Asnjëherë në zgjedhjet për Parlamentin Europian rezultati nuk ka qenë më interesant se në zgjedhjet e fundit. Koalicioni i madh mes qendrës së djathtë dhe qendrës së majtë në Parlamentin e ri nuk formon dot shumicën në institucionin me 751 anëtarë.
Partitë Popullore Europiane u konfirmuan forcë e parë, por me një rënie të ndjeshme prej 38 mandatesh në krahasim me zgjedhjet e 2014, e po më rënie prej 35 mandatesh si forcë e dytë u konfirmuan socialistët. Numrat kanë ndryshuar, por lajmi i mirë është se forcat pro zgjerimit dhe pro Bashkimit Europian mbeten shumicë, pasi rritje të fortë ka patur Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve të Europës, një mbështetëse e fortë e zgjerimit dhe forcimit të Bashkimit Europian.
Po për Shqipërinë dhe shqiptarët, çfarë sollën zgjedhjet e reja të PE-së? Lajmi i parë i mirë ishte shtimi i një zëri të fuqishëm pro shqiptarëve në Parlamentin e ri. Arba Kokalari ishte pjesë e katër mandateve që fitoi Partia e Moderuar në Suedi, duke u bërë kështu shqiptarja e parë që ulet si ligjvënëse në Parlamentin Europian.
Lajmi i dytë i mirë është se forcat pro zgjerimit pritet të kontrollojnë rreth 70 për qind të Parlamentit të ri. Me 30 për qind të anëtarëve në PE, agjenda e ekstremistëve dhe e populistëve merr një goditje të fortë. Kjo do të thotë se agjenda e zgjerimit e Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor jo vetëm të mos cenohet, por të përforcohet me zërin e liberal-demokratëve dhe të të gjelbërve.
Si të parët, ashtu edhe të dytët janë entuziastë të procesit të zgjerimit, madje Guy Verhofstadt, ish-kryeministëri Belgjikës dhe kreu i liberal-demokratëv (ALDE) ka qortuar të djathtën dhe të majtën tradicionale për mefshtësi në integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Kritika nga ky grupim ka patur edhe ndaj Komisionit Europian dhe Përfaqësueses së Lartë, Federica Mogherini për qëndrimet e mbajtura ndaj vendeve kandidate.

Tani, me rreth 100 deputetë në Parlamentin e ri dhe me pamundësinë e të djathtës dhe të majtës tradicionale për të siguruar të vetme mazhorancën, që nuk ndodhte që prej vitit 1979, liberal-demokratët mund të jenë një turbinë përshpejtuese e procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.
Një dorë të mirë këtij procesi, në këndvështrimin e ALDE-s mund t’i japë Brukseli nëse redukton burokracitë dhe standardet e shumëfishta që ndjek për vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor sa i takon integrimit. Ky grupim ishte kundërshtari më i fortë i Brexit dhe vetë Verhofstadt ka qenë një prej kundërshtarëve më të mëdhenj të Nigel Farage dhe Boris Johnson, dy njerëzit që udhëhoqën fushatën Brexit në Britaninë e Madhe.
Lajmi i tretë i mirë është se ekstremistët e djathtë vërtetë pësuan rritje, por nuk arritën dot numrin e mandateve që i nxirrnin sondazhet parazgjedhore. Me përjashtim të Francës dhe të Italisë, ku u renditen si forcë e parë, në vendet e tjera politikat e tyre dështuan paq.
Lajmi gri mbërrin nga Franca. Deklaratat e Emmanuel Macron kundër zgjerimit dështuan që t’i japin atij fitoren. Kjo do të thotë se më shumë sesa procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian, koalicioni i Presidentit francez është goditur nga konturet e brendshme politike në Francë.
Lajmet e këqija gjithashtu nuk mungojnë. Dy janë kryesorët. I pari ka të bëjë me fragmentarizimin edhe më tej të përbërjes së Parlamentit Europian, institucioni që përcakton drejtuesit e institucioneve të tjera të BE-së.

Ky fragmentarizim paralajmëron negociata jo fort të thjeshta në horizont. Kjo do të thotë se as vetë emri i Manfred Webber, udhëheqësi i Partive Popullore Europiane nuk është i sigurtë në krye të Komisionit Europian. Webber është mbështetës i zgjerimit, por negociatat për krijimin e një mazhorance të qëndrueshme brenda PE-së mund të çojnë në një emër tjetër me konsensual, që do të kënaqte të gjitha palët, por që mund të jetë më pak entuziast për zgjerimin dhe të përqendrohet më fort tek reformimi i unionit.
Lajmi tjetër i keq mbërrin nga Greqia. Tensionet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë u reflektuan në qëndrimin e ftohtë të Athinës sa i takon hapjes së negociatave në qershor, por askush nga qeveria e Aleksis Tsipras dhe nga partia e tij SYRIZA nuk bënë thirrje për vendosjeje vetoje.

Humbja në zgjedhjet për Parlamentin Europian përballë Demokracisë së Re pasoi dorëheqjen e Tsipras dhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme në vend. Fitorja në zgjedhjet për Parlamentin Europian jo domosdoshmërisht mund të përkthehet në fitore edhe në zgjedhje e parakohshme greke, por sondazhet favorizojnë opozitën konservatore greke.
Se çfarë qëndrimi do të mbajë karshi hapjes së negociatave për Shqipërinë Demokracia e Re nëse vjen në pushtet, sinjalizimet e para janë dhënë që në shkurt të këtij vitit. Deputeti Jorgos Koumoutsakos, i konsideruar si ministri i Jashtëm në hije është shprehur kundër. Ai ka deklaruar se qëndrimi i Athinës zyrtare në raport me Shqipërinë duhet që të jetë në varësi të trajtimit të minoritetit grek në Shqipëri.
“Greqia nuk duhet të japë miratimin për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Qëndrimi i qeverisë shqiptare kundrejt minoritetit grek në Shqipëri, por edhe në çështje të tjera të marrëdhënieve dypalëshe, në raport edhe me situatën aktuale politike në atë vend, duket të bëjë që qeverinë greke të mos e japë miratimin” deklaroi ai.

Në mes të majit, këtë e përforcoi edhe vetë kreu i Demokracisë së Re, Qiriakos Mitsotaqis.
“Do i qëndroj të drejtës për të vënë veton ndaj Maqedonisë së Veriut dhe integrimit të Shqipërisë për në BE. Unë do të mbroj të drejtat e pakicës kombëtare greke. Dhe nëse nuk respektohen, Shqipëria të harrojë kursin e saj evropian”, deklaronte ai gjatë një takimi elektoral për zgjedhjet vendore në vend.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





