Lajme

FMN fshikullon qeverinë: PPP-të janë me risk të lartë

Megjithë kokëfortësinë e qeverisë shqiptare për të mos hequr dorë nga PPP-të, FMN edhe një herë ngre alarmin për kontratat koncesionare që sipas Fondit janë të hartuara dobët dhe me risk të lartë.

FMN ka publikuar raportin e fundit për Shqipërinë, ku thekson se angazhimi i projekteve infrastrukturore përmes PPP-ve ka rezultuar në rritje të detyrimeve potenciale.
Shqetësimi tek projektet PPP duket se i referohet shifrave të cilat kanë pësuar rritje të shpejtë në raport me GDP. “Rritja e shpejtë e PPP ka shtuar edhe risqet fiskale dhe stafi propozoi hapa të mëtejshëm për të kontolluar këtë aspekt. Përveç stokut ekzistues të PPP-ve prej 31 për qind e GDP-së (që mbulon më shumë se 220 projekte përfshirë koncesionaet në energji me më shumë se 23 pikë përqindje) në buxhetin e 2019 dokumentet parashikojnë një listë të PPP-ve potenciale që arrinin në 15 për qind të GDP-së”, thuhet në raport.

FMN vëren në raport se borxhi publik është i lartë, “ndërsa niveli i ulët i kursimeve të brendshme dhe mungesa e investitorëve të mëdhenj institucionalë e rrit varësinë ndaj burimeve të huaja të financimit. Rritja e varësisë nga PPP-të për projektet e infrastrukturës ka rezultuar në shtimin e detyrimeve potenciale. Rreziqet e brendshme gjithashtu përfshijnë ndikimin e thatësirës në prodhimin e energjisë, duke krijuar risqe për buxhetin”, - theksohet në raport.


Fondi ka rekomanduar që të forcohet dhe konsolidohet vendimarrja lidhur me procesin e investimeve publike në këtë formë duke nënvizuar sigurimin e vlerës së parasë në këto projekte PPP, që do të thotë projekte përmes një procesi ofertimi konkurrues.

FMN nënvizon se do të ishte kritike që të sigurohet vlera e parave përmes një procesi ofertimi konkurrues për të gjithë projektet, duke ndaluar kështu pranimin e ofertave të pakërkuara.

Fondi kërkon që të merren masa për të mos krijuar detyrime të prapambetura dhe se disa nga rekomandimet e saj për menaxhimin e investimeve nuk janë zbatuar deri tani.

Edhe në të shkuaarën, FMN ka këshilluar qeverinë që të bëjë një vlerësim të kujdesshëm të PPP-ve, një vlerësim të risqeve që ato përfshijnë, monitorimin e tyre, si dhe publikimin e një deklarate të risqeve në mënyrë që edhe publiku të ketë informacion.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë