Lajme

Fluturakët për të pyllëzuar sërish planetin

Është matematikë e thjeshtë! 15 miliardë pemë në vit zhduken nga dora e njeriut apo zjarret dhe mbillen rreth 9 miliardë të tjera. Kjo do të thotë se bëhet fjalë për një deficit prej 6 miliardë pemësh.

Mbjellja tradicionale e pemëve kërkon kohë, mund, burime njerëzore dhe që të gjitha këto kanë kosto, që për shumë organizma dhe qeveri është e papërballueshme. E në këtë pjesë mund të ndihmojë teknologjia, si shembull…një fluturak (dron).

BioCarbon Engineerin, një kompani avantgarde në fushën e teknologjisë me bazë në Britaninë e Madhe ka bashkuar forcat me kompaninë Parrot, e famshem për prodhimin e dronëve. Qëllimi: të mbjellin pemë.

Mbjellja me fluturak

Fluturaku është i pajisur me një teknologji të fjalës së fundit për skanimin e terrenit. Me një skanim ai përzgjedh vendin e përshtatshëm për nga niveli i kushteve atmosferike, lagështisë, rrahjes nga dielli e të tjera parametra të domosdoshme për rritjen e një peme.

Pas kësaj, mjeti i vogël fluturues bën një analizë të detajuar për të përcaktuar llojin e pemës që rritet pa asnjë pengesë në terrenin e skanuar. Hapi i fundit është lëshimi i farës së pemës, që gjithsesi, inxhinierët e BioCarbon Engineering thonë se do të jetë e modifikuar për t’u rezistuar kushteve më të ashpra.

Sipas shkencëtarëve, një fluturak mund i tillë mund të mbjellë 100 mijë pemë në ditë dhe nëse bëhet një llogari e thjeshtë, 60 të tillë mbjellin 1 miliardë pemë brenda një viti.

Sigurisht, kjo nuk plotëson deficitin prej 6 miliardë pemësh, por të paktën e redukton atë në 5 miliardë.

Përdorimi

Shpresat e shkencëtarëve britanikë janë që kjo metodë të përqafohet masivisht, jo vetëm nga qeveri të ndryshme, por edhe nga organizmat ndërkombëtarë të angazhuar në fushatën kundër ngrohjes globale.

Ata pretendojnë se një fluturak e mbjell pemën 10 herë më shpejt dhe me kosto sa 20 përqindëshi i menyrës tradicionale.

Projektet

BioCarbon Engineering është e vetmja që thotë se e ka fluturakun në fazë përfundimtare dhe se janë kryer me sukses dhjetra testime prej vitesh. Por, kompania britanike nuk është e vetmja në këtë fushë. DroneSeed në Oregon të Shteteve të Bashkuara është gjithashtu një start-up i sukesshëm në këtë fushë.

Synimi i DroneSeed nuk është vetëm përdorimi i këtyre mjeteve të vogla fluturuese për mbjelljen e pemëve, por edhe për spërkatjen dhe mbrojtjen e pyjeve nga zjarri dhe sëmundjet që mund ta prekin.

Investimet

Agri-kultura është një ndër fushat kryesore ku është përqendruar së fundmi teknologjia e fluturakëve. Gjatë Forumit Ekonomik të Davosit këtë vit, Norvegjia ofroi një financim prej 400 milionë dollarësh për të gjitha projektet që do të ndihmonin kundër shpyllëzimit dhe pemëtarisë për qëllime bujqësore.

Sipas përllogaritjeve të shkencëtarëve dhe të aktivistëve kundër ngrohjes globale dhe ndryshimeve klimatike, Toka, shtëpia jonë e përbashkët humbet përafërsisht 240 mijë metër/katroë pyll çdo minutë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë