Nga Gazeta Si- Një “Këshill i dyshimtë shkencor i Butrintit në epokën e AADF” e ka quajtur Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore përbërjen e Këshillit Shkencor të Butrintit nën menaxhimin privat të AADF që u publikua disa ditë më parë.
Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore ka reaguar me një postim në rrjetin social Facebook duke thënë se një nga problematikat që haset në këtë këshill është formimi i tij kur ende nuk është shprehur Gjykata Kushtetuese me një vendim final për Butrintin.
“Mësojmë gjithashtu se ministria e Kulturës nuk është pyetur dhe as nuk ka gisht në krijimin dhe përzgjedhjen e këtij organi kaq të rëndësishëm për zhvillimin e parkut, pasuri e UNESCO”.
Gjithashtu prezenca e profesor Neritan Cekës si përfaqësues i Akademisë së Shkencave është mohuar nga ministria e Kultures, sipas Forumit, që shton se, "të gjithë personat e tjerë që janë pjesë e këshillit përfaqësojnë vetëm veten e tyre dhe asnjë institucion publik që duhet të thotë fjalën e tij në vizionin e zhvillimit të pasurive më të rëndësishme arkeologjike të vendit".
Vite më parë, vetë arkeologu Neritan Ceka ka deklaruar se nuk ka transparencë për projektin e Butrintit.
Sipas Cekës qeveria ka larguar nga projekti specialistët vendas dhe kanë marrë të huaj.
“Ministria ka dorëzuar ‘armët’ për Butrintin”, tha asokohe Ceka
I pyetur nëse është thirrur për konsultim, si specialist i fushës, Ceka tha “absolutisht asnjëherë”.
Ceka ka folur edhe për fondacionin AADF, duke thënë se është një fondacion fantazmë dhe “është një turp që po bëhet kjo gjë, në vend që të bëhet një Albanian Hertage, 100 % shtetëror, ku drejtori i fondacionit emërohet nga ministri i Kulturës, por bordi bëhet nga specialistë, jo nga zyrtare, jo nga rrogëtarë, jo nga të ashtuquajturat “institucione” ku nuk ka më asnjë profesor, asnjë doktor shkencash”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.