Mendim

FMN: A është koha për të vendosur një ekuilibër të ri midis ndërhyrjes së shtetit dhe tregut të lirë?

Nga FMN* – Politika industriale po fiton terren në shumë vende, me disa ekonomistë që drejtojnë gishtin nga Kina si një model suksesi. Në një bot që po përballet ede me pasojat e pandemisë, nacionalizmat mbi vaksinimin, problemet në furnizim, tranzicionin energjetik dhe konkurrencën gjeopolitike, ka një debat të ri për  rolin e politikave industriale dhe ndihmës nga qeveria për bizneset.

Njerëzit po pyesin nëse duhet t’i besojnë tregut të lirë dhe ka shqetësime se vendet po humbasin garën e inovacionit. Ata që shqetësohen për sigurinë kombëtare, kundërshtojnë varësinë ndaj vendeve të tjera për produkte kritike, si gjysmëpërçuesit dhe farmaceutika.

Në SHBA, politika industriale nuk është më temë tabu. Ka një nismë për rijetëzimin e industrisë prodhuese të gjysmëpërçuesve atje. Më shumë se 90% e tyre vijnë nga Tajvani, fakt që shqetëson SHBA-në. Për të reduktuar rrezikun kinez, Biden do të financojë me 39 mld dollarë industrinë e çipave në vend. Politika industriale e administratës Biden është e gjerë dhe të paktën dy grupime të prodhimit të gjysmëpërçuesve janë planifikuar deri në vitin 2030. Marrësit e financimit përballen gjithashtu me kushte të kushtueshme, të tilla si një ndalim 10-vjeçar për tregtimin e çipave në Kinë dhe një angazhim për kujdesin e fëmijëve. Këto politika janë pjesë e qasjes më të gjerë të administratës ndaj politikës industriale, e cila përfshin gjithashtu 370 miliardë dollarë subvencione për energjinë e pastër në Aktin e Reduktimit të Inflacionit.

Ndërkohë, Japonia po ofron subvencione mbi 500 mln dollarë për 57 kompani që të inkurajojë investimet intensive, si përpjekje për të reduktuar varësinë ndaj Kinës. Njëkohësisht, Bashkimi Europian po përshpejton politikat industriale, përfshirë 160 mld dollarë fonde për inovacioni digjital, çipat, bateritë dhe përshtatjet me klimën. Në përgjigje të subvencioneve masive në Aktin e Reduktimit të Inflacionit të SHBA-së, ministri i ekonomisë i Italisë së fundmi bëri thirrje për një qasje të përbashkët të BE-së për të mbështetur konkurrencën dhe për të mbrojtur prodhimin strategjik.

Fokusohuni tek kampionët vendas

“Politikë industriale” i referohet përpjekjeve të qeverisë për të strukturuar ekonominë, me anë të incentivave në industri specifike. Kjo arrihet me përdorimin e mjeteve si subvencione, lehtësim taksash, zhvillim infrastrukturor, mbështetje në kërkim dhe rregullatorë mbrojtëse.Kur zbatojnë politikën industriale si pjesë të strategjisë së tyre të rritjes, vendet shpesh përballen me objektiva konkurrues, të tillë si sigurimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike, ruajtja e stabilitetit financiar dhe fiskal dhe krijimi i “kampionëve kombëtarë”..”

Vendosja e kampionëve kombëtarë është shpesh një objektiv i veçantë i strategjisë së rritjes së një kombi. Disa konsiderata mbështesin këtë objektiv, duke përfshirë: rritjen e sigurisë kombëtare duke promovuar vetë-mjaftueshmërinë në industritë kryesore, mbështetjen e rritjes së pasur me vende pune dhe gjithëpërfshirëse, rigjallërimin e komuniteteve të lënë pas dhe optikën e votuesve lidhur me ringjalljen e sektorit të prodhimit.

Vende të ndryshme kanë promovuar firma ose industri specifike si kampionë kombëtarë – të tillë si gjysmëpërçuesit në Tajvan, energjia e rinovueshme në Gjermani dhe hapësira ajrore në Francë. Kjo qasje synon të krijojë kompani konkurruese globalisht, duke siguruar rritje ekonomike dhe siguri.

Ndonëse përdorimi i politikave industriale ndonjëherë ka rezultuar i suksesshëm, por mbetet kontroversial.

Ekonomistët shqetësohen se zgjedhja e fituesve dhe humbësve mund të çojë në shtrembërime të tregut dhe shpërndarje joefikase të burimeve. Pavarësisht shqetësimeve, ringjallja e politikës industriale nuk tregon shenja ngadalësimi.

Në një botë ku nacionalizmi ekonomik po rritet dhe tensionet gjeopolitike po ashtu, krijimi i kampionëve kombëtarë ka të ngjarë të mbetet një objektiv i rëndësishëm politikash për qeveritë që kërkojnë të avancojnë interesat e tyre kombëtare. Në këtë kontekst, korniza “Trilema e Strategjisë së Rritjes” që zhvillohet më poshtë mund t’i udhëzojë politikëbërësit në arritjen e një ekuilibri midis rritjes ekonomike, stabilitetit dhe objektivave të kampionit kombëtar.

“Trilema e Strategjisë së Rritjes”

Kjo kornizë ka për qëllimin të theksojë sfidat që politikbërësit përballen kur duan të balancojnë kërkesat konkurruese të rritjes ekonomike, stabilitetit financiar e fiskal dhe fokusimin e kampionëve kombëtarë. Ndjekja e një ose dy objektivave, sakrifiko të tretën dhe e bën atë një trilemë.

Trilema paraqet një zgjedhje të vështirë për politikëbërësit.

Qeveritë që mbështesin kampionët e sigurt (Strategjia A) i japin përparësi stabilitetit financiar dhe fiskal së bashku me mbështetjen për kampionët e sigurt kombëtar. Kjo strategji shpesh thekson sigurinë kombëtare, maturinë dhe qëndrueshmërinë mbi përfitimet e mundshme të një strategjie rritjeje më agresive.

Strategjia e mbështetjes së kampionëve të guximshëm (Strategjia B) thekson rritjen ekonomike dhe përzgjedhjen e kampionëve kombëtarë të rrezikuar. Megjithatë, kjo qasje mund të rezultojë në më pak vëmendje ndaj shqetësimeve të stabilitetit. Kjo mund të rezultojë nga një aktivitet më i madh për marrjen e rrezikut ose më pak përqendrim në efikasitet dhe qeverisje – duke çuar në kosto të mundshme për sistemin financiar dhe duke rezultuar në kosto fiskale. Megjithatë, qeveritë që ndjekin këtë strategji janë të gatshme të pranojnë një rrezik më të lartë të destabilitetit për të ndjekur një rritje më të lartë.

Së fundi, qasja e kapitalizmit të tregut të lirë (Strategjia C) i jep përparësi stabilitetit së bashku me rritjen ekonomike – pa u fokusuar te kampionët kombëtarë. Në vend të kësaj, theksi është në mbështetjen e një ekonomie dinamike tregu së bashku me hyrjen e lirë dhe sigurimin që bizneset të operojnë në një treg të drejtë dhe konkurrues.

Kapitalizmi i tregut të lirë ofron një rrugë ndryshe për arritjen e qëllimeve të sigurisë kombëtare sesa qasja e politikës industriale. Në vend që çdo shtet të promovojë kampionët kombëtarë, qasja inkurajon një zinxhir të larmishëm furnizimi global të bazuar në tregtinë e hapur dhe të ndershme, duke shmangur kështu një garë ekonomike. Kjo qasje mund të çojë në efikasitet dhe inovacion më të madh në afat të gjatë, ndërkohë që zbut rreziqet e ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit përmes diversifikimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Këto shkëmbime nuk kanë të bëjnë thjesht me zgjedhjen e një objektivi mbi tjetrin, por më tepër për të arritur një ekuilibër midis të treve (në një linjë). Qasja më e mirë për çdo qeveri do të varet nga një sërë faktorësh kontekstualë, duke përfshirë gjendjen e ekonomisë, shëndetin e sistemit financiar, presionet elektorale në sistemin politik dhe mjedisin gjeopolitik.

Megjithatë, përfitimet e efikasitetit mund ta bëjnë të arsyeshme lëvizjen drejt strategjisë së kapitalizmit të tregut të lirë. Megjithatë, qeveritë shpesh i nënshtrohen tundimit për të krijuar kampionë kombëtarë. Pse? Një faktor kyç mund të jetë psikologjia e udhëheqjes kombëtare dhe presionet ndaj liderëve të qeverisë kur zgjedhin politikat ekonomike.

Pse liderët duan kampionë vendas

Mendoni për një moment jetën e liderit të një vendi. Jeni votuar për të drejtuar shtetin dhe jeni përgjegjës për çdo vendim që ndikon jetët e miliona njerëzve. Rreziqet janë të larta dhe presionet po ashtu.

Presioni më i zakonshëm është ai i rritjes ekonomike. Shifrat pozitive të shtojnë fuqinë politike, rrisin punësimin dhe ofrojnë stabilitet në shoqëri. Në të kundërt përballesh me papunësi, pakënaqësi nga shoqëria, duke rrezikuar mandatin tuaj politik.

Ky presion rrit ankthin. Studimet e psikologjisë klinike tregojnë se ankthi bën që njerëzit të fiksohen në shqetësimet e menjëhershme, shpesh në kurriz të qëllimeve afatgjata. Në kontekstin e rritjes ekonomike, liderët mund të përjetojnë ankthe të ngjashme që i bëjnë ata të kenë prioritet performancën afatshkurtër dhe fitoret e shpejta për të lehtësuar ankthin e tyre dhe për të demonstruar përparim. Kjo mund të çojë në një fokus të ngushtë në industri ose kompani të veçanta të perceptuara si ato që mund të sigurojnë rritjen e menjëhershme – dhe mospërfillje të rreziqeve të mundshme të stabilitetit dhe anëve negative të kësaj qasjeje.

Rritja

Në këtë kontekst, politikat industriale janë mjete në dorën tuaj. Kjo mund të përfshijë dhënien e kontratave, ofrimin e subvencioneve ose lehtësime tatimore, investimin në projekte infrastrukturore për të krijuar kampionë kombëtarë. Megjithatë, promovimi i kampionëve kombëtarë mund të ketë edhe pasoja negative. Mund të rezultojë në një përqendrim të fuqisë ekonomike, shpërndarje të gabuar të burimeve dhe neglizhencë të qëllimeve afatgjata. Ai gjithashtu mund të dëmtojë konkurrencën në treg dhe inovacionin, duke dëmtuar përfundimisht rritjen dhe mirëqenien sociale.

Pavarësisht nga këto kosto dhe joefikasitete, ju mund të detyroheni të promovoni kampionë të guximshëm (Strategjia B). Kjo është për shkak se ju mund të jeni nën presion të madh për të arritur fitore të shpejta, për të ruajtur pushtetin politik ose për të ofruar vende pune për qytetarët tuaj. Për më tepër, politika industriale mund të japë një ndjenjë kontrolli mbi rezultatet ekonomike, duke reduktuar ankthin e rritjes dhe duke ofruar një ndjenjë sigurie si për qeverinë ashtu edhe për publiku.

Konkluzioni

Rasti i Airbus shpesh përmendet si një model i ndërhyrjes së suksesshme të qeverisë në ekonomi. Krijimi i konsorciumit Airbus në Europë në fund të viteve 1960 – i cili sfidoi dominimin e Boeing në tregjet botërore – u bë i mundur përmes subvencioneve të qeverisë, angazhimeve për të absorbuar humbjet dhe financimit për kostot fikse të zhvillimit. Si rezultat, Airbus u bë një konkurrent i frikshëm.

Megjithatë, përvoja e fundit kineze me aeroplanin COMAC C919 tregon se politika industriale është larg nga një plumb argjendi. E shtyrë nga bindja se një komb i madh duhet të ketë avionët e vet, Kina ka investuar shumë në zhvillimin e avionëve të saj komercialë për të sfiduar dominimin e Boeing dhe Airbus. Pavarësisht investimit deri në 70 miliardë dollarë në Korporatën e Avionëve Tregtar të Kinës (COMAC), prodhuesi shtetëror i Kinës, projekti është vonuar me më shumë se pesë vjet si rezultat i pengesave rregullatore, teknologjike dhe të zinxhirit të furnizimit. Vonesat u shtuan nga kërkesat e veçanta të licencimit për eksportet e pjesëve të teknologjisë në Kinë të vendosura nga administrata Trump në vitin 2020. C919 gjithashtu nuk është certifikuar ende nga ndonjë autoritet i madh i aviacionit jashtë Kinës, pjesërisht për shkak të çështjeve të sigurisë. Kështu, pavarësisht suksesit të politikës industriale me rrjetin e saj të brendshëm hekurudhor të shpejtësisë së lartë gjatë viteve 2010, Kina nuk ka qenë në gjendje ta përsërisë këtë arritje në industrinë konkurruese globale të aviacionit.

Mësimi këtu është se promovimi i kampionëve kombëtar ndonjëherë mund të jetë efektiv, por nuk është një recetë që garanton sukses. Edhe në raste të tjera të dështimit të tregut, qeveria mund ta ketë të vështirë trajtimin e problemit pa shkaktuar shtrembërime të konsiderueshme ose pa shkaktuar kosto të larta fiskale. Për më tepër, kur disa vende përfshihen në politikën industriale për të promovuar kampionët e tyre kombëtarë, kjo mund të çojë në një garë deri në fund për sa i përket subvencioneve dhe mbrojtjeve. Një dinamikë e tillë zvogëlon shanset e suksesit për çdo vend individual dhe mund të krijojë një mjedis të paqëndrueshëm ekonomik global.

Ish-sekretari i Thesarit i SHBA-së, Lawrence Summers kohët e fundit tha se i pëlqenin këshilltarët e tij të politikës industriale në të njëjtën mënyrë që i pëlqenin gjeneralët. “Gjeneralët më të mirë janë ata që e urrejnë më shumë luftën, por janë të gatshëm të luftojnë kur është e nevojshme. Ajo që shqetësohem është se njerëzve që bëjnë politikë industriale u pëlqen të bëjnë politikë industriale.” Në këtë kontekst, Trilema u kujton politikëbërësve që të kenë një qasje të kujdesshme ndaj politikës industriale – duke u fokusuar në rritjen afatgjatë, stabilitetin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Ashtu si kripa në gatim, pak politikë industriale mund të jetë e dobishme, por nëse hedh shumë ajo nuk shijon dhe madje krijon probleme në afatgjatë.

*Analizë e ekonomistit të FMN, Ruchir Agarwal/ Përshtati: Gazeta ‘Si’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë