Nga Gazeta ‘SI’- Në fjalën e tij gjatë Forumit Ekonomik Ndërkombëtar që po mbahet në Tiranë, kryeministri Edi Rama, përballë Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump, foli edhe për këtë të fundit.
Rama ripërsëriti një shprehje të Donald Trump, i cili thotë se Zoti e shpëtoi sepse ai ka plane për Amerikën. Rama tha se beson se gjysma tjetër e kësaj të vërtete është se Zoti e shpëtoi Trump pasi ai ka plane dhe për Europën.
“Dua të ndaj me ju bindjen se kur dëgjova Presidentin e Shteteve të Bashkuara teksa fliste për një epokë të artë që po afron, ndjesia ime ishte që një epokë e artë mund të çelet edhe për Europën. Gjithçka do të varet nga sa shpejt do të mendojmë jashtë kornizës. Europa mund dhe duhet të mendojë të bëjë të pamendueshmen!”, tregoi Rama.
Më tej, iu drejtua të pranishmëve duke thënë se Shqipëria ka nevojë për njerëz që e besojnë.
“Ne iu ofruam majën e gastronomisë që t’i bënim të ndiheshin sa më mirë dhe besoj që ia dolëm me sukses. Jemi këtu për të përcjellë mesazhin se ky vend do më shumë dhe ka nevojë për më shumë njerëz që të na besojnë. E mira e Shqipërisë është se ne jemi miq të mirë me shumë njerëz. Ne duam që miqtë e të ftuarit të thonë që ne jemi partnerë strategjikë të BE-së e Europës, por ne kemi partneritet edhe me Arabinë Saudite dhe kemi ndjekur vizionin, shtysën, ambicien e Madhërisë së tij, Presidentit të Emirateve të Bashkuara. Po përpiqemi të mësojmë nga realitete të ndryshme.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




