Ekonomi

FMN ngre alarmin për shpenzimet publike, rritjen e kredisë dhe “Paqen Fiskale”

Nga Gazeta ‘SI’ – Fondi Monetar Ndërkombëtar, FMN, në raportin e tij më të fundit për Shqipërinë, ngre alarmin për menaxhimin e shpenzimeve publike, duke paralajmëruar se presionet në rritje mund të rrezikojnë stabilitetin fiskal të vendit.

Për të mbrojtur rezervat fiskale, FMN rekomandon zbatimin e reformave të favorshme për rritjen e të ardhurave, përfshirë thjeshtimin e përjashtimeve tatimore, modernizimin e sistemit të taksës mbi pronën dhe forcimin e administratës tatimore, të shoqëruara me përmirësimin e cilësisë së shpenzimeve publike dhe rritjen e transparencës fiskale.

Fondi rikthen vëmendjen edhe te nisma e qeverisë Rama për “Paqen Fiskale”, duke theksuar se kjo skemë rrezikon të minojë progresin e arritur më parë në administrimin dhe përputhshmërinë tatimore. Sipas FMN-së, ndihma sociale e targetuar do të ishte një instrument më efektiv për mbështetjen e familjeve në nevojë sesa bonuset mujore të planifikuara për pensionistët.

Në aspektin monetar, FMN vlerëson se Banka e Shqipërisë duhet të jetë e gatshme të reagojë me shpejtësi ndaj ndryshimeve të kushteve të tregut. Fondi thekson se ndërhyrjet në tregun valutor duhet të kufizohen vetëm për adresimin e luhatjeve jo-fundamentale. Duke qenë se forcimi i kursit të këmbimit nxitet kryesisht nga faktorë themelorë, Banka e Shqipërisë duhet të lejojë fleksibilitet më të madh dhe të mbështetet te normat e interesit për garantimin e stabilitetit të çmimeve.

FMN ndalet gjithashtu te rreziqet që lidhen me zgjerimin e kredisë, duke kërkuar monitorim të shtuar të sektorit financiar. Dobësitë që lidhen me huamarrës të mëdhenj, ekspozimet në valutë dhe ndaj borxhit sovran, si dhe rritja e shpejtë e kreditimit në sektorin e pasurive të paluajtshme, kërkojnë mbikëqyrje të kujdesshme dhe politika prudenciale proaktive. Fondi vlerëson se masat e fundit të bazuara te huamarrësi për kreditë e reja rezidenciale janë një instrument i rëndësishëm strukturor, ndërsa kërkon përmirësim të disponueshmërisë së të dhënave për kreditimin e pasurive të paluajtshme komerciale.

Sa i përket Bankës Shqiptare të Zhvillimit, FMN thekson nevojën për standarde të forta të mirëqeverisjes dhe mbikëqyrje të rreptë institucionale, për të shmangur rreziqe potenciale për stabilitetin financiar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë