Media Galeri

Forcat e Armatosura bëhen 111 vjeç

Forcat e Armatosura shënojnë sot 111-vjetorin e themelimit të tyre. Më 4 dhjetor 1912, vetëm 6 ditë pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë u krijua Ushtria Kombëtare. Për herë të parë në historinë shekullore të vendit, u krijua Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, (Ministria e Luftës) e drejtuar nga Mehmet Dralla (Tetova), ndërsa Shtabi i Përgjithshëm u krijua më 4 maj 1913 nën drejtimin e major Ali Shefqet Shkupi.

Proceset integruese të FA të nisura në vitin 1992. Në qershor të këtij viti Shqipëria aplikoi dhe u pranua zyrtarisht në Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (NACC) dhe në mars të 1993 për herë të parë Shqipërinë e vizitoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Manfred Verner. Në maj 1993, Shqipëria u pranua anëtare e Asamblesë së Atlantikut të Veriut.

Anëtarësimi i vendit tonë në NATO, më 1 prill 2009, është pa dyshim një ndër ngjarjet më të rëndësishme jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë kombin shqiptar. Aktualisht Shqipëria e sheh sigurinë e saj pazgjidhshmërisht të lidhur me sigurinë e territorit që mbulojnë prerogativat e Traktatit të Atlantikut të Veriut.

111-vjetorin e Forcave të Armatosura e përshëndeti edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. “Krenarë për kontributin e jashtëzakonshëm si aleat dhe partner në NATO, ku do të vazhdojmë të jemi një forcë e fortë në skenën ndërkombëtare”, u shpreh ai.

Edhe Ambasada e SHBA në Tiranë shkruajti një mesazh urimi në rrjetet e saj sociale. “Si një aleate dhe partnere e NATO-s, SHBA uron Shqipërinë në 111-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, 4 dhjetor i vitit 1912. Ne jemi të fokusuar të shohim përpara drejt forcimit të bashkëpunimit, duke qenë krah për krah në misionin tonë për të promovuar paqen dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, Europë dhe botë”, shkruan ambasada e SHBA në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë