Menaxhim

FMN rikthehet në Shqipëri për monitorim të politikave fiskale. Misioni do të zgjasë 13 ditë

Nga Gazeta ‘SI’- Fondi Monetar Ndërkombëtar ka nisur misionin e monitorimit në Shqipëri me fokus në planet fiskale dhe analizimin e tyre. Yan Sun, është shefja e misionit të ardhur në vendin tonë, e cila në një takim me ministren e financave, Delina Ibrahimaj theksoi qëllimet e FMN-së.

Sun u shpreh se disa prej fushave kryesore ku do përqendrohet misioni do të jenë analiza dhe perspektiva e treguesve makroekonomikë, fiskalë, monetare, financiarë, e të tjerë dhe projeksionet për to. Të analizojë, vlerësojë dhe rekomandojë mbi objektivat e politikave fiskale, monetare, e të tjerë. Si edhe të analizojë planet fiskale dhe buxhetore të qeverisë, performancën e vitit 2022, financimin buxhetor, draft-buxhetin 2023 dhe plan-buxhetin afat mesëm, reformat strukturore, risqet.

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, informoi përfaqësuesen e FMN-së, mbi ecurinë ekonomike të vendit në kontekstin e ri të krijuar nga efektet e  krizës energjetike dhe konflikti ushtarak në Rusi-Ukrainë, si dhe me masat e marra për përballimin e efekteve të saj.

Ministrja informoi se MFE është duke punuar për hartimin e buxhetit të vitit 2023 dhe për kuadrin makro fiskal afatmesëm, përfshirë edhe pritshmëritë për mbylljen e vitin 2022.

“Nga njëra anë kemi ndërmarrë politika lehtësuese për qytetarët dhe biznesin për të përballuar rritjen e çmimeve të energjisë elektrike dhe të inflacionit në përgjithësi, veçanërisht për shtresat më vulnerabël, si dhe nga ana tjetër kemi ruajtur qëndrueshmërinë e financave publike dhe stabilitetit makroekonomik të vendit”,- u shpreh ministrja.

Misioni i FMN-së,  i cili do të qëndrojë në Tiranë, nga 27 Shtator deri më 10 Tetor, do të zhvillojë takime edhe me Guvernatorin e BSH,  Gent Sejko, si dhe me  zyrtarë të lartë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Bankës së Shqipërisë, dhe me institucione të tjera.

Në fund të këtyre takimeve është parashikuar një  konferencë për shtyp e përbashkët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë