Lajme

“Fondet e lira nga kumari, qeveria t’i orientojë drejt tregjeve financiare”

Sabina Veizaj – “Zhdukja” e kumarit të çdo lloji me ligj duke nisur nga 1 janari i 2019-ës, do të lërë të lira të paktën gjysmë miliard euro fonde që qarkullonin nga kjo industri. Shifër e bërë publike nga vetë qeveria.

Eksperti i tregjeve financiare Artan Gjergji, këshillon institucionet rregullatore të ndërmarrin fushata informuese dhe edukuese se si qytetarët të investojnë të ardhurat që u teprojnë, në mënyrë ligjore, të mbrojtur dhe të kontrolluar e me norma fitimi të arsyeshme brenda logjikës së tregut.

“Në perceptimin publik ka një ngatërresë të dukshme mes koncepteve gambling (kumarit) dhe investimit. Është tejet e gabuar të vendosësh shenjë barazimi mes tyre. Kumari është një aktivitet i cili makineritë që vë në dispozicion i  ka të ndërtuara mbi bazë algoritmesh në mënyrë të atillë që probabiliteti i fitimit të jetë më i madh në favor të atij që e ofron si shërbim. Ndërkohë që në këndvështrimin e lojtarit, probabiliteti për të fituar ose jo është krejtësisht në dorë të fatit. Investimiështë tjetër gjë; bazohet në ekonominë reale. Ti mund të investosh në bono thesari të qeverisë ku ka një mekanizëm fiskal që ka aftësi paguese. Mund të investosh gjithashtu në aksione të kompanive të ndryshme, produktet e të cilave i konsumon çdo ditë, mund të kontrollosh bilancet, etj. Investimi bëhet mbi një analizë të ftohtë, logjikë ekonomike financiare mbi bazë risku. Përgjatë procesit të investimit, qytetari mund ta reduktoje ose diversifikojë riskun duke maksimizuar fitimin”- shpjegon eksperti Gjergji.

Për të ka ardhur momenti gjithashtu kur Institucionet Financiare duhet të jenë agresive në treg me reklama edukuese. “Duhet të jenë më prezent në media institucionet financiare me reklama edukuese që t’u bëhen qytetarëve të ditur avantazhet e të investuarit në mënyrë ligjore dhe me norma fitimi brenda logjikës së tregut dhe të qëndrueshme. Jo shifra stratosferike, brenda një niveli risku që merret përsipër. “- thotë ai.

Gjergji, duke marrë parasysh që industria fitimprurëse e lojërave të fatit po mbyllet si pasojë e një vendimi politik, gjykon se Qeveria ka një rol të rëndësishëm, në orientimin karshi alternativave të tjera për fondet e lira që nuk do të mund të qarkullojnë më në këtë industri. “Qeveria të nxisë zhvillimin e tregut kapital dhe bursës dhe investimin në instrumentat financiarë si mënyrë e shëndetshme për të fituar të ardhura dhe për të pasur ndikim pozitiv në ekonominë e vendit. Lehtësitë fiskale janë instrumenti më i përdorur, duke reduktuar apo bërë zero tatimin mbi te ardhurat e fituara nga investimi në tregjet financiare (capitalgaintax). E ka bërë Bullgaria, Maqedonia, Kroacia.”- thotë Gjergji.

Sipas tij, nëse shifrat marramendëse që qarkullonin në industrinë, tashmë në mbyllje të lojërave të fatit, do të shkonin në investime në institucione financiare apo pasuri të paluajtshme, do t’i jepte ekonomisë së vendit një frymëmarrje të jashtëzakonshme.

“Janë dy grupe lojtarësh në industrinë e lojërave të fatit- thotë Gjergji, një kategori që nuk kanë të ardhura të mjaftueshme dhe futen edhe në borxh për të luajtur kumar, si dhe një kategori tjetër, që luajnë me të ardhurat shtesë që kanë nga burime të ndryshme.” “Kur ky aktivitet të bllokohet përfundimisht, – vijon mendimin Gjergji, qytetarët e kategorisë së parë janë të predispozuar që t’i kthehen konsumit familjar.” “Besoj se deri në një farë pike ata do t’i qëndrojnë vesit. Por, në këndvështrimin ekonomik do isha i kënaqur që kjo kategori të rriste konsumin familjar sepse do të rritej kërkesë – oferta e si rrjedhojë besimi dhe është një tjetër impakt në ekonomi. Jam i bindur që institucionet financiare, asnjëherë nuk pretendojnë të përthithin këtë target grup. Institucionet financiare janë të predispozuar të tërheqin qytetarët me të ardhura të mesme dhe sipër. Atyre që ju teprojnë paratë nga të ardhurat mujore, e për rrjedhojë kanë më tepër mundësi të investojnë në tregjet financiare.”- shpjegon eksperti i tregjeve.

Duke analizuar mënyrat e investimit, ai mendon se aktualisht depozitat nuk janë joshëse sepse interesat janë të ulta dhe kategoria për të cilën flasim është mësuar me norma kthimi të larta. Për Gjergjin sytë mund të kthehen kah fondeve të pensioneve, pasurive të paluajtshme, aksioneve të kompanive të ndryshme duke marrë parasysh riskun përkatës që varet nga masa e investimit dhe norma e fitimit që kërkon të kesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë