Gjykata Europiane e Auditit njoftoi nisjen e një hetimi mbi përdorimin e fondeve të Bashkimit Europian në fushën e sundimit të ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë.
“Sundimi i ligjit është një kusht i panegociueshëm për anëtarësimin në BE. Vendet e Ballkanit Perëndimor ende përballen me fenomene shqetësuese korrupsioni dhe se si funksionojnë institucionet publike, që janë urat e anëtarësimit”, thuhet në deklaratën e Gjykatës.
Audituesit thonë se do të mbikëqyrin nëse BE ka ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për të arritur progres në këto fusha problematike. Synimi i auditimit është që të përcaktojë se sa efikase kanë qenë masat dhe ndihmat financiare të BE-së për forcimin e sundimit të ligjit në katër vendet kandidate (Shqipëri, Serbi, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut) dhe në dy vende kandidate potenciale (Kosova dhe Bosnje-Hercegovina).
“Në veçanti auditimi do të përqëndrohet tek gjetjet nëse mbështetja e BE-së për sundimin e ligjit është dhënë në formën e duhur, është përdorur në fushat e duhura dhe nëse ka rezultuar në përmirësime të prekshme e në linjë me standardet e BE-së”, vijon deklarata e Gjykatës Europiane të Audituesve.
Procesi sapo ka nisur dhe parashikohet që ai të përfundojë në fund të këtij viti. Si pjesë e këtij misioni pritet që në Tiranë të zbarkojnë audituesit e kësaj gjykate për të mbikëqyrur shpenzimet e fondeve që BE ka dhënë në kuadër të reformës në drejtësi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



