. Qendrat tregtare ulën qepenat. Ndalim qarkullimi në Shqipëri madje u ruajt edhe me ushtri. Gjithçka ndali. Të gjithë qëndruam brenda katër mureve të shtëpisë… Ndoshta jo tamam të gjithë, si ky vrapues i fotografuar nga lartësitë e një droni, ndoshta teksa kthehet në shtëpi pas vrapit të mëngjesit (nga i cili kurrsesi nuk mund të hiqte dorë).

Një grua me shporta dhuratash pranë Shërbimit Infektiv në QSUT, i cili është kthyer në karantinë dhe ka marrë emrin Spitali COVID 1. Shqipëria pas një rritjeje të lartë rastesh me virusin e ri, ka parë ditët e fundit një ulje të lehtë në numrin e tyre.
Nuk është bërë e qartë se nga kush vinin këto dhurata, por destinacion ato kanë pasur mjekët, infermierët dhe stafin shëndetësor te Infektivi, të cilët përgjatë gjithë këtyre muajve u kanë qëndruar te koka pacientëve me Covid-19.

Një burrë shfrytëzon motin e mirë dhe merr rreze dielli në Sheshin “Skëndebej” në Tiranë. Gjatë gjithë muajve të pandemisë mjekë dhe ekspertët e shëndetit nuk reshtën së na nënvizuari rëndësi e vitaminës D në rritjen e imunitetit që na duhej për të përballuar Covid-19.
Një studim i gjerë në fillim të dhjetorit shtoi provat se njerëzit me gjak të tipit Zero ose Rh − negativ mund të jenë në rrezik pak më të ulët nga koronavirusi. Studimi tregoi gjithashtu se rritja e niveleve të vitaminës D në pacientët e sëmurë kritikë nuk e shkurtoi qëndrimin e tyre në spital si dhe nuk uli shanset që ata të mos shtriheshin në kujdesin intensiv.

Për mbarë botën myslimane, festa e Bajramit ishte e pazakontë këtë vit. Për shkak të pandemisë, falja dhe ligjëratat u mbajtën në kushte dhe rregulla të tjera. Edhe në Shqipëri, besimtarët nuk e falën Bajramin në sheshe, por brenda në xhami dhe me një numër shumë të reduktuar personash.
Në foto, besimtarë që ndjekin ligjëratën e një hoxhe në një nga xhamitë e kryeqytetit. Dikush e lexon në Kur’an, dikush në celular fjalën e Zotit. Teknologjia tashmë ka hyrë kudo…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.