Albin Kurti nuk do të marrë sot mandatin nga presidenti Hashim Thaçi për të formuar qeverinë e re të Kosovës. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje ka refuzuar ftesën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit për formimin e qeverisë.
Burime nga Vetëvendosja kanë bërë të ditur për mediat në Kosovë se ftesa e Thaçit ka arritur në selinë e LVV-së sot pak para orës 11:00, por se Kurti nuk do të takohet me kreun e shtetit të Kosovës,
Sipas Vetëvendosjes, Kurti ndodhet jashtë Prishtinës dhe do të takohet me presidentin e Kosovës në ditët në vazhdim.
“Pak pas orës 11:00, në selinë e LVV, sot erdhi letra e Presidentit të Kosovës për një takim po ashtu sot në ora 13:30, me Kryetarin e LVV, Albin Kurti. Kryetari Kurti e ka sot të pamundur ta takojë Presidentin, meqenëse ndodhet jashtë Prishtinës. Ai do ta njoftojë së shpejti Presidentin për ditët e orët e mundshme të takimit”, thuhet në njoftim.
Thaçi i dërgoi sot ftesë Kurti për krijimin e Qeverisë, si partia e parë fituese në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit. Ditën e djeshme u betuan deputetët e rinj, ndërkohë që Glauk Konjufca nga Vetëvendosje u zgjodh në kryetar i Parlamentit.
Pasi Albin Kurti të marrë mandatin nga Presidenti, ka 15 ditë kohë për të njoftuar Qeverinë e re, e cila duhet të formohet në koalicion me një parti tjetër, për të siguruar 61 votat e nevojshme në Parlament.
Negociatat disa javore midis Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, e cila doli parti e dytë në zgjedhje, nuk kanë dhënë ende një vendim pozitiv. Palët kanë ngecur te posti i Presidentit të Republikës, i kërkuar me shumë ngulm nga partia e drejtuar nga Isa Mustafa.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.